“Afrimet” e Flamurtarit në stërvitje, por mungojnë tre lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 14:46

“Afrimet” e Flamurtarit në stërvitje, por mungojnë tre lojtarë

Flamurtari po stërvitet intensivisht për ta përballuar këtë javë që do të jetë e ngjeshur. Dy takime “ferri”, një në Shkodër me Vllazninë për Kupën e Shqipërisë të mërkurën dhe të dielën në Vlorë me Kukësin për kampionat. 

Flamurtari-Teuta

Në stërvitjen e djeshme trajneri Marselo Troisi ka përgatitur me grupin edhe afrimet e reja Bruno Lipi, Flosard Malçi, dhe brazilianët Uelder Kosta, Indio Oliveira dhe Lukas Ramos, pavarësisht se ende nuk ka asnjë lajm për federimin e tyre, pasi FIFA vijon ta mbajë të bllokuar merkaton.

Në fakt, në klub janë të shqetësuar për këtë situatë. Drejtori Ardi Ciruna është parë dje në fushën sportive në Pyllin e Sodës ku është zhvilluar stërvitja, që të diskutonte me trajnerin Marselo Troisi dhe përgatitësin e portierëve, Luan Birçe, ku me shumë mundësi situata e krijuar nga bllokimi i merkatos ka qenë edhe në qendër të diskutimeve. Seanca e djeshme stërvitore nisi me përgatitjet fizike.

Ribaj Flamurtari

Lojtarët kanë punuar me vrapime si dhe me pasime të topit me dorë, por edhe me ushtrime të ndryshme. Në seancën e djeshme mungonin sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe Andi Ribaj si dhe mbrojtësi Jorgos Sarris. Sukaj dhe Sarris vijojnë të jenë të dëmtuar, ndërsa Ribaj kishte marrë leje nga klubi për arsye familjare.

E. Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"