Analiza e Kategorisë së Parë / Java mbyllet me kontestime, Erzeni i “lë targën” Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 21:21

Analiza e Kategorisë së Parë / Java mbyllet me kontestime, Erzeni i “lë targën” Tomorit

Java e 9 e Kategorisë së Parë prodhoi shumëçka. Ndonëse golat ishin me pikatore, surprizat dhe kontestimet nuk kanë munguar. Renditja vazhdon të pësojë ndryshime, duke përjashtuar këtu vetëm kreun.

kategoria-e-pare-1

Bylisi është përfundimisht i pathyeshëm. Asnjë pikë e lënë pas 810 minutash të luajtura dëshmojnë se e kanë nisur rrugën pa kthim drejt Kategorisë Superiore. Janë zyrtarisht pa rivalë, pasi asnjë nuk mundi t’u merrte qoftë edhe një barazim, e jo më ta mundë. Këtë herë kaluan me sukses edhe Apoloninë, ndonëse me penalltinë e kthyer në gol prej Eridon Qardakut. Duhet thënë që fierakët ia bënë “malore”, por ballshiotët me cinizëm morën çka deshën.

Më shumë se interesante ishte përballja për vendin e dytë. Në Berat e frynë aq shumë, por në fund u thyen pa shumë rezistencë përballë Erzenit. Shijakasit iu falën një goli me kokë të Ditmir Becit dhe shkëputen me 4 pikë nga skuadra e Klevis Dalipit. Këta të fundit patën pretendime për dy penallti dhe tensioni nuk është se mungoi, e megjithatë në fund mbetën “thatë”.

fffff

Korabi ishte super, ndërsa ia doli në derbin e qarkut. Fituan 3- 1 kundër Burrelit dhe hero i padiskutueshëm ishte Taulant Marku. Një “përbindësh” në sulm, ndërsa e gjeti tri herë rrjetën dhe u dha vendin e tretë dibranëve. Besa bëri detyrën me Maliqin. Vuajti jo pak dhe shpërdoroi si zakonisht, por këtë herë e nderoi Skerdian Perja. Ia doli edhe Pogradeci në shtëpi, duke mposhtur Lushnjën. Këta të fundit u ankuan për arbitrat, por patën të njëjtin handikap si çdo javë: finalizimin. Liqenorëve u mjaftoi ajo rrjetë e Eldjon Topllarit pas vetëm 10 minutash lojë dhe ditën që ta mbronin me fanatizëm deri në finish.

dddddd

Besëlidhja nuk po di të ndalet dhe starti i dobët është tashmë vetëm një ëndërr e keqe. Siguruan të tretën fitore radhazi dhe iu larguan zonës së ftohtë. Ende janë në rrezik, por forma që po kalojnë jep vërtet shpresë. Marko Jeremiç dhe Ruben Danaj realizuan për pikët e plota përballë Shkumbinit, ekip që nuk po ngre dot kokë. Turbina gjen më në fund fitoren dhe ia dorëzon fundin Vorës, kundërshtar që e mposhti 2-0. Në Cërrik ishte Ronaldo ai që bëri golat dhe ngjalli shanset për mbijetesë. I vetmi “X” erdhi në Sarandë, atje ku Butrinti e Tërbuni u ndanë pa gola. Për pukjanet nuk është më çudi që të barazojnë, ndërsa për sarandjotët mund të quhen dy pikë të humbura.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"