Tirana do sulmuesin 900 mijë eurosh, në Rumani e konfirmojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2026 | 9:02

Tirana do sulmuesin 900 mijë eurosh, në Rumani e konfirmojnë

Në Rumani e konfirmojnë se Tirana ka shfaqur interes për Drilon Hazrollajn, sulmuesin kosovar që mund të largohet nga Rapid Bukureshti vetëm një vit pas transferimit të tij të bujshëm.hazrollajKlubi rumun është pranë një vendimi për të mbyllur bashkëpunimin me 22-vjeçarin, i cili u afrua në verën e vitit 2025 për shumën e 900 mijë eurove nga FC Malisheva. Transferimi u konsiderua një tjetër goditje nga tregu kosovar, pas suksesit që Rapid kishte pasur më herët me lojtarë si Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi. Megjithatë, aventura e Hazrollajt në Giule’ti nuk ka shkuar sipas pritshmërive.

VETËM 14 NDESHJE – Sulmuesi kosovar nuk arriti të gjejë hapësirat e dëshiruara në formacionin e Rapidit. Gjatë sezonit të kaluar ai regjistroi vetëm 14 paraqitje, pa arritur të shënojë gol apo të japë asistime që do të justifikonin investimin e madh të klubit rumun. Problemet fizike dhe mungesa e vazhdimësisë ndikuan në rolin e tij te skuadra, ndërsa konkurrenca në repartin ofensiv u shtua edhe më shumë pas ndryshimeve në pankinë. Në këto kushte, një largim gjatë merkatos së kësaj vere shihet si një mundësi reale.

TIRANA – Sipas raportimeve të mediave rumune, KF Tirana po monitoron nga afër situatën e Hazrollajt dhe mund të tentojë ta sjellë në kampionatin shqiptar. Ende nuk dihet nëse oferta e klubit bardheblu do të jetë për një huazim apo për një transferim përfundimtar, por një rikthim në rajon mund t’i japë sulmuesit mundësinë për të rigjetur formën dhe minutat që i kanë munguar në Rumani. Rapid rrezikon të humbasë një pjesë të madhe të investimit Një vit pas transferimit të tij me vlerë 900 mijë euro, vlera e tregut e Hazrollajt është ulur ndjeshëm dhe aktualisht vlerësohet rreth 400 mijë euro. Nëse marrëveshja me Tiranën do të konkretizohet, Rapid do të përpiqet të minimizojë humbjet financiare nga një transferim që deri tani nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Për klubin nga Giuleshti, largimi i Hazrollajt do të shënonte fundin e një prej investimeve më të mëdha të viteve të fundit, por edhe të një aventure që nuk arriti të përmbushte pritshmëritë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL