Andi Renja një mister, Luftëtari ka humbur 5 pikë në kohën shtesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 19:06

Andi Renja një mister, Luftëtari ka humbur 5 pikë në kohën shtesë

Luftëtari bëri “vetëvrasje” në Vlorë, duke lënë sërish pikë në kohën shtesë. Është hera e tretë që bluzinjtë këtë kampionat hedhin në erë gjithçka të ndërtuar mirë, me gabime fatale në sekondat e fundit të takimit.

Teuta-Luftetari

Kur mendohej se do të merrej fitorja e parë jashtë fushe dhe pikërisht ndaj një rivali direkt si Flamurtari, goli i Ansi Nikës në minutën e 93-të tronditi gjirokastritët, që lanë dy pikë nga kjo transfertë. Avantazhi me Donald Rapon në minutën e 53-të nuk u mbajt dhe kjo tregoi edhe një herë mungesën e përqendrimit që ka skuadra në momentet e fundit të takimit.

“Një skuadër e papjekur, me mungesë totale përqendrimi dhe që nuk sillet si profesioniste”. Kështu shprehet për “Panorama Sport” legjenda e futbollit gjirokastrit, Theodhori Kalluci, teksa ndien keqardhje për atë që ndodhi në ndeshjen e fundit në Vlorë. Por, nëse shikon përballjet e fazës së parë, në total janë plot 5 pikë të lëna në kohën shtesë nga Luftëtari deri më tani në kampionat. Me më tepër përqendrim gjirokastritët do të ishin tashmë 13 pikë në tabelë nëse në sfidën ndaj Laçit nuk do të barazoheshin në minutën e 93- të pas penalltisë së Naubuezes. Gjithashtu, deri në minutën e 93- të në transfertën ndaj Skënderbeut në Korçë, rezultati ishte 0- 0, por sërish bluzinjtë shkaktuan penallti dhe fituan vendësit. Janë pikë të lëna që Luftëtari do t’i “qajë” rrugës, në një kohë që vendi i tetë që të çon në “play-out” është 9 pikë më tepër.

asccas

ANDI RENJA

Sikur të mos mjaftonte mungesa e Demos dhe Isufit për shkaqe dëmtimi apo Filit që ende vazhdon pezullimin, në ndeshjen ndaj Flamurtarit ra në sy mosgrumbullimi i sulmuesit të krahut, Andi Renja. I ardhur në verë si një prej përforcimeve më të rëndësishme të merkatos, duke qenë se kishte luajtur në skuadra të njohura në Greqi dhe Bullgari, lojtari me origjinë korçare nuk e ka treguar të gjithë potencialin e tij.

RENJA

Mirëpo, misterioze ishte mungesa në ndeshjen e fundit, pasi nuk bëhet fjalë për shkak dëmtimi. I kontaktuar dje nga gazeta, vetë Renja dha këtë sqarim: “Nuk isha i dëmtuar, por për arsye personale isha jashtë grumbullimit. Për këtë kam folur me presidentin. Mes meje dhe ekipit është çdo gjë në rregull. Unë si profesionist kam për detyrë të stërvitem për ndeshjen e radhës”. Ndërkohë, “Panorama Sport” kontaktoi dje edhe trajnerin Jorgos Marantas për ta pyetur rreth kësaj çështjeje, por nuk u prononcua, duke bërë të ditur se do të flasë në ditët në vijim.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"