Akuza nga Gjirokastra, Boni: Na u mohua penallti në Librazhd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 19:52

Akuza nga Gjirokastra, Boni: Na u mohua penallti në Librazhd

Shefqet Boni u kthye me gol, e megjithatë festa i mbeti përgjysmë. Luftëtari u mund 2- 1 në Librazhd prej Sopotit, duke humbur terren edhe në renditje. Kur janë luajtur 4 javë, kanë mbetur në vendin e 7-të me vetëm 5 pikë (pas një fitoreje, dy barazimeve dhe një humbjeje). Situata nuk është ndër më të mirat, por bluzinjtë nuk dorëzohen. Ata besojnë se reagimi nuk do të vonojë dhe shumë shpejt do të ngjiten në pozita kryesuese.

Luftetari Permeti2

Këtë e thotë edhe sulmuesi, gjatë një deklarate për “Panorama Sport”. “Nuk mjafton vetëm loja në futboll. Jo gjithnjë fiton ai që prodhon më shumë raste, pasi ndonjëherë ndëshkohesh. Këtë gjë e vuajtëm edhe ne në Librazhd. Luajtëm mirë. Ndihem mirë për golin e shënuar pas mungesës së gjatë, megjithatë nuk jam plotësisht i kënaqur. Doja të fitonim dhe rastet i kishim për të mos dalë duarbosh nga kjo transfertë. Pse ndodhi kjo do thoni ju? Sepse kur të penalizojnë edhe gjyqtarët duke të mohuar penallti neto si në rastin e Lirezës, çfarë duhet të bënim ne…

Na mbeti vetëm të bënim lojën tonë, e cila u duartrokit nga tifozëria vendëse. Na mbetet për detyrë që të gjejmë kthesën me Memaliaj. Luajmë në shtëpi, ndaj duhet të fitojmë patjetër. Rrugë tjetër nuk ka”, përfundoi Boni.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"