Alegri (ri)prezantohet me batuta: Bonuçi ta blejë shiritin nëse e do. Ronaldo e Dibala janë snajperë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2021 | 18:39

Alegri (ri)prezantohet me batuta: Bonuçi ta blejë shiritin nëse e do. Ronaldo e Dibala janë snajperë

Masimiliano Alegri është kthyer në humor te Juventusi, i ndërgjegjshëm se tani do të ketë më shumë liri. Dy vite më parë ai u largua nga drejtuesit pikërisht se kërkonte vendimmarrje, ndërsa tani kthehet si “shpëtimtar”, për të kthyer bardhezinjtë përsëri në majën e klasifikimit e për t’i bërë protagonistë në Europë.

alegri

“Do nisem me atë që më kanë lënë, nga një skuadër që ka fituar titullin me Sarrin dhe dy trofe me Pirlon. Ronaldo? Është një lojtar i jashtëzakonshëm, një djalë inteligjent. I kam thënë që ky është një vit i rëndësishëm dhe jam i lumtur që e rigjej në skuadër, por edhe se ka një përgjegjësi më shumë duke parë moshën e tij. Ka shënuar 130 gola me Juventusin, numrat flasin vetë. Por nga ai pres më shumë sa i përket eksperiencës. Do të menaxhojmë çdo lojtar dhe kjo e përfshin edhe atë.

Do të jetë një vit i rëndësishëm edhe për Paulo, është një lojtar që shënon gola, një vlerë e shtuar dhe e kam parë në formë. Nga numri i ndeshjeve të luajtura do të jetë kapiteni pas Kielinit. Bonuçi? U largua, ndaj nëse e dëshiron shiritin e kapitenit, duhet ta blejë. Kur u kthye, u bë i fundit në hierarki. Tani po ngjet përsëri pozicionet dhe Leo e di këtë.

Të rinjtë? Rabio ka cilësi të rëndësishme, si mesfushor duhet të bëjë më shumë se 3 golat e vitit të kaluar. MekKeni është një lojtar që shihet që e ka instinktin e golit, është i ftohtë para portës dhe i aftë në lojën në ajër. Kam fatin që kam shumë lojtarë që kanë golin në këmbët e tyre, duhet të gjejmë 75 gola në sezon dhe në këtë aspekt skuadra ka potencial.

Ronaldo qendërsulmues? Jam i sigurt se bën gola, pastaj ndryushon pakgjë nëse është në të majtë, apo të djathtë. Ai dhe Dibala janë snajperë, edhe pse ju nuk mund t’i shihni stërvitjet. Ndërsa Rabio duhet të ketë ambicie të shënojë 10 gola në kampionat, edhe MekKeni.

Dy refuzime ndaj Real Madrid? Le të themi që po, sidomos këtë vit. Falënderoj presidentin për mundësinë që më ka dhënë. Kam bërë zgjedhjen e Juventusit pasi më ka dhënë shumë dhe pasi është një skuadër argëtuese për t’u drejtuar, e re dhe që mund të përmirësohet shumë”, tha ndër të tjera trajneri i Juventusit në konferencën e riprezantimit të tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"