Analiza e Dinamos / Mungesa e Sofranakut zhbalancoi gjithë prapavijën e bluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 17:10

Analiza e Dinamos / Mungesa e Sofranakut zhbalancoi gjithë prapavijën e bluve

Aleksandër Sofranak është një nga blerjet më të rëndësishme të Dinamos për këtë sezon. Një kolonë e fortë e mbrojtjes, pa mohuar vlerat e të gjithë lojtarëve të tjerë të prapavijës. Me të në fushë, Dinamo kishte pësuar vetëm 2 gola në 4 ndeshje, kurse në 1 të vetme pësoi trefishin.

SOFRANAK 2

Mungesa e malazezit në ndeshjen me Vllazninë tregoi qartë problematikën që skuadra e Shkëmbit ka me qendrën e mbrojtjes. Në këtë sektor, blutë kanë vetëm dy lojtarë roli, dy titullarët Sofranak dhe Imami. Në mungesë të qendërmbrojtësve të tjerë, stafi teknik ka menduar të manovrojë me lojtarë që përshtaten në këtë rol, si Sidibe dhe Samake, por në rastin e parë që u krijua kjo situatë, u pa qartë se kjo nuk është zgjidhje.

Mungesa e Sofranakut zhbalancoi në fakt gjithë pjesën e prapavijës së formacionit, sepse me spostimin e Sidibesë në mbrojtje, edhe mesfusha humbi shumë. Afrikani është shumë i rëndësishëm në rolin e tij natyral, atë të shkatërruesit para mbrojtjes. As Demiri dhe as Ali Samake nuk mund ta bëjnë punën e tij. Për një skuadër që ka pretendime serioze, është e pafalshme ta nisë sezonin me vetëm 2 mbrojtës qendre, kur duhet të ketë 4 të tillë, pastaj niveli i secilit prej tyre është çështje tjetër.

Në një kampionat të gjatë dhe të vështirë situata se kjo e ndeshjes me Vllazninë mund të përsëriten shpesh, pasi ka dëmtime dhe skualifikime, për të mos folur për episode të veçanta që mund të krijohen brenda një ndeshjeje. Po sikur Imami, fjala bie, të pësonte ndonjë dëmtim apo të merrte karton të kuq ndaj Vllaznisë?! Qendra e mbrojtjes është nevoja e parë urgjente e Dinamos në merkaton e dimrit, sepse duke arnuar është e vështirë të arrish objektiva madhorë. Deri atëherë Imami dhe Sofranak duhet të ruhen sa më shumë si nga dëmtimet, ashtu edhe nga kartonët, pavarësisht se me rolin që ata kanë, vështirë se mund t’i shmangin kartonët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"