Euforia qeveritare “televizive” dhe kriza e madhe e futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 22:20

Euforia qeveritare “televizive” dhe kriza e madhe e futbollit shqiptar

BESNIK DIZDARI

 

Është vërtet e çuditshme që vetëm 15 muaj mbas para qitjes historike të Kombëtares së Shqipërisë, të bukur, të hijshme, dinjitoze në Kampionatin Europian 2016, të flasësh për krizë të futbollit shqiptar, madje të madhe. Kam përshtypjen se emblema e kësaj Besnik-Dizdarikrize janë edhe 90 minutat e fundit të ndeshjes me Italinë në mbrëmjen e së hënës.

Në të vërtetë, një stadium thuajse i mbushur me spektatorë, ndoshta nja 12.000. Mirëpo, skena dhe mbas skena ishte diçka disi e rrallë. Një publik i edukuar, tejet i ftohtë gjatë gjithë ndeshjes, i cili lojën e mirë të Shqipërisë e shoqëronte vetëm me disa duartrokitje “të qeta” e thirrje “të buta”, çka të lë të kuptosh se edhe në Shkodër futbolli shihet me një lloj “indiference”, madje edhe kur luan Kombëtarja. Ndeshja përfundoi ndërkaq me një lloj buzagazi që përshkonte gjithë mjedisin.

Spektatorët kësisoji, lojtarë tepër miqësorë e plot buzëqeshje me njëri-tjetrin, edhe ata qeveritarë të pranishëm, të cilët nuk vijnë thuajse kurrë në stadium, që ndoshta e zbresin autoritetin e tyre deri në tifozë të Italisë e të klubeve të këtij vendi. Madje, deri me ardhjen nga Prishtina të kreut të Kosovës, në një ditë pune të fillimit të javës, madje një ditë kur shumë më e rëndësishme se ndeshja Italia – Shqipëria ishte ngjarja tjetër, ajo që na thotë se për herë të parë në histori një përfaqësuese e Kosovës, Kombëtarja e saj e 19- vjeçarëve, kualifikohet mbas një turneu të Kampionatit të Europës.

duka rama

Mandej, hareja e “shtypit” televiziv, me kënaqësinë e vendit të tretë që gati-gati po quhet një sukses i madh, kur dihet se kjo ishte detyrë elementare e kësaj Kombëtareje, ngaqë tre të lanunit mbrapa, Izraeli, Maqedonia, që ka barazuar në Itali, si dhe Lietnesteini, janë poshtë nivelit të Shqipërisë. Sidoqoftë, gjithçka duket të jetë normale, po ndërkaq, kriza është po aq e qartë. E në Tiranë, tri humbje rresht të Shqipërisë 19-vjeçare, njëra prej të cilave 7-1, e mandej në Elbasan barazim i 0-0 me Islandën i Shqipërisë 21-vjeçare – 35 vjet më parë në tetëshe të Europës – shto këtu stadiumet e boshatisura në këto ndeshje, vetëm sa i ravijëzojnë konturet e një krize. Të tjerat, më të rëndësishmet, janë brenda këtij ravijëzimi.

Kësisoji, është koha jo për reflektim, se kjo nuk mjafton tashmâ, por është koha për një lloj revolucioni, që nënkupton ndryshimin e madh. Dhe dihet, krizat e mëdha veç me revolucione mund të kapërcehen, Duket qartë tashmâ se është mbyllur një kapitull tërheqës për Kombëtaren e Shqipërisë, por që kanë mbetur të hapur kapituj të tjerë të pakëndshëm të Shqipërisë, të cilët kanë të bëjnë pikërisht me zhvillimin e futbollit të saj.

Në këtë edicion të Kupës së Botës, Shqipëria fitoi 13 pikë ose 9 me sistemin e dy pikëve, çka për gjykim të barabartë me edicionet 55 vjetëve pjesëmarrjeje, del se ajo ka fituar mesatarisht 0.90 pikë për ndeshje, mesatare që për ne zë vendin e tretë në histori. Nuk arriti të kalojë dy edicionet e fundit që janë 1.25 dhe 1.00 pikë për ndeshje.

Natyrisht pa harruar se për herë të parë u rendit e 3-ta në një grup me 6 skuadra, edhe pse dy vjet më parë qe renditur e dyta, falë një 3-0 me vendim në tryezë. Në thelb, nuk është këtu fjala se kemi bërë hap përpara apo hap mbrapa nga gjithë ato ndeshje të paharrueshme nën trajnerin De Biasi apo dhe falë mbështetjes së mirë të FSHF-së. Ajo që të shqetë- son është gëzimi plot hare edhe pse Shqipëria i humbi pa bëza të katër ndeshjet me dy të mëdhenjtë: Spanjë, në përtëritje e sipër dhe Itali, në rënie e sipër.

