Alegrin e kënaqin pikët: Ndonjëherë përgjumemi, Ronaldo na bën punë edhe në mbrojtje. Ja pse s’luajti Dibala

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 16:28

Alegrin e kënaqin pikët: Ndonjëherë përgjumemi, Ronaldo na bën punë edhe në mbrojtje. Ja pse s’luajti Dibala

Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, shkartisi në mënyrë të papritur “kartat” në ndeshjen e dytë të kampionatit, kundër Lacios, duke lënë në stol Paulo Dibalën dhe duke ofruar një mesfushë me tre lojtarë. Por edhe këtë herë, zgjedhjet i dhanë atij të drejtë, pasi “Zonja e Vjetër” fitoi me rezultatin 2-0, ndonëse edhe në këtë përballje, Kristiano Ronaldo nuk arriti që të shënojë, ndonëse në një rast ishte mrekullia e Thomas Strakoshës që e ndali, ndërsa në një rast edhe më flagrant ishte fati dhe thembra e tij, që nuk e lejoi dërgimin e topit në rrjetë. Por pavarësisht kësaj, edhe një herë tjetër, Alegri ka mbetur i kënaqur nga loja e portugezit.

alegri

“Kristiano është me ne prej vetëm 15 ditësh, por sërish tregoi se është një djalë shumë inteligjent, madje duke punuar bindshëm edhe në fazën mbrojtëse dhe duke rikuperuar topa deri në gjysmëfushën tonë. Pas vetëm dy ndeshjesh ka arritur të kuptojë se Seria A është një kampionat shumë ndryshe nga gjithë të tjerët ku ka luajtur, por akoma më shumë se kaq ka ditur që të kuptojë mjaft mirë se çfarë përfaqëson edhe ADN-ja e Juventusit. Jam tepër i kënaqur me atë çfarë ka bërë në fushë dhe përulësia që tregon, duke treguar se nuk është vetëm ai goleadori i madh është ajo që e bën atë një kampion fantastik.

Pse Dibala jashtë? Ronaldo, Dibala, Duglas Kosta… Që të gjithë janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por nëse rri apo jo jashtë Dibala nuk ka rëndësi, sepse më duhet mua që të bëj zgjedhjet. Kundër Lacios dihej që do të ishte një ndeshje e mbyllur dhe për këtë arsye kërkuam një tjetër lloj mënyre lojë me lojtarë specifike, por në fund fituam edhe kjo ka rëndësi. Më vjen keq që sërish pas disa momenteve shumë të mira u përgjumëm sërish, por kjo vjen edhe si rrjedhojë e faktit se duhet të kolaudojmë ende disa gjëra në grup.

Çdo vit bëhet edhe më e vështirë për ne, prandaj nëse duam që të arrijmë te objektivat tanë, duhet të tregohemi të duruar. Ndaj Lacios duhej të tregoheshim më të duruar, sepse nuk është e lehtë të luash mes reparteve të kundërshtarit pa Dibalën, por lojtarët e mi interpretuan gjithçka mirë, duke mos i lejuar shumë hapësira kundërshtarit. Forma po përmirësohet, kemi fituar një përballje me një kundërshtar direkt për titullin”, përfundoi trajneri i Juventusit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"