Analiza e derbit nga Klevis Dalipi/ E fali Partizani me dy gabime, e kuptuan të gjithë çfarë do të bënte Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 21:23

Analiza e derbit nga Klevis Dalipi/ E fali Partizani me dy gabime, e kuptuan të gjithë çfarë do të bënte Tirana

NGA KLEVIS DALIPI
Partizani ishte dominues që nga fillimi i ndeshjes, por ra në kurthin e Tiranës. Nuk e kam fjalën vetëm për daljen huq të portierit, por edhe për rastet që humbën, apo edhe për mënyrën se si po e administronin momentin kur Tirana u tërhoq me të gjitha forcat mbrapa.

sadasdasdasd

GABIMI I PARË
Partizani vërtetë zhvilloi volum loje dhe tentoi me çdo mënyrë golin, por Tirana e futi në “kurth”. Dihej që bardheblutë do të tërhiqeshin, sidomos pasi mbetën me 10 lojtarë, por Partizani duhej të ishte më i shpejtë në lëvizje dhe në mendim. Tirana u ngushtua shumë në mesfushë, por nuk u tërhoq aq poshtë sa priste Partizani. U duhet njohur merita për këtë, sepse ndonjëherë presioni të zvogëlon shumë dhe vetvetiu shkon shumë afër portës. Kjo i dha mundësi Tiranës që të vepronte me më shumë siguri dhe të lexonte me kujdes çdo gabim që do të bënte Partizani.

Ndërkaq, dominimi në volum loje jo gjithnjë është produktiv. Partizani ishte i lexueshëm në manovrën sulmuese dhe nuk bëri atë që bënte Tirana me Xhixhën. Por gabimi i parë erdhi nga një veprim i nxituar i portierit te goli i parë. Në ato raste topi nxirret në “aut”, nuk mund të shkohet te topi me aq inat. Pas atij goli sërish Partizani e dominoi Tiranën, por këtu vijmë te gabimi tjetër…

GABIMI I DYTË
E kuptuan të gjithë ç’do të bënte Tirana: mbrohu mirë dhe kundërsulmo. Partizani tentoi shumë herë, por ishte dobët me finalizimin. Ndërkohë, gabimi i dytë, sipas meje, ishte vendosja e Matondos për të markuar Xhixhën. Matondo ka bërë një punë shumë të mirë, por nuk mendoj se ishte i duhuri për të markuar një lojtar aq të shpejtë. Nuk e di pse e zgjidhën kështu, kur dihej që Tirana kishte futur tre qendërmbrojtës, po linte hapësira, por ndërkohë edhe po përpiqej të organizonte kundërsulmin e radhës. Mendoj që Partizani e fali derbin, ndërsa Tirana u tregua shumë cinike dhe shumë e zgjuar. Por mbi të gjitha tregoi që është një skuadër që di të vuajë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"