Duka dhe Rama

Duke harruar “propaganda” jonë federaliste që në këto pesë vjetët e fundit Shqipëria ka mundur në ndeshje kualifikuese apo miqësore të rangut jo pak, por nja pesë a gjashtë të mëdhenj apo më të mëdhenj se vetja e saj: Slloveninë, Portugalinë, Norvegjinë, Francën apo Rumaninë. Pa shkuar te disa barazime apo dhe humbje dramatike tejet dinjitoze, madje të paharrueshme. Kështu, tash së fundi, nuk patëm një rritje më tepër – çka edhe kjo është normale. Ndonëse qysh nga 9 tetori 2016, kur ka fituar 2-0 me Lietenstejnin, Shqipëria në 10 ndeshje rresht ka humbur plot 7!

Kthim mbrapa? Është shpejt për ta thënë. Ajo që duhet thënë në kohën e duhur është kjo tjetra: Në të katër ndeshjet e fundit, Kombëtarja e Shqipërisë midis 22 lojtarëve të saj që aktivizoi, vetëm 5 lojtarë i ka prodhuar futbolli i Republikës së Shqipërisë, ndërsa 17 të tjerë janë prodhim i Europës, natyrisht djem të racës shqiptare, kryesisht me prejardhje nga Kosova – e Shqipëria po vonon ta kuptojë shterimin që i vjen për shkak të “sulmit” të natyrshëm kombë- tarist të Kosovës drejt bijve të saj – shpërthim i parë i të cilit është pra kualifikimi i Kosovës në grupin e saj për KE NEN19.

Ndërkaq, prej rreth 20 lojtarëve të Shqipërisë së 19-vjeçarëve, vetëm nja 4 i ka prodhuar futbolli i Republikës së Shqipërisë. Po kaq katastrofale është përqindja e përbërjes së Shqipërisë së 17-vjeçarëve dhe të 21-vjeçarëve. Kjo është dhe kriza e madhe. A vërtet Shqipëria nuk prodhon më futbollistë të mirë? Kjo është dhe kryepyetja enigmë, që për hir të së vërtetës, nuk është aspak enigmatike, teksa provon krizën e thellë të futbollit shqiptar.

Lind pyetja: përse e zhvillojmë futbollin ne në Shqipëri? Thjesht për të marrë pjesë? Për të mbushur shkresa e protokolle? Apo për të bërë emisione të pafund televizive me “e lagu dhe nuk e lagu”, me plot buzëqeshje e afirmime të pavërtetuara, me moskritikë e përulje ndaj drejtimit të FSHF, që tashmâ po bëhet legjendare? Me pozime qeveritarësh në tribuna kur luan Italia me klubet e së cilës ata qenkan tifozë?

rama duka

Me publikun shkodran, dikur ndër më të zjarrtët në Shqipëri, që e ndjek ndeshjen me Italinë si të ishte në një koncert simfonik? Por kjo retorikë mund të vazhdojë tejet gjatë. Nuk e besoj se Shqipëria nuk prodhon më futbollistë të mirë, edhe pse drejtimi ynë, i mbështetur fort prej një media të nënshtruar deri aty saqë Shqipëria nuk e ka njohur kurrnjiherë më parë, me sa duket mendon kështu.

Shqipëria nuk do të prodhojë futbollistë të mirë. Ose padashur ka hequr dorë prej një synimi të tillë. Shqipëria do të rrëmbejë futbollistë të mirë të shteteve të tjera, edhe pse ata janë shqiptarë, natyrisht. Atëherë çka duhet të bëjmë?

Asgjë tjetër përveç revolucionin kundër krizës, i cili, nga përvoja e gjithë botës, na tregon se mund të bëhet, ose të paktën mund të fillojë pak a shumë kështu:

1. Urgjentisht të themelohet Liga Kombëtare e Futbollit që veç Shqipëria nuk e ka dhe skuadrat shqiptare të dalin një herë mirë prej tutelës së Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila, përveçse si të thuash, të jetë ideologjia apo “International Boardi” i futbollit shqiptar, të merret pra kryesisht me ekipet kombëtare duke bashkëpunuar fort me Ligën Kombëtare.

2. Ndërtim i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, duke realizuar sa më parë, mundësisht brenda një stine, rikthimin e futbollit të qyteteve të tillë – qendra të hershme të futbollit kombëtar – si SK Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati, Fieri, Lezha, Kuçova pa shkuar te Dinamo pjesë e kryeqytetit – të cilët e dini fort mirë se ku kanë rënë sot.

3. Formimi i ekipit Kombëtar, kryesisht me lojtarë të Kampionatit të Shqipërisë, ndërkohë që lojtarë të tjerë shqiptarë, të lindur e formuar në shtete të tjera, të jenë të mirëseardhur, por gjithnjë brenda logjikës së talentit të tyre krejt të veçantë.

4. Ekipet Kombëtare të Shqipërisë të 17, 19, 21- vjeçarëve me rregullore të përbëhen deri në 90 a 80 për qind prej lojtarëve të Kampionateve Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

5. Përtëritje e Kampionateve të të rinjve apo të moshave të reja në krejt organizimin e tyre: në fusha, në kushtet, në mjekësinë e futbollit, në kriteret e përzgjedhjes të më të talentuarve në gjeografinë dhe skemat e organizimit të kë- tyre kampionateve, në trajnerët, në synimet.

