ANALIZA/ Tepër frikë e pak personalitet, Milani ka shumë limite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 19:57

ANALIZA/ Tepër frikë e pak personalitet, Milani ka shumë limite

ANALIZA E “SPORTMEDIASET”

Humbja e një derbi dhemb shumë, aq më tepër nëse regjistrohet në kohën shtesë. Nuk thonë kot që e keqja nuk ka fund, sepse është edhe më e rëndë që të humbësh në sekondat e fundit një takim, të cilin për 90 minuta nuk mundove ta fitosh. Mauro Ikardi shënoi duke i dhënë fitoren Interit, por tri pikët e ashtuquajtura “të lëna” në derbi, nuk e ndryshojnë klasifikimin e kuqezinjve e aq më pak ambiciet, por me siguri goditja e pësuar në asketin e entuziazmit ka qenë e fortë. Në 24 orët e para që pasuan ndërqytetësen milaneze, kritikat më të shumta që mori skuadra dhe Gatuzo, kishin të bënin me qëndrimin e mbajtur.

milan

Në një ndeshje tejet të rëndësishme si derbi u pa një Milan që ngurronte, që druhej, e që gati-gati kishte frikë të luante. Ishte një sfidë që vlerat përcaktohen pikërisht nga dëshira dhe karakteri dhe në këtë sens, Gatuzo dhe të tijtë shkaktuan një “autogol” të llahtarshëm. Module – Trajneri kuqezi zgjodhi të përballej me Spaletin, duke synuar te formacioni dhe interpretuesit klasikë. Skema 4-3-3 që në momentet e para të ndeshjes u transformua në një 4-5-1 të dukshëm, çka solli dhe izolimin e Gonzalo Higuainit, njeriu më me vlerë në formacionin kuqezi.

“El Pipita” u la i vetëm në përballjen me dy gjigantë si mbrojtësit e Interit, teksa pjesa tjetër e skuadrës shfaqi të gjitha limitet e një organike që prej javësh lavdërohet shumë ose masakrohet keqazi. Gjërat janë shumë më të thjeshta, ky Milan, të paktën për aq sa ka treguar deri më sot, ka mundësi teknike të mesme dhe një personalitet prej një ekipi të mesit të renditjes. Këto janë ato që tregon fusha, e që konfirmohen nga lojtarët, sepse edhe Bilia pas derbit akuzoi qëndrimin e keq mendor, teksa pranoi se: “Kishim përballë një ekip të madh”.

Fjalia është lehtësisht e kuptueshme, por që hedh një pjesë të fajit edhe mbi drejtuesit, të cilët që prej fillimit të sezonit flasin për qëllime ambicioze e rikthime në elitën e futbollit europian. Faje – Arritjet e mëdha nuk realizohen me shpejtësi, pasi duhet kohë, e sidomos shumë durim. Hapat prapa të treguara në derbi janë një e dhënë shqetësuese, pikërisht në aspektin e personalitetit. Milani është një ekip që luan mirë, – është thënë shpesh, por ja që diçka të tillë e bën me ekipet e vogla, teksa me të mëdhatë vuan të luajë hapur, të shfrytëzojë situatat në fushë të hapur, rastet që krijon, pa përmendur qarkullimin e topit modest kur ndodhet nën presion.

Faji rëndon mbi Gatuzon dhe lojtarët pa personalitet, por shkaktari i vërtetë vështirë të gjendet, paçka se është shqetësues. Të humbësh një derbi dhemb shumë, por ta humbësh duke synuar barazimin 0-0 e në fund të dështosh, është akoma më e rëndë, sepse është gjëja e fundit që pritet nga skuadra e dikujt me karakterin e Xhenaro Gatuzos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"