“Partizani pritës, Tirana më kërkuese”, Vrapi analizon derbin e kryeqytetit: Do të jetë lojë nervash, protagonistë Xhixha e Isgandarli
E gjithë vëmendja e opinionit sportiv në këtë fundjavë është te derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. I programuar për t’u zhvilluar të shtunën, duke nisur nga ora 19:00, derbi pritet të ndajë shumë për fatet e dy skuadrave në këtë sezon, teksa të kuqtë synojnë të renditen në vendin e katërt për të marrë pjesë në “Final Four”, ndërsa bardheblutë kërkojnë të mbijetojnë në elitë. Në lidhje me këtë ndeshje, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli Endri Vrapi.

Ish-futbollisti i kombëtares, që ka veshur fanellën e të dyja skuadrave kryeqytetase, theksoi se pret që Partizani të tregohet pak më i kujdesshëm, ndërsa Tirana mund të shfaqet më agresive për të dalë me pikët e plota nga vetë situata që bardheblutë kanë në klasifikim. Ndër të tjera, ish-mbrojtësi, që ka provuar të luajë si me Tiranën ashtu edhe me Partizanin, tha se këtë ndeshje do ta vendosin sulmuesit, duke veçuar Xhixhën te bardheblutë dhe Isgandarlin te të kuqtë.
Cilët janë faktorët e këtij momenti negativ që po kalon Partizani?
Nuk kanë arritur asnjë fitore në këtë fazë të katërt… Faktorët e formës së fundit të Partizanit për mendimin tim, mund të jenë më shumë presioni i vendit të katërt dhe, duke pasur si qëllim ruajtjen e vendit të katërt, besoj vjen edhe një moment kur gjërat vështirësohen. Sepse duke parë Partizanin ku ishte dhe ku është, për mendimin tim ka bërë shumë mirë, por idealja do të ishte ta mbyllë kampionatin në vendin e katërt.
Sa mund të ndikojë seria pa fitore në aspektin psikologjik të skuadrës para derbit?
Aspekti psikologjik nuk ndikon fort në ndeshje të tilla, sepse ndeshje të tilla siç është derbi nuk luhen, por fitohen dhe besoj që kjo ndeshje do të jetë shumë edhe për strategjinë e dy trajnerëve, mënyra se si do ta përgatisin ndeshjen.
Prisni një kthesë të skuadrës në derbin ndaj Tiranës, a është kjo ndeshja e duhur për të “zgjuar” sërish Partizanin?
Fakti që është ndeshje derbi do të thotë që rivaliteti është në maksimum, si në fushë dhe në tribunë. Zakonisht kohët e fundit e kemi parë vetëm nëpër tribuna. Kjo ndeshje është e vështirë në të dy kampet, nëse një pretendon “Final Four”, tjetra duhet të sigurojë vendin në Superiore mes më të mirëve. Besoj që Partizani do të jetë më i kujdesshëm përballë një Tirane që i ka të domosdoshme pikët.
Çfarë duhet të bëjë ndryshe Partizani nga ndeshjet e fundit për të dalë me fitore nga përballja me Tiranën?
Partizani në çdo ndeshje futet të bëjë maksimumin, por çdo ndeshje ka problemet e veta. Fakt është që skuadra ka krijuar volum, por nuk ka zgjidhur ndeshjet në momentet e duhura, duke humbur edhe shansin që të krijojë komoditetin dhe qetësinë në vendin e katërt.
Sa do të ndikojnë mungesat në formacion si Bytyçi dhe Ismaili dhe a ka skuadra alternativat e duhura për t’i zëvendësuar?
Të dy lojtarët janë të rëndësishëm për Partizanin, por kontingjenti që Partizani ka në përbërje besoj se ka alternativa. Besoj që edhe trajneri e ka më të thjeshtë duke pasur kontingjent, përveç faktit që besoj se një ndeshje e tillë do të funksionojë si grup. Individët që mund të vendosin fatin e ndeshjes do të jenë sulmuesit.
Ku mendoni se është më i madh presioni në këtë derbi, te Partizani apo te Tirana që lufton për mbijetesë?
Ju përmenda edhe më lart, çdo skuadër e përjeton në mënyrën e vet një derbi. Fakti që në tabelë është kjo renditje nuk ndikon fare, sepse kemi parë edhe të kundërtën, që gjithmonë ato që kanë qenë më poshtë kanë fituar; ka ndodhur si kur ka qenë Partizani, edhe kur ka qenë Tirana.
A mendoni se në fushë do të jetë Partizani më kërkues për fitoren apo do të jenë dy ekipe të kujdesshme që synojnë të mos e humbasin derbin?
Në optikën time besoj që do të jetë një Partizan në pritje dhe një Tiranë më kërkuese, duke parë pozicionet në tabelën e klasifikimit. Do të jetë një lojë e kujdesshme në të dyja frontet, qofshin me Tiranën ashtu edhe Partizani. Do të jetë një lojë nervash, Partizani në administrim dhe një Tiranë më kërkuese, por jo gjithmonë mund të jetë kështu. Trajnerët do të luajnë të gjithë gurët për të marrë pikët dhe për të realizuar objektivat që kanë në fund të sezonit.
Cilat janë aspektet ku Partizani duhet të ketë më shumë kujdes ndaj Tiranës? Kush janë pikat e forta të bardhebluve?
Unë e theksova edhe më lart, mendoj që te të dy kampet do të jenë sulmuesit pika referuese për të goditur kundërshtarët dhe Tirana dhe Partizani kanë lojtarë që fazën sulmuese dhe tranzicionin pozitiv e kanë shumë të mirë dhe efikas dhe që mund të zgjidhin ndeshjen në çdo moment.
Ju e keni përjetuar derbin edhe vetë në rolin e futbollistit, sa presion ka si ndeshje për vetë protagonistët dhe cila do të ishte një këshillë e juaja për lojtarët në fushë?
E vërtetë është, por çdo lojtar e përjeton në mënyrën e vet, për asnjë nuk është e njëjtë. Deri sa shkon në stadium ke emocionin dhe në momentin që fillon loja asgjë nuk është si më parë, sepse përqendrimi i madh në ndeshje bën që çdo gjë të sfumohet. Por nëse fiton, emocionet rikthehen në fundin e ndeshjes me tifozërinë përkatëse.
A keni një parashikim për rezultatin dhe cili mendoni se mund të jetë lojtari vendimtar i këtij derbi?
Parashikim në derbi nuk ka, por them që sulmi i të dy ekipeve do të jetë vendimtar në ndeshje. Lojtari që mund të vendosë ndeshjen për Tiranën është Xhixha ndërsa te Partizani, Isgandarli.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













