Për Mjeshtrit e Mëdhenj të sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 23:19

Për Mjeshtrit e Mëdhenj të sportit

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Titulli “Mjeshtër i Madh” është pa dyshim i rëndësishëm për këdo në sport. Si vlerësim i një kontributi të spikatur, ky titull i bën nder jo vetëm atij apo asaj që e merr, por edhe institucionit që e jep, në këtë rast institucionit të presidentit të Republikës. Sporti ka qenë gjithmonë në vëmendjen e këtij institucioni dhe nderimi që u është bërë njerëzve të sportit shkon jo vetëm për individët që e përfitojnë, por edhe për gjithë sportin.

Por ndodh që, ndonjëherë, harrohen të nderohen individë që meritojnë po aq sa ata që e kanë marrë këtë titull e ndoshta, më shumë. Në sport kontribuojnë shumë kategori profesionistësh si drejtues institucionesh, administratorë federatash e klubesh, pedagogë, kërkues shkencorë, mjekë e mësues. Edhe këto kategori, kur kanë treguar vlera të mëdha e të jashtëzakonshme duhen marrë në konsideratë dhe duhen nderuar, njësoj si sportistët e dikurshëm. Konkretisht, unë nuk besoj se Flutura Celkupa e ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”. Por unë, gjithashtu, nuk besoj se nga qindra apo mijëra ish-studentët e saj, do të dilte dikush kundër vlerësimit të drejtoreshës së ILKF “Vojo Kushi” me këtë titull. Sikur edhe një prej tyre të ishte kundër do të habitesha.

Drejtoresha jonë, një drejtuese e aftë, e rreptë dhe e dashur në të njëjtën kohë, ka merituar nderimin dhe respektin e të gjithë brezave të studentëve të sportit. Dhënia e titullit “Mjeshtër i Madh” do të formalizonte një vlerësim të gjithanshëm dhe një kontribut të çmuar. Ky titull do t’i gëzonte të gjithë studentët e saj po aq sa atë vetë.

Vesel Rizvanolli

Po Prof.Dr. Vesel Rizvanollit kur do të kujtohen dhe t’ia japin të paktën këtë titull? E kanë marrë specialistë që vlejnë shumë më pak se ai si në nivel sportiv, shkencor e drejtues. Çfarë duhet të bëjë më tepër Rizvanolli që të kujtohet dikush dhe ta propozojë? Ka qenë për 50 vite: sportist cilësor, mësues i shquar, pedagog e kërkues shkencor i jashtëzakonshëm, zv.ministri i parë i sportit që la gjurmët më të rëndësishme në menaxhimin shtetëror të sportit, president reformator i Federatës së Volejbollit, rektori që bëri Universitetin e Sporteve të tillë dhe që e çoi në nivele që vështirë se kapërcehen.

Ç’duhet të bënte më tepër që të barazohet me një sportist të shquar, që e merr titullin për kontribute në një aktivitet që e ka ndërprerë 40 vite më parë? Universiteti “Marin Barleti” ka ndërmarrë nismën për të propozuar që këtyre dy personaliteteve të sportit t’u jepet ky titull, si detyrim moral dhe institucional. Besojmë në mbështetjen e të gjithë atyre që kanë të njëjtin vlerësim si ne. Sepse ky titull nuk është vetëm për ish-sportistë që e kanë mbyllur karrierën sportive 30-40-50 vite më parë.

Ky titull u duhet dhënë edhe atyre që për 30-40-50 vite kanë kontribuuar për sportin në shumë profesione të nderuara, pa të cilat nuk do të kishim as sportistë e trajnerë të nderuar!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"