Opsionet e Vllaznisë, Martini me disa “xhola” në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2025 | 17:21

Opsionet e Vllaznisë, Martini me disa “xhola” në ekip

Në ndeshjen kundër Egnatias ishin disa futbollistë që nuk u aktivizuan në rolet e tyre “natyrale”, duke u përshtatur sipas nevojave të skuadrës dhe ideve që ka trajneri Martini për ekipin. Kështu, duke nisur nga zëvendës-kapiteni Erdenis Gurishta, i cili njihet si një mbrojtës tipik i krahut të djathtë.

vllaznia

Por, me Martinin që aplikon skemën 3-5-2, 30-vjeçari preferohet më shumë në mbrojtjen me 3, si qendror. Rol të cilin Gurishta e ka mbuluar plot siguri dhe personalitet, duke krijuar një treshe solide me Gjinin dhe Kuros në prapavijë. Një tjetër futbollist që ishte disi jashtë rolit të tij ishte edhe Edon Murataj. 23-vjeçari njihet si mesfushor pas sulmuesve, por në ndeshjen me Egnatian u aktivizua në dyshen e sulmit me Balajn, shpesh duke u hapur edhe në krahë, madje duke dhuruar një performancë për t’u duartrokitur.

Polivalencë po ashtu në skuadër vijon të tregojë edhe Esat Mala, i cili po aktivizohet më shumë në mesfushë këtë periudhë sesa në krahun e djathtë. Tek kuqeblutë edhe emra si Jago, Kuros, Kastrati apo Kallaku mund të mbulojnë role të ndryshme në fushë, duke krijuar opsione dhe mundësi të shumta për skuadrën dhe Martinin. Me teknikun 50-vjeçar që mund të bazohet gjithmonë tek cilësitë dhe eksperienca e futbollistëve të tij në fushën e blertë.

PANORAMASPORT.AL