Imami analizon formën dhe objektivat: Tirana mbijeton, Dinamo e arrin “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2026 | 16:25

Imami analizon formën dhe objektivat: Tirana mbijeton, Dinamo e arrin “Final 4”

Dinamo dhe Tirana do të përballen së bashku të shtunën për të synuar një rezultat pozitiv në garën objektivat sezonalë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ishmbrojtësi i të dyja skuadrave, Eni Imami e sheh një përballje që mund të sjellë shumë për të dyja skuadrat dhe shton se do të donte një fitore të Tiranës vetëm për të mbijetuar në Superiore. Për Dinamon, është i bindur se blutë e kapin “Final 4” duke shtuar se ka diçka më shumë se Partizani.

Eni-Imami

Dinamo dhe Tirana… Si i ke parë sezonet e të dyja ekipeve?

Tirana tani është siç dihet. Normalisht s’ka pasur startin e sezonit që pritej. Është jashtë çdo lloj parashikimi, por mendoj se ka pasur dy-tre ndryshime trajnerësh dhe me ardhjen e profesor Gesit sikur ka ndryshuar disi, jo disi, por ka ndryshuar goxha në lojë. Në rezultate normalisht po i merr pikët që i duhen, por ka bërë edhe lojëra të mira ku s’ka marrë pikë. Siç e thashë, lojërat kanë qenë të mira, por pikët i kanë munguar. Tani mendoj që hyn në një fazë ku Tiranës, ashtu si edhe Dinamos, i duhen pikët për objektivat e veta. Janë jetike, por mendoj që Tiranës i duhen pak më shumë, sepse po lufton për mbijetesë. Një kampionat pa Tiranën s’ka kuptim. Ndërsa nga krahu tjetër, Dinamo ka pasur edhe llogaritjet e veta, pasi bëri shumë mirë në Kupat e Europës dhe pritej një Dinamo dominuese këtë vit. Unë personalisht e prisja një Dinamo dominuese, por dëmtimet kanë bërë punën e vet dhe largimet ndoshta nuk kanë qenë shumë të menduara mirë. Gjithsesi, e ka rigjetur forcën, pasi ka atë dinamikë dhe një trajner që për mua është më i miri në Superiore si Ilir Daja.

A mendon se mund ta arrijë objektivin, duke parë edhe garën me Partizanin që është kokë më kokë me pikë?

Janë me barazim pikësh për momentin. Pavarësisht kësaj, Partizani nga janari e mbrapa ka treguar lojëra shumë të mira. Mendoj që do të jetë një konkurrencë e vështirë, por prapë mendoj që Dinamo ka diçka më shumë se Partizani dhe mund të arrijë në “Final 4” në fund.

Po Tirana, mendon se ka diçka më shumë se ekipet e tjera për të mbijetuar?

Tirana, sido që të jetë, është një ekip që kur luan kundër saj, e kam provuar edhe vetë, kundërshtarët motivohen shumë më tepër sesa kundër një ekipi tjetër. Është fanella e Tiranës që ka peshë dhe nuk është njëlloj sikur të jesh kundër Tiranës apo kundër një tjetre që s’ka peshën e fanellës së Tiranës dhe këtu nuk po përmend emra, por kështu ndodh. Unë mendoj që Tirana do shpëtojë. Jo vetëm për fanellën, por sepse realisht ka treguar lojëra të mira dhe ka bërë shumë lëvizje të duhura me ardhjen e profesor Gesit.

Çfarë mendon se duhet të bëjë Tirana ndryshe për sezonin tjetër, që të mos jetë në këto kushte?

Tirana dhe shumë ekipe në Shqipëri duhet të heqin dorë nga “sëmundja” e lojtarëve të huaj. Nuk jam aspak pro këtyre lëvizjeve ku vijnë lojtarë pa u njohur fare, bëhen kontrata me menaxherë pa ditur kush është lojtari, vetëm nga video në “YouTube”. Bota jashtë i ka lënë këto prej kohësh. E vetmja gjë që do sugjeroja është më shumë prodhim vendas, pra lojtarë nga akademia.

Tani që ka hyrë rregulli që lejon më shumë lojtarë të huaj, a mendon se ka ulur nivelin e kampionatit?

Mendoj që niveli i kampionatit ka rënë edhe pa hyrë ky ligj fare. Që pas periudhës së COVID-it nuk është më i njëjti. Nëse shikon kryegolashënuesin e Superligës, që ka 13 gola dhe gjysma prej tyre janë të shënuar me penallti. Kuptohet vetë pastaj.

Këtë javë është Dinamo– Tirana. Si e parashikon ndeshjen dhe rezultatin e këtij takimi?

Të them të drejtën, nuk e gjej dot një rezultat të saktë. Është një ndeshje e fortë dhe nuk ka lidhje me klasifikimin. Uroj të jetë një lojë e bukur dhe jam i bindur që nuk do të ketë lidhje me historikun e ndeshjeve të shkuara sepse kjo është ajo që i mungon Superiores.

Ti personalisht, si ishlojtar i të dyjave, cilës do t’i uroje fitoren?

Vetëm për faktin që të qëndrojë në kategori, do t’ia uroja Tiranës, sepse një kampionat pa Tiranën s’ka kuptim.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL