E bllokuar në Kenia, flet Luiza Gega: Nuk i përballojmë dot kostot shtesë, anulimi i Kampionatit Europian i nxituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 14:01

E bllokuar në Kenia, flet Luiza Gega: Nuk i përballojmë dot kostot shtesë, anulimi i Kampionatit Europian i nxituar

Gjatë muajit mars, Luiza Gega udhë toi drejt Kenias për të zhvilluar fazën përgatitore për një nga sezonet me të rëndësishme të karrierës, siç parashikohej të ishte viti 2020. Mirëpo, situata me virusin “COVID-19” u përshkallëzua, duke shkaktuar një kaos të vërtetë edhe në sistemin sportiv botëror. Kështu, eventet më të rëndësishme të atletikës, si Europiani apo Olimpiada, u shtynë dhe u anuluan, duke sjellë një zhgënjim të madh te kampionia e atletikës shqiptare, e cila vetëm disa muaj më parë shkroi një tjetër faqe të rëndësishme të historisë së atletikës shqiptare, teksa u bë e para sportiste që kalon në finalet e një Kampionati Botëror, për t’u renditur më pas në vend të nëntë në garën e 3000 metrave me pengesa. Teksa ka mbetur e bllokuar në Afrikë, Luiza Gega rrëfen për “Panorama Sport” ditët e saj në Kenia. Luiza flet për stërvitjet, vështirësitë, ndërsa edhe një herë deklaron se vendimi për të anuluar Europianin ishte i nxituar.luiza-gega-840x440

Luiza, si po e kaloni këtë periudhë dhe si do t’i përshkruani ditët në Kenia?

Stërvitja po vazhdon me ritëm shumë të lartë dhe po arrij të bëj volume dhe intensitete që s’kam arritur t’i bëj më parë. Kjo më jep shpresë se me rihapjen e aktiviteteve ndërkombëtare do të kem një rezultat dhe me të lartë se ai që kam pasur më parë. Për fat të mirë, këtu kam pasur mundësi të stërvitem, pasi nuk ka bllokim në lëvizje gjatë orareve kryesore, ku unë bëj stërvitjen e paradites dhe atë të mbasdites. Kufizimet konsistojnë në mos qarkullim nga ora 19:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Probleme kam hasur tek infrastruktura e stërvitjes, pasi stadiumet (pistat e atletikes) si dhe palestrat janë të mbyllura, kështu që më penalizojnë në stërvitjen e specializuar të disiplinës ku unë marr pjesë.

Si paraqitet situata aty ku ndodheni?

Në Iten, Kenia, situata në lidhje me infektimet është shumë e mirë, pasi nuk ka asnjë të infektuar. Por edhe zona përreth s’ka asnjë rast pozitiv deri në një distancë prej 200 km larg nesh. Këtu kontrollet dhe kujdesi janë për t’u admiruar nga autoritetet shtetërore keniane.

Kur prisni të riktheheni? Çfarë ju kanë thënë?

Kthimi ynë ishte programuar në 21 dhe 28 prill. Kemi njoftuar për situatën institucionet përkatëse që në datën 16 prill që duhet të ketë riatdhesim për mua dhe trajnerin, pasi siç po shihej s’kishte fluturime për shkak të pandemisë në botë. Autoritetet e përfshira në proces po merren me këtë problem, por sigurisht që është i ndërlikuar, pasi jemi në Afrikë dhe e kemi të vështire të arrijmë një nga destinacionet që “Air Albania” po operon me riatdhesimet. Por problemin më të madh po e hasim me pjesën financiare, pasi janë shtuar kostot e shpenzimeve për arsye të grumbullimit tonë bashkë me trajnerin. Sipas parashikimit më optimist, kthimi ynë do të jetë rreth fundit të majit dhe deri më atëherë kostot shtohen me 4000 € të tjera, të cilat janë të pamundura t’i mbulojmë personalisht.luiza gega

Si ndiheni tashmë që aktivitetet më të rëndësishme janë shtyrë, ndërkohë që ju po kalonit një formë fantastike?

Në fakt, ndihem e zhgënjyer me anulimin e Kampionatit Europian që do të zhvillohej në Paris në datat 26- 30 gusht. Mendoj që është një vendim i nxituar, pasi ka kohë dhe 4 muaj deri në zhvillimin e aktivitetit dhe mendoj që duhej të pritej e të shihej se si do të evoluonte situata. Për fat të mirë, situata po shkon drejt normalizimit në Europë. I mora me shumë optimizëm të gjitha aktivitetet, pasi kam pasur një sezon dimri vërtet të mirë dhe vazhdoj të kem një formë shumë të mirë. Besoj shumë që në garat ndërkombëtare të radhës të bëj më mirë se më parë. Siç e kam treguar prej 11 vitesh, çdo sezon kam bërë më mirë se një vit më parë. Kjo do të më japë mundësinë që të përmirësohem dhe më shumë, në mënyrë që në Lojërat Olimpike të arrij majat më të larta.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha, tashmë që për muaj me radhë po qëndroni pa gara?

Vështirësitë janë psikologjike në fakt, pasi çdo sportist stërvitet me një objektiv për garën e radhës. Nuk mund të bësh stërvitje për stërvitje, kur s’ke një datë fillimi aktivitetesh, pasi dhe programi duhet të bazohet mbi garën më të afërt, ku duhet të dish se kur është momenti që të jesh në kulm të formës. Por, për fat të mirë, disa ditë më parë Federata Botërore e Atletikës nxori kalendarin e garave “Diamond League” dhe “Continental Tour Gold”, të cilat do të startojnë në mes të muajit gusht dhe përfundojnë në mes të tetorit. Pra, na pret një sezon i gjatë përpara, edhe pse nuk do të kemi garat kryesore këtë vit.

Cili është objektivi më i afërt për Luizën?

Eventet më të rëndësishme këtë vit janë vetëm “Diamond League” dhe “Continental Tur Gold”, ku gara kryesore do të jetë 3000 metra me pengesa në pjesën më të madhe të tyre dhe sigurisht që objektivi është që të përmirësoj rezultatin që kam aktualisht, pasi kjo do të më bëjë të kem një renditje akoma më të mirë botërore.Luiza Gega Kenia

Çfarë ju mungon më shumë në këtë kohë?

Sigurisht që familja. U detyrova të largohesha në një situatë të vështirë, por për një objektiv të madh siç ishin Lojërat Olimpike, ndonëse tani çdo gjë ka ndryshuar, sepse sigurisht që në këtë situatë e mira është që të qëndrojmë pranë familjeve dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin.

Cili është apeli apo mesazhi i Luiza Gegës në këtë situatë?

Të gjithë po kalojmë një situatë që na ka larguar ndoshta nga shumë ëndrra, projekte dhe objektiva, por kjo s’do të thotë që duhet të dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort për to, por sigurisht duke u kujdesur për gjënë më të rëndësishme, shëndetin. Uroj shumë që kjo situatë të mbarojë sa më shpejt dhe të gjithë t’i rikthehemi jetës normale që na mungon kaq shumë.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"