Ndërprerje në kulmin e Sabah Bizit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2015 | 17:55

Ndërprerje në kulmin e Sabah Bizit…

Bizi Torino (1)KAPITULLI VIII

Sabah Bizi kishte mbërritur në kulmin e tij. Ishte përshkuar në shtatë vite me radhë qysh kur kishte hyrë në elitën e futbollit shqiptar duke fituar me Vllazninë e tij Kupën e Shqipërisë 1965. Kishte qenë vetëm 17 vjeç, titullari – fituesi më i ri i Kupës së Shqipërisë deri më sot. Në shtatë vjet të tana vështirë t’i gjeje një ndeshje të kritikueshme këtij fenomeni. Shqipëria nuk kishte njohur deri atëherë një futbollist kësisoj, i cili në shtatë vitet e para të karrierës së tij në rangun e futbollit kombëtar, si dhe atë përfaqësues, thuajse të mos ketë qenë gati asnjëherë i kritikueshëm. Viti 1972 ishte një apogje për të dhe shokët e tij. Vllaznia kampione mbas 26 vjetëve (1946) dhe përmbysje e sundimit të kryeqytetit të treshes së palëkundshme Partizani-Dinamo-17 Nëntori. Kjo ishte Vllaznia e Sabah Bizit dhe shokëve të tij, sepse dihet futbolli është një sport kolektiv, pavarësisht se pa protagonistë të jashtëzakonshëm, ai nuk mund të mbërrijë shumë lart. Për herë të parë po rreshtoj këtu të plotë të gjithë emrat kampionë të Vllaznisë 1972, duke ndrequr mbas 43 vjetëve një histori të cilën gazeta e vetme sportive e kohës “Sporti popullor” nuk e tregoi assesi kur ngjau. Mbeten djem historikë të futbollit shqiptar, sepse kishin ndërruar vetë historinë e Kampionatit të Shqipërisë.

Ata janë: Paulin NDOJA, Hajro LEKAJ, Millan VASO, Menduh DEDJA, Suat DURAJ, Ramazan RRAGAMI, Sabah BIZI, Lekë KOÇOBASHI, Ismet HOXHA, Medin ZHEGA, Çesk NDOJA, Rauf ÇANGA, Esat RAKIQI, Selami DANI, Zyhdi BASHA, Viktor PLUMBINI, Nazmi QERAJ. I kishte drejtuar trajneri i madh Xhevdet SHAQIRI dhe bashkëtrajneri i tij, i çmueshmi Xhelal JUKA. I rreshtova pa një kriter shkencor dhe të meritave, por simbas vendosjes në ecurisë e roleve. Ndonëse, siç e kam thënë në kapitujt e më- parshëm, Sabah Bizi do të ishte truri…

Izolimi i pamëshirshëm që fillon me Vllazninë…

Dihej dhe pritej, megjithatë… Një vit më parë, Vllaznia e përjashtuar prej shtetit të saj, nuk kishte pranuar të ndeshej me Rapidin e Vjenës për UEFA-n. Tash dënimi vjen po prej UEFA-s. Është e vetmja skuadër kampione e shteteve në Europë, e cila nuk do të jetë në Kupat e Europës 1972-1973, ndonëse këtë të drejtë ajo e kishte fituar me titullin e sapo fituar. Ky do të ishte dhe përfitimi spektakolar i Besës së Kavajës, e cila si e dyta e Kupës së Shqipërisë merr pjesë në Kupën e Kupave të Europës dhe, nën drejtimin e trajnerit të pashlyeshëm Muhamet Vila dhe bashkëtrajnerit të tij, të mirënjohurit Agim Dizdari, kalon turin. Është 1-1 e 0-0 me skuadrën e panjohur të Danimarkës, Fremad Amager, duke u bërë kështu Besa i pari klub shqiptar që hyn në 16 më të mirat e një Kupe të Europës. Ajo ishte Besa e shkëlqyeshme Muharrem Karriqit me shokë. Kualifikohet për shkak të golit të fushës kundërshtare, autor të së cilës ishte Nimet Merhori. Ky është dhe rekordi i Besës së Kavajës, e cila sot është skuadër e Kategorisë së Dytë të Shqipërisë! Ajo ka qenë një Besë tejet tërheqëse: Arkaxhiu, Mullaiu, Kapidani, Hushi, Qerolli, Dyla, M.Karriqi, Kashami, Leshteni, N.Merhori, Pagria, Bishtaja dhe Allaj. E para skuadër jokryeqytetase e Shqipërisë që merr pjesë në Kupën e Europës. E pafat në turin e dytë, ajo humbet 7-1 në Edimburg të Skocisë prej Hibernien, duke shënuar përsëri Merhori, të ashtuquajturin gol të nderit. Në kthim zhvillon një ndeshje dinjitoze duke barazuar 1-1 në Durrës (gol i Pagrisë) dhe duke pasur në pjesën e dytë Mexhid Haxhiun e Flamurtarit. Të dukej se kjo histori i përkiste sadopak edhe Vllaznisë së ndaluar, të cilën për ta ngushëlluar e çojnë për nja dy ndeshje krejt të pavlerë në Rumani. Ka qenë 6 nëntor 1972. Kjo duhet konsideruar dita fatale e ndalimit të madh të futbollit shqiptar. Ishte lejuar Besa e Kavajës, por ishte ndaluar kampionia Vllaznia e Sabah Bizit me shokë. Dhe përkimi do të jetë vërtet fatal. Gjithçka ishte mbyllur me Vllazninë, po gjithçka do të rifillonte po me Vllazninë në Kupat e Europës. Do të rifillonte vonë, tepër vonë, mbas nja plot 6 vjetëve!… Kjo braktisje e Europës së klubeve për gjashtë vjet është një ndër dëmet më të mëdha që i është shkaktuar futbollit shqiptar. E, ndërkaq, asgjë nuk ndal këtu. Pa kaluar një vit, më 3 nëntor 1973, mbasi humbet 4-1 në Tiranë me RD Gjermane për Kupën e Botës, Shqipëria do të ndërpresë për plot shtatë vjet pjesë- marrjen e saj, duke hequr dorë nga Kampionatet e Europës dhe të botës! Ironia e fatit arrin kulmin kur tri ditë mbas humbjes me gjermanolindorët në Shqipëri mbërrin Kombëtarja e Kinës dhe 1-1. Të dukej se kishte ardhur për të urdhëruar përvetësimin e revolucionit kulturor kinez edhe në sport. Asnjë marrëdhënie me kapitalizmin botëror edhe në sport! Ndalimi ishte sanksionuar me Plenumin e IV të KQ të PPSH të qershorit të atij viti, që kishte vendosur izolimin “madhështor” të Shqipërisë në të gjitha fushat e jetës. Muri i Berlinit nuk ishte asgjë përpara këtij të sapongritur të Tiranës, i arkitektuar e ndërtuar pa mëshirë prej Shqipërisë Komuniste. Vetvetiu ky është dhe çasti i ndërprerjes edhe të futbollit ndërkombëtar të Sabah Bizit. Ai ishte vetëm 25 vjeç.

Nis epilogu spektakolar i Bizit në Kombëtare

Ishte e paracaktuar që Sabah Bizi në moshën e tij 25-vjeçare, në kulmin e karrierës, ta mbyllte futbollin e tij me Kombëtaren. Dhe këtu mund të themi se ndalon interpretimi i artit të futbollit të Sabah Bizit në nivel Kombëtaresh, ndonëse pak vite më vonë një Biz 30-vjeçar do t’ia arrijë të tregojë një tjetër epilog të rrufeshëm, tejet befasues. Do ta tregojmë më mbas edhe këtë… Por qëndrojmë këtu ku jemi, kur me tronditjen e mospjesëmarrjes së Vllaznisë në Europë, nis Kampionati 1972-1973, në fund të të cilit skuadra shkodrane zë vendin e katërt. Gjithçka ishte e kuptueshme, mbas goditjes së pamëshirshme të ndalimit për Europën. Vllaznia ka po ata djem të titullit 1972, por sigurisht që nuk ka qetësinë dhe shpirtin futbollistik të etjes për garë. Në dy vjet kishte humbur dy herë Europën dhe jo për fajin e saj. Dhe vetëm e katërta pra në kampionat, ky 1972-1973, të fituar nga Dinamo, e cila po paralajmëronte edhe ajo rilindjen e saj të bujshme, mbas gati 13 vjetëve, sepse titulli i saj 1967 ishte një vendim i padrejtë zyrash, një kampionat që pa i ardhur keq askujt, me rregullat organizative të futbollit, nuk duhet njohur sot e kësaj dite… Ky do të ishte viti 1973, kur për 25-vjeçarin Sabah Bizi do të ndalej përgjithmonë fanella e Kombëtares. Ndonëse vetëm para pak, ajo kishte pasur pjesëmarrjen e saj më të mirë në histori, atë të Europianit 1972, që do të mbeste e paarritshme për kah rezultati dhe paraqitja e mirë e tij deri te Belgjika 1984. Dhe në këtë paraqitje një emër është mbi të gjithë: Sabah Bizi! Siç kam shkruar në “Libri i Kombëtares”, është viti 1967 ai që e thërret këtë Kombëtare të zhdukur qysh prej një viti e gjysmë, në ndeshjen e 8 prillit 1967 të Dortmundit me RFGJ-në në premierën e Kampionatit të 3-të Europian. Ka qenë një 6-0 i pamëshirshëm prej 4 golave të një debutuesi të panjohur gjerman që quhej Gerd Myler! Në 11-shin e trajnerit Helmut Shen ishin 6 titullarë të finales dramatike të Botërorit të Londrës të një viti më parë kur Shqipëria e Loro Boriçit kishte përjashtuar Irlandën e Veriut të George Bestit dhe kishte dërguar atje Zvicrën e Dr. Fonit – një bashkëlojtar i Boriçit në Serinë A të Italisë së viteve ’40. E megjithatë, ka edhe ai një debutues të kalibrit në këtë katastrofë. Eshët një djalosh, të cilin Boriçi e thërret nga Vllaznia e Shkodrës. Quhej Sabah Bizi, vetëm 19 vjeç dhe të cilin mbas ndeshjes, edhe pse ajo ishte humbur 0-6, një revistë gjermane e tipizonte duke i bërë këtë karikaturë miqësore: kryet e madhe, trupi i vogël! Loro Boriçi i kishte dhuruar Shqipërisë trurin e Kombëtares, edhe pse kishte qenë 6-0. Mbërrin 14 maji 1967 dhe, mbas plot 20 vjetëve në Tiranë, shfaqet Jugosllavia e Dragan Xhaiç-t, i cili është i pandalshëm jo vetëm për Shqipërinë. Ai ia arrin të shkatërrojë mbrojtjen shqiptare, e cila pa Halilin e Kasmin është e shpërbërë dhe Zambata është autor i dy golave kur atje përtej Zhega e Pano humbasin raste të sigurt. Nuk është Sabah Bizi. Ai do të jetë gjashtë muaj më vonë në Stadiumin e Armatës Popullore në Beograd, aty ku ka ndodhur episodi i vitit të shkuar 2014 të ndeshjes Serbi-Shqipëri 0-3 me vendim. Jugosllavia fiton 4-0, si në një revansh të vonuar për 19 vjet të barazimit famëmadh 0-0 të 1948-ës me Shqipërinë, asokohe të udhëhequr në fushën e blerë prej universalit të parë të futbollit shqiptar me emrin Loro Boriçi. Protagonisti-lojtar i atij viti të paharruar, Boriçi – tash trajner, risjell Sabah Bizin e ri, i cili për 44 minuta është edhe ai rezistent i një 0-0, çka radiokronisti jugosllav e përcaktonte si “betoni i Loro Boriçit”. Ishte viti 1967 që, ndonëse një ndër vitet më të vështira, më të mbyllura të Shqipërisë, për futbollin ai do të jetë ndër më historikët. Loro Boriçi ka drejtuar Kombëtaren në një turne të bukur në Egjipt në tri ndeshje, dy barazime 0-0 dhe njëitore 2-0 me klubet më të fortë të Egjiptit, një fitore e shkëlqyer 2-0 me Partizanin në Izmir, një klub ndër më të mirët e Turqisë, 2-0 Olimpikes së Bullgarisë, 2-0 Fenerbahçes për Kupën Ballkanike, ku thuajse në të gjitha spikat 19-vjeçari Sabah Bizi. Kështu do të mbërrihej në ditën magjike të 17 dhjetorit 1967: Shqipëri-Gjermani 0-0!

