Ambasada greke mban “peng” afrikanët për vizat, Duro: Duhet gjetur zgjidhje, na prishën punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 12:06

Ambasada greke mban “peng” afrikanët për vizat, Duro: Duhet gjetur zgjidhje, na prishën punë

Vizat krijojnë sërish ankth te Flamurtari. Dy afrikanët Sekou Kamara dhe Lansinet Sidibe duhet të udhëtonin në drejtim të Greqisë dje për t’iu bashkuar ekipit në fazën përgatitore, por kjo nuk ka ndodhur. Ambasada greke mban “peng” lojtarët. Edhe pse ishin njoftuar se e marta do të ishte dita kur lojtarët do të pajiseshin me viza, afrikanët nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

flamurtari

Kjo vonesë duket shumë e çuditshme, pasi as drejtuesit e Flamurtarit nuk e dinë se përse po krijohet kjo situatë artificiale, në një kohë që lojtarët kanë paraqitur në ambasadë çdo dokument që u është kërkuar. Për gazetën, drejtues të klubit vlonjat janë shprehur të shqetësuar në lidhje me vonesën e vizave dhe gjithashtu e kanë cilësuar këtë situatë absurde.

Deri dje pasdite, drejtuesit e klubit kanë qenë në pritje të telefonatës nga ambasada greke, por ajo nuk ka mbërritur. Në këto kushte, Sekou Kamara dhe Lansinet Sidibe, të shoqëruar edhe nga Aboubacar Ibrahima Toungara i janë bashkuar ekipit të të rinjve ku edhe janë stërvitur me ta.

PRECEDENTI

Drejtuesit e Flamurtarit kanë “frikë” se Sekou Kamara dhe Lansinet Sidibe mund të kenë fatin e Aboubacar Ibrahima Toungara. Lojtari nga Mali, që ka mbërritur tashmë në Vlorë, nuk do të udhëtojë fare në drejtim të Greqisë. Ambasada greke i ka nxjerrë një “kleçkë”.

Ata nuk i dhanë dot vizë, për shkak të mungesës së rezidencës. Toungara po stërvitet tashmë me ekipin e të rinjve të Flamurtarit dhe individualisht derisa të kthehet grupi nga Greqia. Dhe nëse situata përsëritet me dy ish-lojtarët e Besëlidhjes, atëherë edhe ata do vazhdojnë të stërviten me të rinjtë.

DURO

I shqetësuar për mosmbërritjen në Greqi të dy afrikanëve Sekou Kamara dhe Lansinet Sidibe është edhe trajneri Shpëtim Duro. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Duro tha se vonesat e ambasadës greke i kanë prishur shumë punë, ndërsa shpreson se kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

“Kamara dhe Sidibe nuk kanë marrë akoma vizën. Shpresojmë që kjo situatë të marrë zgjidhje këto ditë. Por, të jem i sinqertë, na kanë prishur shumë punë që janë larg skuadrës. Nuk e di pse po na i vonon vizat ambasada greke, por duhet zgjidhur shpejt. Unë u kam dhënë lojtarëve program individual për t’u stërvitur dhe ua nis çdo ditë, por kjo është e pamjaftueshme, është ndryshe kur ata janë me skuadrën”, u shpreh numri një i stolit.

Për gazetën, trajneri Shpëtim Duro flet edhe për ditët e para të fazës përgatitore në Veria të Greqisë. Sipas trajnerit, ditët e para po shkojnë shumë mirë dhe po punohet me intensitet të lartë. “Ditët e para të fazës përgatitore në Greqi po ecin shumë mirë. Kushtet janë shumë të mira dhe ekipi po përgatitet me ngarkesë të plotë. Është duke u punuar me intensitet të lartë dhe çdo lojtar po jep maksimumin”, përfundoi Duro.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"