6. Gjetja e mënyrave për të tërhequr spektatorin shqiptar në stadiumet tona kombëtare (të vendit) për ndeshjet e Kampionateve Kombëtare.

Rama, Sejdini dhe Duka shkelin ne stadiumin e ri te Elbasanit

7. Formimi i shkollave të përhershme (ndoshta verore) për formimin e trajnerëve shqiptarë.

8. Krijimin e një shoqate (ndoshta si “Shoqata për shpëtimin e sportit kombëtar” e Dr.Samimit në vitet ’30) për luftën kundër krizës së futbollit shqiptar me pjesëmarrjen e trajnerëve dhe futbollistëve të viteve të një përvoje të hershme, të cilët, si në asnjë vend të botës, në Shqipëri janë jashtë vëmendjes, të harruar, të flakur, të moskujtuar, ndonëse dinë jo pak.

9. Transmetimet televizive të ndeshjeve të Kampionateve Kombëtare të rishikohen që nga e drejta televizive konkurruese, por sidomos deri te skema e transmetimeve në mënyrë që të bëhen “më të rëndë- sishme” për një popull të një ndjenje kombëtare, sesa transmetimet e ndeshjeve të kampionateve të huaja, që gjithnjë e më fort po e denatyrojnë këtë ndjenjë kombëtare të një kulture po kombëtare.

10. Ndryshimin kryekëput të përzgjedhjes të radio e telekronistëve të futbollit, të komentatorëve ku të sundojë jo miqësia, por aftë- sia. Dhe, mbi të gjitha, konkursi, jo spontaniteti i ushtrimit të këtij profesioni tejet ndikues për nxitjen e një mendimi të drejtë për zhvillimin e futbollit në një vend.

Sa janë të drejta të gjitha këto? Nuk e di. Në fund të fundit, ky është një lloj dekalogu i sendërtuar prej një gazetari të vjetër dhe kaq. Mendjet e tjera le të marrin atë që u vlen, ose ta hedhin poshtë me argumente e të ndërtojnë dekalogun e tyre.

E rëndësishme është se kriza e futbollit shqiptar është aty. Ajo nuk nis tek ekipet Kombëtare. Ajo mbërrin tek ekipet e Kombëtareve. Ajo është duke mbërritur tek ekipet Kombëtare prej poshtë: prej zyrave “kompetente”, prej fushave të blerta që nuk po vlekan për talente, që heshtin, prej medias euforike apo shërbestare për krerët, prej spektatorit që e sheh ndeshjen si të ndiqte një simfoni, prej qeveritarëve që qenkan tifozë me klubet e Italisë apo që vendosin rekordin europian si ky i së hënës që shkoi ku tre udhëheqës shtetesh a qeverish lënë punët e marrin rrugën për të shkuar në stadium. Ndoshta edhe për të bërë vetëpropagandë, që nuk merret vesh se si futbolli ua blaton.

Dhe po e mbyll me një shembull: Gjermania ka 366 qendra federale të futbollit, ku secila është e detyruar të ketë 30 klube joprofesioniste. Ka 600.000 të përzgjedhur paraprakisht, prej të cilëve caktohen 14.000 më të talentuarit. Ka 1000 trajnerë – mësues të futbollit. Ka 29 qendra federale rajonale ku fëmijët 14-15-vjeçarë më të talentuar – të cilët detyrimisht shkojnë mirë me mësime në shkollë – veçohen për të marrë pjesë në veprimtaritë të quajtura formuese të futbollit.

Ka 35 shkolla elitare në gjithë Gjermaninë me stërvitje të posaçme që nxisin kampionatet kombëtare të të rinjve për turne kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo është Gjermania e madhe, shembulli i së cilës për Shqipërinë e vogël vlen vetëm sa për t’u përpjekur ajo për t’u bërë thjesht një miniaturë e këtij modeli.

Natyrisht për aq sa i shkon për shtat një vendi me 3.5 milionë banorë, po që e do shumë futbollin e përmes të cilit në vite ka treguar jo pak. Nuk di nëse gazetarët italianë, që i përkasin një brezi të ri, e mësuan se Loro Boriçi – emrin e të cilit e mban stadiumi i Shkodrës që priti për herë të parë Italinë mike në Shqipëri – ka qenë lojtar i Lazio të Romës.

Nuk e pat lindur e rritur Lazio e Romës, por Vllaznia e Shkodrës. Sepse kjo tokë e vogël shqiptare gjithnjë prodhon talente të futbollit. Ndërkaq, këto ditë, një lojtar 18- vjeçar i Shqipërisë NEN19, Kleandro Lleshi, ka nënshkruar një kontratë zyrtare me klubin Leganes të Kampionatit të Spanjës (La Liga). Nuk e ka lindur futbollistikisht Spanja, por skuadra Internacional e Tiranës së Shqipërisë. No comment!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"