Tirana kryeson historinë e Superiores, Egnatia i ka “lënë targën” në të tashmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2025 | 21:38

Tirana kryeson historinë e Superiores, Egnatia i ka “lënë targën” në të tashmen

Egnatia është bërë “makthi” i bardhebluve, në 4 ndeshjet e fundit: 3 fitore Egnatia, 1 barazim. Golaverazh i përgjithshëm: 8 – 2 në favor të Egnatias. Rivaliteti mes Egnatias dhe Tiranës ka kaluar disa faza qarta, duke u shndërruar nga një duel i njëanshëm në një përballje ku tashmë rrogozhinasit kanë marrë rolin e skuadrës dominuese.

egnatia-tirana

Të dhënat e dueleve direkte nga viti 2004 deri në vitin 2025 tregojnë një histori të gjatë, me kthesa të forta dhe rezultate që kanë bërë jehonë në futbollin shqiptar. Pjesa e parë e këtij rivaliteti i përket plotësisht 26 herë kampionëve të Shqipërisë. Nga viti 2004 deri në vitin 2021, KF Tirana kontrolloi pothuajse çdo përballje, duke fituar ndeshje me rezultate të pastra si 3–1, 2–0, 3–0 apo 2–0. Në këtë periudhë, bardheblutë ishin shumë të fortë fizikisht, taktikisht dhe me një cilësi të theksuar individuale, çka reflektohej edhe në golaverazhin dominues kundër Egnatias.

Nga 2021 e në vazhdim, përballjet filluan të bëheshin më të balancuara. Barazime si 1–1, 2–2, dhe fitore sporadike të Egnatias krijuan përshtypjen se skuadra rrogozhinase po rritej gradualisht, por ende pa marrë kontrollin e plotë të duelit. Megjithatë, ishin pikërisht këto ndeshje të ekuilibruara që paralajmëruan transformimin e madh që do të vinte në sezonet pasuese. Nga fundi i vitit 2023 e deri më sot, Egnatia është shndërruar në një “makth” të vërtetë për Tiranën.

Në 9 ndeshjet më të fundit, rrogozhinasit kanë 6 fitore, vetëm 2 humbje dhe një barazim. Përballjet e kohëve të fundit flasin qartë për superioritetin e tyre. Fitore 4–0 në “Air Albania” (janar 2025), fitore 2– 0 në Rrogozhinë (shtator 2025), fitore 1–0 në nëntor 2024, fitore 3–2 në Tiranë (tetor 2023), fitore 1–0 në finalen e Kupës (qershor 2023). Në këtë periudhë, Egnatia ka shfaqur stabilitet të jashtëzakonshëm në mbrojtje dhe efikasitet në sulm, duke ndëshkuar një Tiranë që shpesh ka qenë e paqëndrueshme dhe me luhatje të theksuara formash.

Pavarësisht dominimit të Egnatias në vitet e fundit, Tirana ka pasur “shpërthimet” e saj të forta, me fitore të thella si 5–0 në dhjetor 2023, 3–0 në maj 2024. Por këto suksese nuk kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar probleme në vazhdimësi dhe stabilitet. Rivaliteti Egnatia–Tirana është shndërruar në një histori të dy epokave: një të kaluar e cila i përkiste bardhebluve dhe një të tashme që është e gjitha e rrogozhinasve. Me formën që kanë treguar në sezonet e fundit, duket se Egnatia do të vazhdojë të sfidojë Tiranën jo vetëm në ndeshjet direkte, por edhe në objektivat madhorë të futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL