Abuzimet raciste, reagon Rashford: Ndjesë për penalltinë, por jo për atë që jam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2021 | 15:05

Abuzimet raciste, reagon Rashford: Ndjesë për penalltinë, por jo për atë që jam

“Mund t’i pranoj të gjitha kritikat për paraqitjen time. Penalltia nuk u godit mirë, duhet të kishte hyrë brenda, por nuk do të kërkoj kurrë falje për atë që jam dhe nga vij”. Është vetëm një fragment i shfryrjes së gjatë të Markus Rashfordit, sulmuesit të kombëtares angleze dhe Mançester Junajtidit, i cili shkroi një letër në rrjetet sociale.

RASHFORD ANGLIA 1

Sulmuesi është një nga tre lojtarët e kombëtares angleze që gaboi përballë Donarumës në finalen e Europianit kundër Italisë dhe më pas u bë viktimë e sulmeve raciste, ashtu si edhe shokët e skuadrës Xhejdën Sanço dhe Bukajo Saka, të cilët gjithashtu u treguan të pasaktë në penalltinë e tyre. Rashford, djaloshi 23- vjeçar me ngjyrë nga Mançesteri, përshkroi gjendjen e tij shpirtërore pas momentit më të vështirë të karrierës:

“Një penallti ishte kontributi i vetëm që skuadra më kërkoi të jepja. Mund të shënoj edhe në gjumë, kështu që përse jo këtë. Nuk arrij të ndaloj së menduari që kur godita topin dhe ndoshta nuk ka fjalë për të përshkruar mënyrën se si ndihem. Gjithçka mund të them është se më vjen keq. Do të doja që të kishte shkuar ndryshe. Unë pata një sezon të vështirë dhe ndoshta hyra në atë finale me një mungesë besimi”. Në Mançester, një murale me fytyrën e sulmuesit u mbulua me mesazhe raciste.

Rashford publikoi edhe një foto të afreskut bardhezi, ku mesazhet u mbuluan me flamuj anglezë dhe mesazhe shumëngjyrëshe, shpesh në formën e zemrës, të cilat solidarizoheshin me sulmuesin e Mançesterit. Gjatë pandemisë, Rashford u vlerësua për kontributin e tij në luftën kundër varfërisë. “Unë jam Markus Rashford, një 23-vjeçar me ngjyrë nga Uithington, në jug të Mançesterit.

Nëse nuk kam gjë tjetër, kam pikërisht këtë. Faleminderit për të gjitha mesazhet e përzemërta. Do të rikthehem më i fortë. Do të rikthehemi më të fortë”, përfundonte letra e futbollistit, ndërsa trajneri Garet Sauthgejt i quajti të pafalshme sulmet ndaj lojtarëve të tij: “Për disa prej lojtarëve që janë abuzuar, është me të vërtetë e pafalshme. Unë e di se disa prej këtyre fyerjeve kanë ardhur nga jashtë dhe njerëzit që merren me këtë punë mund ta shpjegojnë. Kombëtarja i përfaqëson të gjithë dhe ky unitet duhet të vazhdojë. Ne e kemi treguar forcën e vendit tonë kur jemi të bashkuar”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"