Për Bizin jo vetëm 0-0 i Gjermanisë…

Siç kam shkruar me kohë, ajo ka qenë një ndeshje e madhe taktike e mbështetur te një forcë fizike e jashtëzakonshme e një ekipi edhe të një moshe të re, një grup atletësh futbolli, të një qëndrese të rrallë. Dinella – 20 vjeç, Rragami 23 vjeç, Zhega 21 vjeç. Dhe më i riu: Sabah Bizi 19 vjeç. Ndërkohë që të tjerët prej Gjinalit e deri te kapiteni Shllaku, shkonin nga 24 deri në 29 vjeç, duke krijuar një baraspeshë të rrallë force rinore e pjekurie futbolli, çka i jepte këtij 11-shi që për ne ka mbetur legjendar, një interpretim krejt origjinal. Dhe sot mund të them se mesfushori, asokohe disi i njohur më tepër si një mesfushor sulmues se sa mbrojtës me emrin Sabah Bizi, edhe ai ka qenë një nga mbrojtësit më universalë të këtij rezultati. Rrallë, tepër rrallë është pa te porta gjermane. Aty ishin të tjerë. Panajot Pano i madh mbi të gjithë, pranë të cilit ndodhej gjithnjë një Medin Zhegë po i madh. Sot, mbas 48 vjetëve, duke i qëndruar besnik temës së këtij “libri”, them se Loro Boriçi i ka vënë vulën edhe futbollit të Sabah Bizit si një mesfushor universal i pazëvendësueshëm në të gjitha ndeshjet e mëmbrame. “Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të saj, kolegut tim Loro Boriçi!”, – kjo thënie emblematike e trajnerit gjerman Helmut Shen që ruan përjetimin e saj të pandalshëm deri në “mërzi” prej nesh, tregon gjithë madhështinë e kësaj ndeshjeje që, sot e kësaj dite, përsëritet e përsëritet dhe nuk del assesi prej botimeve të pafund të historisë botërore të futbollit. Pa harruar mandej edhe përcaktimin e agjencisë DPA që transmeton përcaktimin se “Shllaku është një kapiten i madh dhe Pano gjithashtu një futbollist i madh”. Po aq, pa harruar as atë të Junajtid Press: “Barazim sensacional, që nuk pati forcën të thyente mbrojtjen masive dhe të vendosur të shqiptarëve”. Pesë ditë më vonë, më 22 dhjetor, një ndeshje e Kupës Ballkanike në Shkodër, Vllaznia- Bero e Stara Zagorës 4-0 dukej si një vazhdim spektakolar i asaj çka ishte arritur më 17 dhjetor. E bashkë me të tjerët, aty është dhe Sabah Bizi protagonist. Ndërkaq, logjika të thoshte që asgjë nuk mund të ndalonte me kaq. Futbolli shqiptar sapo kishte çelur faqen e tij madhështore me një sensacion, ndonëse të vetëm apo “episodik” botëror në gjithë historinë e futbollit. Mirëpo, ja që Shqipëria e Loro Boriçit dhe e Sabah Bizit të ri nuk merr pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror të “Meksikë 1970” dhe për tre vjet me radhë, Shllaku, Pano, Bizi me shokë nuk do ta vishnin fanellën e Kombëtares. Janë tre vjet heshtje e pafund në gjatësinë e saj. E pra 10 muaj më vonë Partizani me Sabah Bizin me shokë ka fitoren e tij të famshme 1-0 me Torinon e Italisë për Kupën e Kupave të Europës në një 1968, kur Shqipëria ishte fortifikuar në kafazin e vet të vetmisë dhe të mbylljes së pashembullt. Dhe qysh nga ky dhjetor 1967 e deri te 14 tetori 1970 Shqipëria nuk ekziston si Kombëtare e futbollit. Edhe pse Loro Boriçi, siç e kemi treguar më parë, me Panon e Bizin, e bën Partizanin Kampion të Ballkanit dhe po me të në Kupën e fitueseve të Kupave të Europës, ai krijon bukuritë 1-1 e 2-0 me fituesen e Kupës së Suedisë, Advidaberg, një kualifikim i vlerave të mëdha futbollistike. Lojtarët pra