Analiza e javës së 28-të/ Elbasani, Bylisi dhe Tomori, gati “përshëndetja” me të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 21:47

Analiza e javës së 28-të/ Elbasani, Bylisi dhe Tomori, gati “përshëndetja” me të Parën

Përfundimi i javës së 28-të në Kategorinë e Parë i ka përforcuar edhe më shumë verdiktet sa i përket dyshes që ngjitet direkt në Kategorinë Superiores, si dhe skuadrës së parë që zbret në të Dytën. Elbasani, Bylis dhe Tomori po bëhen gati që të përshëndeten me Kategorinë e Parë janë, proces i cili do të zyrtarizohet edhe matematikisht javën që vjen.

korabi elbasani

Elbasanit i mungon vetëm një pikë për të siguruar matematikisht ngjitjen në elitë, ndërsa Bylisi është një fitore larg. Kështu që këto dy ekipe, pas fitoreve të fundit në transfertë vijojnë mbetjen mes tyre për titullin kampion, ku verdheblutë kryesojnë me 66 pikë, dy më shumë se ballshiotët. Ndërsa Tomori është vetëm një pikë larg zbritjes zyrtare në Kategorinë e Dytë. Elbasani mori një tjetër fitore me përmbysje, në shifrat 3-2 në transfertën e Peshkopisë ndaj Korabit. Të pesë golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e dytë. Ndërsa Bylisi dominoi Lushnjën në “Roza Haxhiu” duke fituar sfidën në shifrat 2-1.

Tomori e ka ndarë mendjen se sezonin e ri e nis nga Kategoria e Dytë dhe që tani drejtuesit kanë nisur ndërtimin e skuadrës së re, duke u dhënë prioritet të rinjve, në mënyrë që të promovohen në këto javë. Edhe pse e dinë fatin e tyre, beratasit po e respektojnë kampionatin, pasi në Vlorë zhvilluan një ndeshje të kënaqshme. Gjithsesi, Flamurtari arriti ta “thyej” tersin në shtëpi duke fituar me rezultatin 3-1 ndaj Tomorit. Skuadra e Memushit ndodhet e konsoliduar në vendin e tretë me 51 pikë dhe e pret me qetësi fazën “play off”, ku shpreson sigurimin e biletës së fundit për në Superiore. Vora ka harruar se çfarë shije ka pika, pasi në pesë ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm humbje, ku të shtunën u mundën në Fier nga Apolonia në shifrat 2-1.

Absurditetin e këtij kampionati e tregon vetë ecuria e Vorës në këto javët e fundit. Edhe pse vorakët nuk kanë marrë pikë në 5 javë, sërish mbajnë vendin e katërt, por tani ndjenë “frymëmarrjen” e Apolonisë. Trepikësh “të artë” arriti të marrë Besa në Burrel, ku mjaftoi goli i Mustafa Basë në minutën e 88-të. Nëse kavajasit e siguruan fitoren 2 minuta nga fundi, Kastrioti e arriti që në minutën e dytë me golin e Musajt që mjaftoi për të mposhtur Luzin. Me këto fitore Kastrioti dhe Besa ia janë afruar Lushnjës dhe Burrelit, që së bashku me Luzin, pritet që të diskutojnë se kush do të jetë shoqëruesi i Tomorit në të dytën, si dhe cilat do të jenë dy skuadrat që do të përfundojnë në “play out”. Pesë javët e mbetura pritet të dhurojnë ndeshje të “zjarrta” për sa i përket zonës së poshtme, pasi nga vendi i shtatë e poshtë, të gjitha rrezikojnë.

formacioni

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"