I dha fitoren Vllaznisë, Mala tregon çfarë mendoi para golit: Rëndësi ka që…
Esat Mala i dha fitoren Vllaznisë ndaj Vikingurit. Goli i tij solli përmbysjen me rezultatin 2-1 në “Loro Boroçi”.

Sulmuesi i kuqebluve deklaroi pas ndeshjes:
“Faktikisht, kur iu afrova 16-shes, në mendjen time e kisha të pasoja për Balajn, por nuk u afrua mbrojtësi i anës së Balajt dhe thashë ta provoj gjuajtjen se pashë cepin. Me pak fat u devijua dhe shkoi në cep tjetër, por rëndësi ka që u fut gol.
Fatmirësisht, nga ndeshja e parë në Elbasan kundër ekipit letonez, kam vazhduar stërvitjen. Nuk them se jam akoma në gjendjen që dua të jem fizike. Probleme nuk kam pasur. Pozita më përshtatet shumë sepse jam mbrapa dy sulmuesve të fortë si Beko dhe Çarlsi. Dhe jam aty për topat e dytë, për t’i shërbyer dhe për ta nisur shpejt sulmin. Ndihem komod sepse më lejon të dal në lojën time, të kap thellësinë ose të jap ndonjë top të mirë. E treguam edhe sot, me karakter dhe qetësinë e duhur ishim aty ku duhet.
Po nis sezoni i katërt në Shkodër dhe do të thotë se jam përshtat shumë mirë. Nuk po them vetëm çunat dhe klubin, por edhe qyteti, njerëzit në përditshmëri më kanë pritur shumë mirë. Jam ambientuar dhe jam shumë i kënaqur këtu. Gjej rastin t’i falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme”, u shpreh Mala për RTSH.
PANORAMASPORT