ishin aty, më të shumtë se asnjëherë tjetër, madje në përtëritje të vazhdueshme. Brezit të Panajot Panos po i afrohej një brez tjetër me në krye talentin e madh Sabah Bizi dhe Loro Boriçi të duket se po shkonte drejt një ndryshimi, një bashkimi elokuent të tre brezave të futbollit. Sabah Bizi është vetëm 22-vjeçar. Dhe do ta marrë ai rolin kryesor të paraqitjes së futbollit modern për Shqipërinë, pa guxuar të cenojë assesi atë klasiko-modern të një Panajot Panoje apo Lin Shllaku. Më 14 tetor 1970, në stadiumin gjigant të Shlonskit në Katovicë kundër Polonisë për Kampionatin Europian, për fat Loro Boriçi ka vetëm gjashtë prej heronjve të 1967-ës: Dinella, Shllaku, R.Rragami, Bizi, Pano dhe Zhega. Dhe 3-0 për Poloninë e Lubanskit, Gadohës e Dejnës me dy gola të 7 minutave të fundit. Kombëtarja dukej diçka krejt tjetër nga ajo e dhjetorit ’67. Dy muaj më vonë, më 13 dhjetor 1970, Boriçi ka një humbje 2-1 në Stamboll me Turqinë, një lojë e shkëlqyer e Sabah Bizit, që nuk jep rezultat me gjithë baraspeshën e saj për 90 minuta të tana. Dhe, pavarësisht nga rezultatet e gjithë këtyre ndeshjeve, është shumë e vështirë t’i gjesh ndeshje të dobët Sabah Bizit, i cili si lojtar i Kombëtares përsosej nga ndeshja në ndeshje. Deri aty sa me mungesën e tij gjithçka duhej menduar për së pari. Të dukej sikur pa Bizin nuk mund të luhej dhe se prej tij vareshin të gjithë të tjerët. Ndeshja e stadiumit “Mithat Pasha” me Turqinë sot e kësaj dite mbetet një nga më të rrallat e Kombëtares së Shqipërisë, pavarësisht se humbje. Vlerat e mëdha të kësaj ndeshjeje i kam treguar në Librin 9 të të paharrueshmit Dr. Vasfi Samimi. I gjithë shtypi turk nuk ka në qendër skuadrën e vet, por Shqipërinë. “Në mes të shumë shkrimeve të tjera, shkruan Dr.Samimi, një firmë në gazetën ‘Terxhuman’ dallohet me një karakteristikë jashtëzakonisht interesante për reportazhet e futbollit. Vetëm ata që mërziten nga artikujt e zakonshëm, për kuriozitet mund të lexojnë këtë autor që ka qëndisur me kaq merak ndeshjen. Dhe autori ka një emër që tingëllon afër: Islam Çupi. Skuadrën shqiptare ai e çmon, e vlerë- son dhe shpeshherë e gjen më mirë sesa skuadra kombëtare turke”. Islam Çupi (1932-2001) është i biri i Allaman Çupit, oficerit të gardës mbretërore që u largua nga Shqipëria me Mbretin Zog, duke marrë pra me vete në atë prill 1939 edhe shtatëvjeçarin Islam Çupi (ai do të mbërrijë deri president i Shoqatës së Shtypit Sportiv të Turqisë), i cili konsiderohet si gazetari më i madh sportiv i Turqisë. “Shëndeti futbollistik i skuadrës shqiptare rritej vazhdimisht, – shkruante Islam Çupi më 1971, – dhe ata zbatonin një metodë të mirë, sepse sikur e zgjeronin fush- ën… Mos ta përmendim ndeshjen, por mjafton rezultati! Le të bëhet çfarë të bëhet, le të dalë ku të dalë, sot është dita jonë… Shqipëria ka dalë shumë e fortë.” Dhe vazhdonte: “Bizi ishte lojtari që shquhej prej të gjithëve. Mbasi e bllokoi Qamuranin, atëherë ai bëri çka deshi”. Qamuran (Kamuran) ishte mesfushor organizator i Turqisë, të cilin Loro Boriçi ia kishte ngarkuar si detyrën parësore Sabah Bizit. Dhe, dihet, ka qenë nxjerrja jashtë mundësive të tij të Qamuranit ajo çka, përveç të tjerave, i ka dhënë vlerën e madhe ritmikës së shqiptarëve, ndonëse pa mundur të mënjanojë humbjen.

