“Makthi mbaroi, e kishim detyrim kthimin në elitë”. Batha: Nuk më mban kontrata te Flamurtari, por respekti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2025 | 12:43

“Makthi mbaroi, e kishim detyrim kthimin në elitë”. Batha: Nuk më mban kontrata te Flamurtari, por respekti

Idriz Batha do t’i qëndrojë besnik Flamurtarit edhe në Kategorinë Superiore. Është në kontratë me klubin dhe ai e pranon se në Vlorë  nuk e mban një copë letër, por mbi të gjitha respekti. Në intervistën e dhënë së fundmi për “Panorama Sport”, mesfushori Batha thekson se Kategoria e Parë ishte shumë e vështirë.

BATHA NE STERVITJE ME FLAMURTARIN

Ai shpreson që të ndërtohet një skuadër me lojtarë të cilët e njohin Kategorinë Superiore dhe që e rrisin konkurrencën në radhët e kuqezinjve.

Batha, si ishte rikthim juaj i dytë te Flamurtari?

Rikthimi te Flamurtari ishte emocionues, por sigurisht edhe me përgjegjësi më të madhe. Them me përgjegjësi më të madhe, pasi Flamurtari kishte detyrimin për t’u rikthyer atje ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar. E theksoj që ishte një rikthim i bukur.

Skuadra u rikthye pas pesë vitesh mungesë në Superiore. Mendoni se ishte dhe një misioni juaj personal i realizuar me sukses?

Jo prej meje, por prej nesh si klub. Të gjithë kanë meritën e tyre për këtë sukses. Unë jam një hallkë e vogël në këtë zinxhir.

Klubi vlonjat, me sa duket, ju ka në plane për sezonin e ri. Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Unë jam në kontratë me Flamurtarin edhe për këtë sezon. Me presidentin Idrizi dhe me Flamurtarin nuk më mban lidhur vetëm një copë letër, por respekti mbi të gjitha.

Sa e vështirë ishte Kategoria e Parë?

Ishte shumë e vështirë për arsye të ndryshme, mbi të gjitha infrastruktura linte për të dëshiruar. Shpresoj që në të ardhmen të ndryshojë diçka, sepse gjithçka është në të mirë të futbollit. Më vjen mirë që mbaroi ky makth për Flamurtarin.

Cila është këshilla juaj për merkaton e verës së skuadrës?

Dëshira ime është të bëhet një merkato me lojtarë të cilët e njohin kampionatin dhe sigurisht të rrisin konkurrencën në ekip.

Deri ku mendoni se arrin ky Flamurtar në Superiore në sezonin e ri?

Për momentin nuk mund të jap një përgjigje, sepse ekipi akoma nuk është konsoliduar.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL