Allkanjari: U stërvita me lekët e mia, Lushnja nuk më federoi se s’kisha mbështetje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2018 | 11:22

Allkanjari: U stërvita me lekët e mia, Lushnja nuk më federoi se s’kisha mbështetje

Lushnja ka mbyllur listën e federimeve prej 25-futbollistësh, që është limiti i përcaktuar nga FSHF-ja. Në ndryshim nga lista e fillimkampionatit, klubi bëri tri të tilla.

lushnjaa

U larguan Hermes Shkullaku, Aldo Vodo dhe Aldo Malaj, ndërsa hyrjet e reja do të ishin Griseld Dervishi, Leonardo Përgjini dhe Aiden Çelaj.

Këto ndryshime lanë jashtë Lushnjës, Arbër Allkanjarin, i cili për gazetën “Panorama Sport”, deklaroi se nuk kishte mbështetjen e duhur për t’u rikthyer te Lushnja.

allkanjari

Arbër, edhe pse keni firmosur me Lushnjën, është e vërtetë që nuk u federuat?

Po, unë firmosa një kontratë me klubin e Lushnjës deri në fund të këtij sezoni të Kategorisë Superiore. Për më tepër, më kanë kërkuar nja dy vërtetime sepse nuk ishte dhe shumë e qartë sesi do të paguhesha. Këto vërtetime do t’i kërkoj dhe do t’i kthej mbrapsht.

Ishit nën kontratë me Naftëtarin, ndërkohë që ju bashkuat Lushnjës…

Unë isha lojtar i Naftëtarit. Trajneri Dedja më kërkoi te Lushnja dhe unë i jam bashkuar skuadrës në “Tropikal”. Jam sistemuar dhe kam qëndruar me shpenzimet e mia në grumbullim, në Durrës. Jam aktivizuar dhe në takimet miqësore me Dinamon dhe Erzenin. Kam marrë lejekalimin nga Naftëtari dhe isha në rrugën e duhur për të qenë pjesë e ekipit të Lushnjës. Për këtë firmosa dhe një kontratë.

Ishit një nga alternativat e mbrojtjes për ta fuqizuar këtë repart, apo jo?

Këtu nuk ka asgjë të keqe dhe nuk është aspak çudi. Më kërkoi trajneri Dedja, më aktivizoi në mbrojtje gjatë miqësoreve. Unë kam luajtur edhe herë të tjera si mbrojtës te Lushnja. Është e drejta e tij dhe detyra ime që të luaj ku të më thotë trajneri. Çfarë ka këtu?! Lushnja ka disa lojtarë të dëmtuar në mbrojtje dhe unë u mundova t’i tregoj trajnerit se e bëj këtë rol.

Por, çfarë ndodhi që mbetët jashtë ekipit?

Unë mësova se nuk isha federuar, në një komunikim me trajnerin Dedja, i cili më tha se i vinte keq për mua. Unë te Lushnja kam luajtur me ndershmëri dhe me pastërti, që kur kam prekur topin e parë dhe jam munduar që t’i respektoj të gjithë. Por, unë mbeta jashtë se nuk kisha përkrahjen e duhur. Nuk kisha mbështetjen e mjaftueshme dhe në këto raste e pëson gjithmonë më i dobëti. Më thirrën dhe më shkëputën nga Kuçova. Më dhanë të firmosja kontratë, më kërkuan dhe vërtetime dhe në orët e fundit mbeta jashtë.

Tani që nuk jeni federuar me Lushnjën, çfarë do të ndodhë me të ardhmen tuaj?

Nuk e di. Jam shumë i prekur. Falënderoj tifozët e Lushnjës që më kanë telefonuar, më kanë mbështetur në rrjetet sociale dhe më kanë qëndruar pranë në këto momente të vështira për mua.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"