Sabah Bizi – universali i Gjermanisë dhe Turqisë 1971

Kur mbërrin viti 1971, dy muaj pas ndeshjes së Stambollit, Tirana “pushtohet” prej Gjermanisë ose RFGJ-së me emërtimin si shtet. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” gumëzhin prej shqiptarëve, të cilët dashamirë të mëdhenj të futbollit, banorë të shtetit më të izoluar në Europë janë ngurosur për t’i parë sadopak futbollistët gjermanë, të cilët hyjnë e dalin në hotel “Dajtin” historik, sot të rrënuar! Dhe gjermanët do t’u jepnin atyre një kënaqësi të madhe në stërvitjen në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) ku të rinjtë shqiptarë hyjnë deri brenda në fushë, lënë tribunat pra, dhe e rrethojnë atë, ndërsa Gjermania e bën stërvitjen e saj shkrydhëse thuajse me buzëqeshje vetëm dy metra larg spektatorëve të rinj shqiptarë. Kjo atyre nuk u kishte ndodhur në asnjë vend të botës!… Nga 0-0 mitik i 1967-ës janë vetëm Packe, Veber dhe Overat. Shqipëria ka pesë: Dinella, R.Rragami, T.Vaso, Bizi, Pano. Janë dhe dy trajnerët e mëdhenj: Helmut Shën dhe Loro Boriçi. E ndërsa Gjermania e Shënit ka “të rinj” të tillë si Bekenbauer, Vogts, Shnelinger, Metzer, Grabovski, Overat, G.Myler, Hajnks – formacioni mbase më i fortë në gjithë historinë e Gjermanisë, Shqipëria e Boriçit ka të rinj pa thonjëza, të tillë si: M.Gjika, Dhales, Cani, Kasmi, Ziu… Çka do të ngjiste? Shumë herë kam shkruar edhe për këtë ndeshje. Libra, kujtime, foto, komente, përsiatje. Në të vërtetë, më duhet të krahasoj. Prapë them se ajo është një përsëritje e dramës së 1967-ës, ndonëse në rezultat është humbje dhe jo barazim. Por, në cilësinë e lojës, kjo është më e mirë, pa dyshim. Nuk është një ndeshje mbrojtëse, është një ndeshje midis të barabartëve. Goli gjerman, një rast i vetëm kur bllokuesi i famshëm i Gerd Mylerit, Bujar Cani, nuk qe pranë tij, është natyrisht një e dhënë e rëndësishme statistikore. Veçse përmbajtja e lojës është diçka tjetër. Ma do mendja se nëse sot do të bëhej një referendum se cilat janë ndeshjet më të mëdha të Kombëtares, kjo humbje fatale me Gjermaninë e Franc Bekenbauerit e 17 shkurtit 1971, synon vendin e parë. Nuk di nëse me këtë që them e “trondis” sadopak trajnerin e sotëm Xhani De Biazi, i cili sapo ka hyrë plot siguri në panteonin e Shqipërisë së një futbolli gjithsesi modest. Kur ndërkaq nuk e di se sa ai është i njohur me historinë e Kombëtares së Shqipërisë, qoftë edhe modeste, por me jo pak sensacione, edhe pse të vetmuara, deri në sferat e larta të futbollit europian. E them këtë sepse këtu në Shqipëri është një zakon shumë i keq që shprehet përmes “pseudosentencës” që thotë se “historia fillon kur filloj unë”! Mû këtu do të gjejmë dhe shkaqet e harresave të rënda dhe mosnderimit të futbollistëve të shquar të mëparshëm shqiptarë. Ajo ndeshje ka qenë një tjetër kryevepër e trajnerëve Loro Boriçi e Ilia Shuke. Një ndeshje e rrallë taktike, një ngjarje, e cila fajëson sot e kësaj dite prishjen për tre vjet të kësaj Kombëtareje prej shtetit të atëhershëm. Astrit Ziu, një mbrojtës tipik, i fuqishëm, atletik dhe i palodhshëm, ishte një prej mekanizmave të fshehta taktike të Loro Boriçit, një krijim taktik që për 90 minuta e befasonte mbrojtjen gjermane. 