EKSKLUZIVE/ Donatori Nuri: Dinamo nuk tjetërsohet, mbetet blu. Ju tregoj të vërtetën për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2019 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Donatori Nuri: Dinamo nuk tjetërsohet, mbetet blu. Ju tregoj të vërtetën për Skënderbeun

Skenarë të ndryshëm kanë nisur të artiku lohen në qarqet futbollistike në vend. Gjithçka merr shkas nga zërat e dalë nga korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku diskutohen variantet e mundshme që mund të ndërtojnë një kampionat të çuditshëm në sezonin e ri.

Dinamo

Të çuditshëm, referuar faktit se bëhet fjalë për dy ekipe të elitës që nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret e licencimit, e për pasojë do të rrëzohen dhe dy të tjera nga Kategoria e Parë të katapultohen në elitë. E duke marrë shkas edhe nga shqetësimet e ngritura nga një legjendë e gjallë e klubit blu të kryeqytetasit, Faruk Sejdini, në lidhje me të ardhmen e Dinamos, e cila përflitet edhe se mund të zhvendoset drejt Korçës, ka reaguar një prej pjesëtarëve të familjes Nuri, Avniu, i cili është vëllai i Lutfi Nurit, zëvendëspresidentit të FSHF-së.

Familja Nuri kontribuoi në klubin kryeqytetas gjatë sezonit të fundit dhe me gjasë do të jetë në ndihmë të dy djemve Marlind dhe Rei Nuri edhe në edicionin e ri. Teksa është përfolur shumë për një spostim të bluve drejt qytetit të Korçës, një prej donatorëve, pjesëtar i kësaj familjeje, Avni Nuri, zbardh të gjithë planin e mundshëm ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

avni nuriuu

Foto: F.HAZIZLLARI

Zoti Avni Nuri, familja juaj ka kontribuuar për Dinamon në sezonin e fundit. Çfarë do të ndodhë në edicionin 2019-2020?

Familja jonë, gjatë gjithë jetës, ka qenë dhe mbetet bardheblu. Sezonin që përfundoi ishte dëshirë e dy djemve tanë për të luajtur dhe vijuar karrierën e tyre në futboll, por nuk gjetën hapësira te Tirana. Në këto kushte, Dinamo ishte klubi në të cilin dy djemtë gjetën mikpritjen dhe realisht janë ndierë mirë te ky klub. Familja po ndihmon dy djemtë, siç bën secili me fëmijët e vet që mundohet t’u plotësojë kërkesat dhe t’u qëndrojë pranë në çdo moment. Ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në ndihmë të fëmijëve tonë derisa ata të kenë mundësinë për të ndjekur dëshirat dhe talentin e tyre.

Është vendosur që djemtë të jenë futbollistë të Dinamos edhe për një sezon?

Akoma jo zyrtarisht, por ju përgjigja për sa më pyetët dhe ju shpjegova gjasat më të mëdha sesi mund të ndodhin gjërat. Realisht, ata kanë pasur disa interesime, madje disa prej tyre i kam lexuar edhe në median sportive tuajën, por ende nuk ka diçka finale. Të presim dhe të shohim në ditët në vijim, por te Dinamo kanë gjetur ambient mikpritës.

Dinamo lakohet si skuadra që mund të ngjitet në Superiore. Është gati për elitën?

Së pari, nuk e di realisht çfarë do të ndodhë, pasi është diçka që nuk na takon neve për ta vendosur, apo as Dinamos si klub. Mund të them se Dinamo do të ishte e gatshme për të plotësuar kriteret e nevojshme që të marrë pjesë në kampionatin e radhës në Kategorinë Superiore. Gjithsesi, Dinamo nuk kërkon të përfshihet në asnjë aludim dhe asnjë fatkeqësi të të tjerëve.

Pse e thoni këtë?

Sepse realisht, së fundmi, në media apo edhe në qarqet sportive është folur për disa variante apo edhe gjëra që nuk i shkojnë për shtat një klubi me historinë e Dinamos. Ky klub do të presë nëse do të ketë një vendim për ngjitjen në Superiore, pastaj do t’i përgjigjet historisë që ka dhe që të jetë pranë tifozërisë së saj.

Doni të thoni që Dinamo do të mbetet në kryeqytet?

Patjetër! Është skuadër e kryeqytetit dhe do të mundësohet që tifozët e vet të mos ta ndjekin vetëm nga televizioni. Në Tiranë ka disa stadiume të licencuara, njëri prej të cilëve është edhe i Kamzës. Apo në vijim po shohim të ndërtohet një tjetër impiant, stadiumi i ri kombëtar dhe duke qenë i hapur për skuadrat e kryeqytetit, do të negociojmë që të luajmë edhe aty. Në rastin më të keq, do të kërkonim të luanim në Elbasan, si qyteti më i afërt për tifozët tanë.

Është përfolur mundësia që të jetë ekipi, i cili do të zhvendoset edhe në Korçë…

Nuk dua të përfshihem në diçka që mund të jetë fatkeqësi për atë qytet dhe ekipin e tij. Por, nuk mund të pranojmë të tilla aludime apo tjetërsime të këtij klubi. Megjithatë, e thashë edhe më sipër që Dinamo ka historinë e vet. Është një klub që ka fituar tituj, që ka rritur breza futbollistësh dhe ka bërë histori në futbollin shqiptar. Dinamo, ashtu si çdo ekip, është i lirë që të afrojë çfarëdolloj lojtarësh. Ashtu siç edhe një lojtar është i lirë që të zgjedhë cilindo klub që kërkon për të luajtur në vijim, apo të ndërrojë sa herë të ketë dëshirë fanellën. Ama, kurrsesi një klub nuk mund të ndërrojë ngjyrat. Dinamo ka blunë, jo të tjera ngjyra.

Lidhur me këtë, shqetësimin e ka ngritur edhe një prej legjendave të Dinamos, Faruk Sejdini, i cili përmend se “po ndodhin edhe kinezërira me Dinamon”…

Profesori ka të drejtë, pasi i dhemb shpirti për Dinamon. Ashtu siç edhe shumë të tjerëve që kanë kontribuuar në atë ekip, apo edhe në skuadra të tjera. Megjithatë, mendoj se nuk ka vend për të tilla shqetësime dhe të tilla gjëra te Dinamo, pra, nuk besoj se do të ketë “kinezërira në atë klub”. Për paralelizëm, po ju them. A mundet që Tirana të luajë me të kuqe? Unë personalisht mendoj që kurrë nuk mundet. Ndaj edhe Dinamo do të ketë ngjyrat e veta, jo të kuqe apo të tjera.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"