“Gjithçka është në këmbët tona”, Kërnaja: Pse jo edhe më shumë se vendi i 4-t?!
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli në konferencën për shtyp para ndeshjes në transfertë ndaj Elbasanit, këtë të hënë duke nisur nga ora 19:00. Tekniku i të kuqve theksoi se skuadra e tij do të futet në fushë për të fituar, ndërsa shtoi se objektivi për vendin e katërt varet vetëm nga rezultatet e ekipit të tij dhe se kjo është diçka e mirë, pra të pasurit e fatit në duart e veta.

Ndërkaq, Kërnaja gjithashtu përveç vendit të katërt la të hapur edhe mundësitë për të provuar dhe për të marrë diçka më tepër se vetëm kaq në këtë sezon.
Ju mungon fitorja prej tre ndeshjesh…
Besoj se ndoshta nuk është momenti aq i mirë sa e kishim menduar. Vërtet jemi tre ndeshje pa fitore, por mos harrojmë që jemi edhe nëntë ndeshje pa humbje. Besoj është një moment normal brenda objektivit që jemi ne në fillim të sezonit.
Mund të përsërisni një tjetër fitore në Elbasan?
Sigurisht do të tentojmë ta përsërisim përsëri.
Cili është shqetësimi që keni në prag të ndeshjes me Elbasanin?
Shkojmë për të fituar, për të mbajtur pozicionin që kemi ne, atë që me shumë punë dhe djersë e kemi arritur deri tani. Shkojmë vetëm për rezultat pozitiv, nuk është se kemi shqetësime. Vërtet mund të kemi ndonjë mungesë lojtarësh, por të tjerët që kemi në gjendje janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.
Cilat janë mungesat për këtë ndeshje?
Kemi Martinez që është operuar, Skukën që vazhdon të vuajë një dëmtim dhe Atanaskoski i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Dueli me Dinamo City për vendin e katërt…
Çdo gjë tashmë është në këmbët tona. Më përpara nuk ka qenë në këmbët tona, por në këmbët e të tjerëve. Besoj me punë dhe përkushtim, siç kanë dhënë gjithë djemtë, kokën ulur maksimumin në fushë, do arrijmë ta mbajmë atë vend, pse jo edhe më lart.
PANORAMASPORT.AL