23-vjeçari Sabah Bizi ka duelin e jetës me 26-vjeçarin Franc Bekenbauer. Panajot Pano 32-vjeçar ka rininë e tij të dytë. Mbrojtja me në krye pasardhësin e denjë të të paharrueshmit Skënder Halili, Perikli Dhalesin, falë forcës së pashtershme të një Gë- zim Kasmi e Koço Dinelle, të një Bujar Cani e Teodor Vaso sinkronizohej me një mesfushë të papërshkueshme Rragami – Bizi – Ziu – Çeço. Në të vërtetë disi të çuditshme. Në sulm dukej sikur ishte vetëm Pano në një tjetër interpretim brilant të tij, por për herë të parë në Kombëtaren shqiptare shfaqej si një mrekulli më vete aftësia sulmuese e mesit të fushës, çka shpeshherë shumëfishonte pikërisht sulmuesit para një Majeri tejet të shqetësuar. Ndoshta e gjithë kuintesenca e vlerave të kësaj ndeshjeje është ajo çka do të thotë në mbarim të saj trajneri gjerman Helmut Shën në intervistën e paharrueshme që i kam marrë në hotel “Dajti” në mbrëmjen e atij 17 shkurti 1971: “Dua t’i bëj komplimentet më të mira kolegut tim Boriçi, i cili e ka ngritur shumë nivelin e lojës së skuadrës së tij. Ndonëse fituam, barazimi do të ishte më i drejtë, pra do të isha dakord edhe me rezultatin 1-1. Shqiptarët nuk shënuan megjithëse patën shanse më shumë se ne. Po të luani kështu, çdo skuadër e Europës e ka të vështirë të matet me ju. Më pëlqyen nga lojtarët tuaj sidomos Bizi, Vaso, Dinella e si ngahera Pano.” Po kaq emblematik është përkufizimi i gazetës “Veizbeten Kurier”: “Mund të themi se kjo fitore e gjermanëve ishte një nga fitoret më fatmëdha që mund të kenë ekzistuar mbas Luftës së Dytë Botërore. Epërsia e shqiptarëve u duk gjatë gjithë zhvillimit të lojës. Pa dyshim skuadra shqiptare në këtë ditë duhej të kishte marrë më tepër.” Kjo ndoshta ishte edhe ndeshja e jetës së Sabah Bizit. I kudondodhur, i lëvizshëm sa në një krah në tjetrin, pasues thuajse i pagabueshëm, pa harruar kurrsesi lojtarin më të madh të botës, Franz Bekenbauer. Vetëm 1-0 për gjermanët që ka vlerën dhe jehonën e një fitoreje. E vërteta është se në tanësi këto nuk janë ditë të mira për Loro Boriçin kur mendon se si në një intermexo krejt të pafat, ai e çon këtë Kombëtare të shndërruar në Olimpike më 18 prill e 26 maj 1971 në dy ndeshjet për Lojërat e Olimpike të Mynihut me Rumaninë e Jordaneskut, Tataur-t, Dumitreskut, Dumitrit e Dinkucës. Ishin dy humbje 1-2. Thelbi i sulmit të një pjese të shtypit me në krye “Zërin e popullit” që i bëhet, është se “kjo skuadër është e plakur”, kur me përjashtim të Panajot Panos të pazëvendësueshëm, të gjithë të tjerët ishin nga 22 deri në 27-28 vjeç! E pata pyetur: “Do t’i ndërrosh lojtarët Loro?”. “Unë jo, – tha me vendosmëri, – këta janë Kombëtarja e Shqipërisë. Nuk ka të tjerë, këta janë më të mirët”. Dhe nuk ka ndërruar askënd. I ka hyrë midis ndeshja me Poloninë e 12 majit 1971, por tash për Kampionatin Europian. Është 1-1! Edhe këtu Sabah Bizi. Nuk ndalet. Ai ka një kulm tjetër në këtë barazimin 1-1 me Poloninë më 12 maj 1971 në Tiranë kur barazon Zhega. Një ndeshje që prapë kritikohet tejet! Dhe veçohet vetëm një njeri: Sabah Bizi. Deri aty sa u tha se ai pati pa