Kampionët e Egnatias mes luhatjeve dhe presionit, “dopio” vendimtare me durrsakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2026 | 14:04

Kampionët e Egnatias mes luhatjeve dhe presionit, “dopio” vendimtare me durrsakët

Egnatia nuk po arrin të krijojë vazhdimësi në rezultate. Pikërisht atëherë kur fitorja ndaj Dinamos u duk si një sinjal i qartë se rrogozhinasit do të nisnin një cikël pozitiv, humbja përballë Partizanit vërtetoi të kundërtën.

EGNATIA

Një disfatë që tregoi se kampionët në fuqi nuk do ta kenë aspak të lehtë të mbrojnë titullin, sidomos në një moment kur diferenca me vendin e parë, që mbahet nga Vllaznia, ka shkuar në pesë pikë. Kjo distancë, ndonëse jo e pakapërcyeshme, shton presionin mbi skuadrën, e cila nuk ka më shumë hapësirë për gabime. Trajneri Edlir Tetova është përpjekur të ndërhyjë shpesh, duke bërë ndryshime si në formacion ashtu edhe në qasjen taktike, në kërkim të formulës së duhur për sukses.

Megjithatë, deri më tani, ekipi ka hasur vështirësi për të gjetur stabilitetin e nevojshëm. Luhatjet në performancë kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditje dhe në besimin e grupit, duke e bërë rrugëtimin më të ndërlikuar nga sa pritej për një skuadër që mban statusin e kampiones. Gjithsesi, kampionati është ende i hapur dhe ka ndeshje të mjaftueshme për të rikuperuar terren. Për më tepër, Egnatia është me një këmbë në gjysmëfinalen e Kupës, një objektiv real dhe i prekshëm që mund të shpëtojë sezonin dhe t’i japë skuadrës një shtysë morale të rëndësishme për vijimin.

DOPIO TEUTA – Deri sezonin e kaluar, Teuta konsiderohej si “macja e zezë” e Egnatias, një kundërshtar ndaj të cilit rrogozhinasit e kishin të vështirë të merrnin pikë. Megjithatë, këtë edicion duket se raportet janë përmbysur. Në tri përballjet e zhvilluara deri tani, dy në kampionat dhe një në kupë, Egnatia ka arritur të triumfojë, duke e kthyer skuadrën durrsake në një rival ndaj të cilit ka gjetur siguri dhe rezultate. Pikërisht nesër luhet ndeshja e kthimit në Kupë, ku Egnatia vjen me avantazhin minimal 2-1 të arritur në transfertë.

Ky rezultat i jep një epërsi të rëndësishme, por jo përfundimtare. Kualifikimi kërkohet me çdo kusht, pasi Kupa përfaqëson një objektiv konkret dhe një mundësi reale për trofe. Një menaxhim i kujdesshëm i ndeshjes dhe ruajtja e ekuilibrit do të jenë thelbësore për të shmangur surprizat. Menjëherë pas sfidës së Kupës, dy skuadrat do të përballen sërish në kampionat. Pra, bëhet fjalë për një “dopio” përballje me Teutën, në një moment vendimtar dhe delikat të sezonit.

Dy ndeshje që mund të përcaktojnë jo vetëm ecurinë në Kupë, por edhe fatin në garën për titull. Suksesi në këto përballje do ta mbante Egnatian plotësisht në garë për të dy trofetë, duke rikthyer entuziazmin dhe besimin brenda grupit. Në të kundërt, rezultate negative do të komplikonin ndjeshëm objektivat, duke rrezikuar që sezoni të mbyllet pa trofe dhe me zhgënjim. Për këtë arsye, ditët në vijim konsiderohen vendimtare për kampionët, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhjesh do të gjejë Tetova për ta rikthyer skuadrën në shinat e duhura dhe për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive.0

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL