Duro ka gati kurthin për Tiranën, Kukësi konfirmon minifazën në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 21:15

Duro ka gati kurthin për Tiranën, Kukësi konfirmon minifazën në…

Trajneri Shpëtim Duro e ka lënë vetëm një ditë pushim ekipin pas fitores ndaj Bylisit. Që të hënën skuadra veriore u rikthye në fushë, pikërisht në kompleksin “Football Republic” për të zhvilluar seancën e parë stërvitore për këtë javë. 

kukesi

Stafi teknik ka përgëzuar lojtarët për trepikëshin e marrë ndaj Bylisit. Cinizmi i Kukësit duket se u pëlqen drejtuesve, pasi është koha që ekipi të marrë pikët maksimale, pa shumë bujë. Deri në fund të fazës së dytë, nënkampionët kanë si mision të ngjiten në renditje, duke qenë pse jo në krye të tabelës.

Ashtu si edhe ndaj Bylisit, Kukësi nuk do të ketë asnjë mungesë ndaj Tiranës. Ky fakt e kënaq stafin teknik, pasi duke pasur gjithë organikën në dispozicion, aq më tepër në formë të mirë, të gjithë janë të ndërgjegjshëm që Kukësi bëhet i papërballueshëm. Pas fitores me Bylisin, në skuadër është rikthyer buzëqeshja dhe harmonia.

kukesii

Lojtarët janë paraqitur dje si zakonisht te restoranti i klubit, ku kanë ngrenë drekën së bashku, e më pas janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre. Batutat nuk kanë munguar, gjë që tregon qartë se në ekip mbizotëron një klimë e mirë dhe tashmë kërkohet vazhdimësia në rezultate. Ndeshja me Tiranën, e parashikuar të luhej këtë premte, tashmë do të shtyhet për shkak të tragjedisë që po përjeton vendi pas tërmetit të fuqishëm që ra duke u gdhirë e marta.

Megjithatë, Duro e ka të qartë planin anti-Tirana. Trajneri ka një raport fantastik sa u përket rezultateve në ndeshjet ndaj bardhebluve. Është fakt se ai nuk ka humbur kurrë një derbi me Tiranën kur ka drejtuar Partizanin ndër vite. Gjithashtu edhe në fazën e parë, Duro ia doli që me Kukësin të mposhte bardheblutë. Kreu i pankinës e ka gati “kurthin” për një tjetër rezultat që do të konfirmonte skuadrën verilindore pretentente për titullin.

MINIFAZA – Kukësi do të qëndrojë për 15 ditë në Antalia të Turqisë. “Panorama Sport” konfirmon nga burime në klub se është prenotuar që tani kompleksi në Turqi për të zhvilluar minifazën përgatitore në muajin janar. Kukësi do të jetë në Antalia nga data 4 janar deri më 19 janar, nga ku do të zhvillojë edhe katër ndeshje miqësore. Viti 2020 nis me Kupën e Shqipërisë, pikërisht turin e dytë. Verilindorët luajnë ndaj Lushnjës ndeshjen e parë, pikërisht më 22 janar.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"