dyshim lojën e tij më të madhe. Ajo ishte një Poloni e rrallë e trajnerit të shquar Kazimies Gurskit, me lojtarë të nivelit botëror: Ancok, Soltisik, dhe me treshen në majë të botës: Dejna – Lubanski – Gadoha. Midis tyre, siç shënon edhe shtypi, vetëm një njeri qëndron mbi të gjithë: Sabah Bizi. U tha se kjo ishte ndeshja e tij më e mirë në histori. Nuk e di… Ai ishte vetëm 23 vjeç. Karriera e tij kombëtarase mendohej të shkonte deri përtej viteve ’80. Dhe askush nuk mendonte se në të vërtetë, këto do të ishin ndeshjet e fundit të Sabah Bizit të Kombëtares. Mbas një muaji në Karlsruhe është Gjermani – Shqipëri 2-0. Më se normale. Por sulmet kundër Loro Boriçit nuk ndalin. Shqipëria humbet 0-2 në Karlsruhe me Gjermaninë. Kombëtarja kritikohet sikur të ishte skuadra e botës, teksa quhet antifutboll humbja 0-2 me gjermanët. Pa i shkuar askujt ndër mend se mbas 5 muajve në qetësi të plotë, Boriçi do të nxjerrë nga arkivi i tij një tjetër bukuri. 14 nëntor 1971 dhe 3-0 Turqisë në ndeshjen e fundit për Kampionatin Europian. Në thelb, Kombëtarja është po ajo, ndonëse Boriçi ka megjithatë katër debutues, Sejdini, Leshteni, Duçka në pjesën e dytë dhe “njëfarë” Ilir Pernaska, vetëm 20 vjeç. Dhe dy gola bash të këtij Ilir Pernaske 20- vjeçar. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” nuk përmbahet! 32-vjeçari Panajot Pano, kapiteni tjetër i madh, ka dhe ai golin e tij të minutës së 60-të duke kurorëzuar një 3-0 që për mbi 20 vjet do të mbetet fitorja e artë e Kombëtares në Kampionate Europiane e Botërore. Asnjëherë nuk ishte parë kësisoj efikasiteti i një futbolli të këtillë sulmues për Shqipërinë e vogël. Me 3 pikë (ishte sistemi i 2 pikëve për fitoren) Shqipëria kishte arritur përfaqësimin e saj më të mirë në një Europian apo Botëror dhe ky rezultat shkakton tronditje në gjithë ndërtesën e drejtimit të futbollit turk me shkarkime të pamëshirshme. Për çudi, kjo është ndeshja ku Sabah Bizi nuk është një mesfushor universal. Është një mesfushor tipik sulmues dhe e ka mendjn veç te golat, që do të ishin plot tre. E ka mendjen te Pano e Pernaska. Harkon, shtrin topa, gjuan dhe vetë, kthehet paksa dhe përsëri sulmon. Loro Boriçi ngrihet shpesh duke tundur kryet e ndonjëherë ka buzagazin e tij të çuditshëm, teksa kthehet prapë te stoli duke tundur kryet. Është një 3-0 shembullor, fitorja më e thellë në histori e Shqipërisë për Kampionatet Europiane e Botërore, mbas dy herë 3-0 pa luajtur asnjë minutë më 1964 ndaj Greqisë mospranuese. Askujt nuk i shkonte ndër mend se mû këtu, në këtë ditë të paharrueshme, po bëhej gati të merrte fund dhe historia kombëtarase e vetëm 23-vjeçarit Sabah Bizi. Njeriut, i cili, sa me ndërprerje dhe kaq të shkurtër që do ta kishte pjesë- marrjen e tij në Kombëtare, tejet të gjatë do ta kishte jetën e tij futbollistike në tanësi. Kësisoj, përmbyllja e futbollit të tij të pashlyeshëm do të ruante edhe një kulm tjetër, mû atëherë kur nuk mendohej… Do ta tregojmë në kapitullin e ardhshëm që do të jetë i fundit i sagës bizjane. * Për vazhdimësi, shih Kapitujt I, II, III, IV, V, VI, VII në “Panorama Sport” 20, 30 korrik, 4, 10, 16, 27 gusht, 3 shtator 2015.