12 vite huq në Gjirokastër, fitoren e fundit Vllaznisë ia jepte… Lici

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 21:12

12 vite huq në Gjirokastër, fitoren e fundit Vllaznisë ia jepte… Lici

Vllaznia është e dënuar që të fitojë në Gjirokastër. Nëse nuk duan që të futet në “vorbullën” e mbijetesës, zgjidhja mbetet vetëm marrja e trepikëshit. 

Vllaznia-Luftetari

Drejtuesit, stafi dhe lojtarët e kanë të qartë se as barazimi nuk do të kishte vlera në kësi kushtesh. Ndonëse përballë kanë një Luftëtar që renditet i parafundit dhe me 9 pikë më pak, e lehtë nuk do të jetë. Stresi shtohet kur sheh të shkuarën dhe shifrat në këtë rast janë realisht kokëforte.

Pas një hulumtimi të bërë nga “Panorama Sport”, rezulton se shkodranët kanë plot 12 vite që nuk ia dalin në këtë transfertë. Që prej 17 marsit të 2007- ës nuk e kanë provuar shijen e fitores. Në atë kohë skuadra drejtohej prej trajnerit Mirel Josa dhe takimin e “vuloste” Suad Lici, i cili sot është administratori i klubit.

Goli i mëngjarashit vinte në të 47- ën minutë, me një goditje dënimi nga 25 metra distancë (një faull i fituar nga Sukaj, që më vonë u cilësua edhe i paqenë). Faj pati edhe portieri i bluzinjve në atë kohë, Irakli Toçi, të cilit i shpëtoi topi nga duart pas pengesës që hasi nga rrezet e diellit. Nëse Arlind Nora nuk do të kishte gabuar nga pika e bardhë e penalltisë në të 84- ën minutë, rezultati do të ishte barazuar dhe ky bilanc do të ishte më i thellë për kuqeblutë.

FORMACIONI 

Për të gjithë nostalgjikët, po kujtojmë edhe formacionin që e niste nga minuta e parë dhe zëvendësuesit: Grima, Vukçeviç, Dabulla, Osja, Hoti, Lici, Doçi (Lika 33′), K.Dalipi, Sukaj (Teli 87′), Dudjabi (Kotorri 75′) dhe Ahi. Nga kjo 11- she, sikundër u përmend më lart, Lici është ai që drejton aktualisht klubin, Osja është ndihmëstrajner dhe Lika në rolin e kapitenit.

Në atë edicion, kuqeblutë ishin pretendentë për kreun. Madje, me atë triumf që morën në stadiumin “Gjirokastra” shkuan në vendin e 3-të, me 63 pikë të mbledhura. Dhe rastësia bën që Luftëtari i 2007-ës, ashtu si atëherë, edhe tani është në vendin e parafundit. Në një kampionat me 12 skuadra ata pozicionoheshin të 11-ët, me 33 pikë.

Capture

Një “dorë” në zbritjen e gjirokastritëve në Kategorinë e Parë e dha edhe kjo humbje. Në atë sezon, kuqeblutë i kishin mundur edhe dy herë të tjera bluzinjtë. Fillimisht i mposhtnin në “Loro Boriçi” 1-0 dhe më pas 2-3 në Gjirokastër. Pas afro 12 viteve do tentojnë të thyejnë këto statistika dhe shmangin zonën e rrezikut. Me Licin në tribunë, Osjan në pankinë dhe Likën në fushë, kanë tri “armë” më shumë për të shkuar drejt suksesit dhe ta thyejnë këtë mallkim.

POSTFITORJA – Pas asaj fitore, Vllaznia është ndeshur edhe 5 herë me Luftëtarin (gjithnjë në transfertë). Janë kaq pak përballje, pasi kundërshtari ra nga kategoria në atë fund sezoni dhe qëndroi jashtë elitës për plot 6 vite. Katër herë kanë ngecur te barazimet (3 u mbyllën 0-0 dhe një tjetër 1-1), ndërsa tjetra u fitua prej gjirokastritëve, konkretisht me 23 shkurt 2013.

Ishin golat e Foneskës dhe Boçit që zhvlerësonin atë të Gjinit. Këto shifra të errëta u përkasin sigurisht vetëm përballjeve në fushën e Luftëtarit, pasi në Shkodër historia flet disi më ndryshe. Vllaznia numëron dy fitore, në më shumë se një dekadë. Më e fundit është ajo më 26 nëntor 2017 (2-1), ndërsa më herët ia kanë dalë më 16 shtator 2012 (3-0). Edhe pse momentalisht shkodranët kanë 9 pikë më shumë se ky ekip, vend për qetësi nuk ka. Lënia e pikëve do të shtonte më shumë ankthin për t’u përfshirë në luftë për mbijetesë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"