Anglinë e mundi karakteri kroat, duhet të qajë dhe të qeshë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 16:16

Anglinë e mundi karakteri kroat, duhet të qajë dhe të qeshë

ZHOZE MURINJO

murinjo

Mendoj se ndeshjen e fitoi karakteri i Kroacisë. Dhe jo vetëm ai. Nëse do të kisha qenë disi naiv dhe nuk do të kisha eksperiencën që kam në futboll, do të kisha dalë në pjesën e parë dhe thosha se ndeshja kishte përfunduar. Por nuk kishte përfunduar. Unë parashikova një gol tjetër. Mund të ishte Anglia ajo që do kishte shënuar, por mund të ishte edhe Kroacia ajo që do reagonte, gjë që ndodhi.

Kështu që mendoj se në parim, erdhi prej faktit se kur ndeshja ishte e lehtë për Anglinë goli i dytë nuk erdhi dhe më pas Kroacia shënoi golin e parë. Dhe nga pikëpamja psikologjike ata kishin një overdozë vetëbesimi dhe e ndryshuan tërësisht ndeshjen. Në fund mendoj se e merituan. Mund ta shikoni nga numri i goditjeve në portë. Anglia goditi vetëm një herë, ndërsa kroatët 7 apo 8. Pastaj zotërimi i topit ndryshoi në mënyrë dramatike, nga Anglia në favor të Kroacisë. Dhe pastaj erdhi gabimi. Manxukiç po bënte një ndeshje shumë i lodhur, por kur shansi i erdhi ai e dërgoi topin në rrjetë.

anglia

Perisiç është nga ata sulmues krahu i ndryshëm nga të tjerët. Normalisht, sulmuesit e krahut janë thjesht të shpejtë dhe krijues. Por ai është edhe shumë fizik, shumë fizik dhe fantastik në luftën në ajër. Ishte i jashtëzakonshëm kur shkoi dhe fitoi atë top në ajër. Dhe sigurisht që Anglia reagoi në mënyrën që mundi. E njëjta gjë që i ndodhi Striniçit i ndodhi edhe Tripierit. Anglia bëri edhe zëvendësimin e katërt. Por edhe në këto limite ekstreme, zëvendësimi i katërt nuk mjafton. Kështu që Anglia po luante me 10 vetë për pesë minutat e fundit të shtesës plus 4 minutat e shtesës mbi shtesë.

E megjithatë, ata krijuan mundësi për të shënuar. Vendimin për ta ekzekutuar atë goditjen e fundit të dënimit mendoj se Anglia e mori gabim në atë moment. Sepse u përpoqën të hidhnin një top të lehtë në zonë për Meguajërin, por në ndeshjet e shkuara Meguajër ishte shumë dominues ndaj rivalëve të tjerë. Por në këtë moment Kroacia i kishte dhënë Lovrenit misionin për të shkuar te topi i parë për Meguajërin. Markus Rashford është shumë i mirë në ekzekutimin e goditjeve të dënimit me tension dhe shpejtësi, ndërkohë që ata vendosën për atë topin që unë e quaj “ulja e balonës” dhe i dhanë kohë Lovrenit të pozicionohej dhe të mbërrinte në kohë për te topi.

Në fund ata ishin dominantë edhe nga pikëpamja psikologjike, kështu që në harkun e 120 minutave unë mendoj se e merituan. Besoj se është një arritje e pabesueshme për një vend ku kampionati është i vogël dhe ku shumica, madje jo thjesht shumica, por gati 100% e lojtarëve, nuk luajnë në Kroaci. Ata janë njerëz si unë, që punojnë jashtë vendit dhe kur punon jashtë, mendoj se e ndien vendin tënd edhe në mënyrë të ndryshme. Për ta, të rikthehen në shtëpi pasi e kanë dërguar Kroacinë në një finale të Kupës së Botës është diçka fantastike. Anglia sigurisht që ka një arsye për të qarë, por ka edhe një arsye për të qenë optimiste. Skuadra është përmirësuar shumë në krahasim me turnetë e mëparshëm. Skuadra është e re. Shumica e këtyre lojtarëve mund të luajnë edhe në Botërorin e ardhshëm.

Ndoshta Eshli Jang apo Xhemi Vardi do të jenë 34, 35, 36 vjeç, por të tjerët do të jenë në Kupën e ardhshme të Botës me më shumë eksperiencë në nivel klubi. Ata ishin shumë pranë, prandaj dhemb më shumë. Kur humbet një gjysmëfinale dhe skuadra jote ishte më e dobët se kundërshtari, atëherë shkon në shtëpi i qetë, duke menduar se fitoi skuadra më e mirë. Gjëja më e keqe në futboll është kur ti humbet dhe nuk e meriton, apo kur i je afruar shumë. Nëse unë do të isha në krye të Federatës Angleze, pa dyshim që do ta mbaja Sauthgejtin apo Hollënd dhe do t’u jepja shansin ta drejtonin skuadrën në Europianin dhe Botërorin e ardhshëm. Anglia ka një arsye për të qarë, sepse ishte shumë pranë për t’ia dalë. Por mendoj se kanë edhe arsye për të qenë optimistë, sepse të gjithë anglezët kanë një arsye për t’u rikthyer në shtëpi me krenarinë që dhanë gjithçka. Ata nuk e bënë vendin totalisht të lumtur, por e bënë krenar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"