EKSKLUZIVE/ Kriza te Skënderbeu, ekipin “e zbojnë” edhe nga restoranti. Ja çfarë ndodhi para ndeshjes me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2019 | 21:18

EKSKLUZIVE/ Kriza te Skënderbeu, ekipin “e zbojnë” edhe nga restoranti. Ja çfarë ndodhi para ndeshjes me Laçin

Skënderbeun “e zbojnë” edhe nga restoranti. Mund të duket e pabesueshme, por klubi më i suksesshëm shqiptar në dekadën e fundit, po has në një situatë të pazakontë prej krizës financiare, të cilën ndoshta askush nuk do që ta besojë në Korçë.

skenderbeu-770x470

Megjithatë, ajo që ka ndodhur para ndeshjes së fundit në kampionat me Laçin është padyshim një tregues i fortë për krizën që ka mbërthyer klubin. Nëse në sezonin e kaluar pati një bojkotim të stërvitjes prej vonesës së pagave të lojtarëve, këtë herë ka ndodhur diçka e paprecedent, pasi ekipi nuk u pranua nga restoranti.

Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se në ambientin ku muajt e fundit skuadra drekonte dhe darkonte, pronari i restorantit nuk ka pranuar të shërbejë më për lojtarët dhe stafin.

skenderbeu

NGJARJA – Dy ditë para ndeshjes me Laçin, futbollistët kanë shkuar si zakonisht në restorantin ku marrin trajtim ushqimor prej kohësh në Korçë. Burime të sigurta i treguan dje gazetës se pronari i restorantit, pasi kishte paralajmëruar disa herë klubin për pagesat, kishte vendosur të mos shërbente më për ekipin. Burime jozyrtare në klub bënë të ditur se shkak për këtë është bërë mosrakordimi mes menysë së kërkuar nga korçarët dhe pagesës që ishte vënë në dispozicion të restorantit për trajtimin ushqimor të ekipit.

Kjo situatë e pa hasur më parë në Korçë, solli në një rëndesë psikologjike të vetë lojtarëve, gjë që u reflektua edhe në takimin e humbur me Laçin. Çdo gjë mund të kishin menduar lojtarët, por jo që restoranti të mos u shërbente, për shkak të mosmarrëveshjeve që kishte me klubin. Në këto kushte, me t’u vënë në dijeni drejtuesit, që prej të enjtes dhe deri në të shtunën kur u zhvillua ndeshja me Laçin, futbollistët dhe stafi u spostuan në një tjetër restorant të qytetit.

skenderbeu

Për të mos dramatizuar situatën dhe mos ndikuar psikologjikisht te lojtarët, mësohet se këtyre të fundit u është thënë nga klubi se duhet të ndërrojnë restorant, vetëm për shkak të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët për çmimet. Alibia ishte se menyja që Skënderbeu kërkonte për lojtarët, tejkalonte ndjeshëm çmimin e një vakti me të cilën palët kishin rënë dakord. Megjithatë, edhe pse askush nuk dëshiron të bëj publike diçka të tillë, shkaku kryesor i mosshërbimit nga ana e stafit të restorantit ka qenë diçka tjetër.

Vonesa në likuidimin e faturave ushqimore që ka konsumuar klubi i Skënderbeut, ka bërë që restoranti të “mbyllë” dyert. Sidoqoftë, ky është një rast i paprecedent për Skënderbeun, që deri një vit më parë paguante shifra marramendëse për pagat e lojtarëve, akomodimin dhe trajtimin e tyre. Klubi që vendos standarde në futbollin shqiptar, tashmë duhet të përballet edhe me këtë situatë. Dënimi nga UEFA ka bërë që kriza financiare të ndihet së tepërmi në klubin korçar.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"