Hysaj apatik, Shqipëria të gjejë ekuilibrat!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 21:47

Hysaj apatik, Shqipëria të gjejë ekuilibrat!

NEPTUN BAJKO

Ishte një fitore që i du hej Shqipërisë, sido mos në aspektin moral. Një pjesë e lojtarëve, por edhe trajneri, ishin nën tension, për shkak të rezultateve jo të mira. E megjithatë, mua Shqipëria nuk më bindi edhe aq. Sidomos pjesa e parë la shumë për të dëshiruar. Ndoshta ishte ndeshje e bukur për tifozët sepse dhuroi emocione, por për aq kohë sa portieri bëhet hero, do të thotë se nuk i kemi edhe aq punët në rregull.

Neptun Bajko

MUNGESË EKUILIBRASH

Shqipëria në pjesën e parë nuk pati balanca. Skuadra ishte e gjatë, rrezikoi shumë në aksionet që niste nga thellësia dhe ishte e lexueshme. Lojtarët në një pjesë të mirë të rasteve vepronin sipas iniciativave individuale dhe jo sipas ushtrimeve të punuara më parë. Kjo më pas solli edhe rrezik të madh në portën tonë, duke e vënë në vështirësi të mëdha portierin, që në fakt bëri një paraqitje mbresëlënëse. Duhet pak reflektim sepse kur të vijnë kundërshtarët e fortë, Shqipëria nuk mund të luajë si dje, që në fakt i ngjante një skuadre me lojtarë që sapo ishin grumbulluar dhe thjesht po jepnin më të mirën e tyre  në fushë, pa njohur filozofinë e trajnerit të tyre dhe pa e njohur si duhet njëri-tjetrin.

41149281_1764718386960716_2098370233113772032_o

SULMUESIT E VETMUAR

Këmbëngulja për të luajtur vazhdimisht me një sulmues të vetëm ndonjëherë bëhet shqetësuese. Rasti tipik ishte ai i djeshmi kur Guri dhe më pas Balaj ishin të shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës. Nuk u furnizuan si duhet dhe praktikisht nga e djathta nuk morën asnjë pasim si duhet. Jam i befasuar nga mënyra sesi luajti Hysaj. Presim më shumë nga shkodrani, sepse ka potencial të madh dhe luan në nivele të larta. Lojtarë si ai duhet të marrin më shumë përgjegjësi, por në fakt dje ai nuk ishte i qartë as në fazën mbrojtëse dhe as në atë sulmuese. M’u duk shumë apatik dhe kjo natyrisht që nuk e ndihmon ekipin, sepse skuadra sot më shumë se kurrë ka nevojë për liderë të vërtetë.

hysaj

DISA KËSHILLA PËR PANUÇIN…

Fitorja do t’i bëjë mirë dhe do t’i japë besim e forcë për të përballuar një ndeshje akoma më të vështirë, siç është ajo kundër Skocisë në transfertë. Por, ai duhet të mësojë të jetë më i përmbajtur. Nuk më pëlqeu mënyra sesi iu hakërrye Starovës dhe panelit të gazetarëve pas ndeshjes në RTSH.

Nëse i është cenuar sedra nga fjalët e ish-presidentit Nishani, kjo nuk duhet të përbëjë motiv që ai të humbë etikën e një trajneri të Kombëtares. Ndërsa në planin taktik, do të doja ta shikoja Shqipërinë më ndryshe. Si?

– Një skuadër më të shkurtër në fushën e lojës dhe më të qartë në veprimet mbrojtëse apo edhe në organizimin e lojës.

– Do të doja që t’i shikoja më të shpejtë, sidomos në veprimet sulmuese. Ne jemi një skuadër e vogël dhe kur dalim në sulm duhet ta bëjmë shpejt, sepse nuk kemi cilësi që ta shënojmë një gol edhe duke vepruar ngadalë në fushë.

– Besoj duhet t’i mëshojmë më shumë elementit befasi. Te Shqipëria ky aspekt është zbehur. Trajneri duhet të improvizojë diçka dhe të mos kemi vetëm një mënyrë sulmi gjatë ndeshjes.

– Goditjet standarde. Nuk janë të parëndësishme, përkundrazi, për ne skuadrat e vogla janë mundësi të mira për t’i bërë keq kundërshtarit. Po ne çfarë kemi bërë së fundmi në goditjet e dënimit? Asgjë… Ndaj Panuçi nuk duhet t’i nënvlerësojë ato. Pak vite më parë (në kohën e De Biazit), goditjet standarde ishin një shpresë e madhe dhe në jo pak raste ia kemi dalë të shënojmë. Nuk kemi asnjë arsye se përse duhet të privohemi nga to…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"