Ançeloti “përjashton” Realin nga gara për titull: Nuk jemi gati, Barcelona po kalon një moment shumë të mirë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2023 | 15:44

Ançeloti “përjashton” Realin nga gara për titull: Nuk jemi gati, Barcelona po kalon një moment shumë të mirë…

Reali i Madridit nuk është ende gati për të garuar për titullin kampion në La Liga. Ky nuk është një përfundim i gazetarëve, por i vetë trajnerit Karlo Ançeloti. Tekniku italian i “Los Blancos” mendon se është ende shumë herët për të folur për titullin në La Liga.

ANCELOTI

Deklarata e tij ka ardhur pas barazimit 0-0 kundër Sociedadit të dielën në mbrëmje, që e ka lënë Realin e tij 5 pikë pas Barcelonës kryesuese.

“Unë mendoj se është ende shumë herët për të folur për titullin në La Liga. Unë mendoj se nuk jemi ende gati për të qenë në majë. Kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë. Ne jemi një skuadër kompetitive, do të garojmë deri në fund, por është herët për të menduar titullin”, tha italiani.

Trajneri i Realit të Madridit ka folur gjithashtu për rivalitetin me Barcelonën dhe me hendekun e krijuar mes dy skuadrave. Katalanasit janë shkëputur 5 pikë nga Reali, por Ançeloti nuk duket shumë i shqetësuar.

“Jemi pesë pikë larg tyre. Kjo do të thotë se duhet të vrapojmë. Diferenca nuk është shqetësuese, por nëse vijojmë të lëmë pikë rrugës gjithçka mund të ndryshojë. Barcelona po bën një fazë të sezonit mjaft të mirë, por gara është shumë e gjatë. Janari ka qenë mjaft i vështirë, por në takimet e fundit kam vënë re se skuadra është përmirësuar dhe jam i bindur se do të bëjmë edhe më mirë. Do të luftojmë deri në fund”, tha Ançeloti.

Numri një i “Los Blancos” ka folur dhe për ndeshjen ndaj Sociedadit si dhe Kupën e Mbretit.

“Ndaj Sociedadit mendoj se na mungoi fati. E kemi dominuar takimin, kemi krijuar raste për shënim, por për fat të keq nuk gjetëm golin. Ishte e vetmja mangësi. Sa për Kupën e Mbretit edhe ajo është një nga objektivat tanë. Kemi mbërritur deri në gjysmëfinale dhe natyrisht që duam t’i shkojmë deri në fund. Na mungon prej disa vitesh, ndaj jemi mjaft të motivuar për të bërë më të mirën edhe në këtë kompeticion”, tha trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"