Shehi analizon fitoren vendimtare ndaj Bylisit: Tani çdo ndeshje është test karakteri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 10:09

Shehi analizon fitoren vendimtare ndaj Bylisit: Tani çdo ndeshje është test karakteri

Tirana arriti një fitore shumë të rëndësishme ndaj Bylisit. Një kundërshtar direkt për mbijetesën, duke marrë tre pikët që mund të kenë ndikim vendimtar në renditjen e skuadrës. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, trajneri Orges Shehi foli për rëndësinë e këtij suksesi dhe për ecurinë e skuadrës.SHEHI“Më së shumti më duket se fitorja është shumë e rëndësishme për pozicionin në tabelë, për kundërshtarin direkt dhe për ecurinë që kishim. Kishim kaluar shumë ndeshje pa fitore, dhe e dimë që çdo ndeshje ishte e vështirë, sepse kundërshtarët janë të gjithë të fortë, por sidomos ata që janë direkt përballë nesh dhe vijnë pas një serie rezultatesh pa fitore. Kur nuk fiton, gjithçka duket e errët dhe besimi bie. Pra, na duhej kjo fitore, si për ngjitjen, si për anën psikologjike”, tha në fillim trajneri i Tiranës.

Shehi shtoi se skuadra ishte përgatitur gjatë gjithë javës për të ruajtur qetësinë psikologjike.

“Pozicioni në tabelë të bën të përqendrosh mendjen. Ne u përpoqëm që gjatë gjithë javës skuadra të ishte e qetë, sepse kjo mund të ishte edhe një nga mundësitë e fundit për ne. Kjo fitore është e rëndësishme, edhe pse nuk munguan gabime individuale, të cilat ndodhin edhe për arsye personale”, vazhdoi më tej.

Për sfidën e ardhshme në Vorë, Shehi paralajmëroi një tjetër ndeshje të fortë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por nga e hëna do të fillojmë të mendojmë për të. Edhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme”, deklaroi durrsaku. Ai komentoi gjithashtu situatën e Serzh Tabeku, i cili u aktivizua pavarësisht dëmtimit.

“Tabeku ka pasur një dëmtim dhe katër ditë nuk është stërvitur fare. Sot ka sakrifikuar dhe kjo meriton komplimente. Ju e patë që u aktivizua, por më pas doli direkt për të ruajtur shëndetin. Kishim shqetësim, por ai tregoi përkushtim dhe sakrificë”, deklaroi për sulmuesin. Trajneri nënvizoi rëndësinë e fitoreve për besimin e skuadrës.

“Tani rezultati i jep skuadrës qetësi, sepse shikon që ngrihet pozicioni në tabelë, shikon që kundërshtari nuk po përparon. Kjo fitore mund të rrisë besimin, sepse kur mbet shumë ndeshje pa fitore, çdo gjë duket e errët dhe besimi bie”, mbylli Orges Shehi.

Kjo fitore nuk është vetëm një sukses numerik, por edhe një mesazh i qartë. Tirana është e vendosur të luftojë deri në fund për objektivin e mbijetesës dhe të tregojë karakter në çdo sfidë të kampionatit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL