Gjasula e Xhaka bëhen trajnerë, ish-mesfushori: Do të pres Granitin
Ish-futbollistët e Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula dhe Taulant Xhaka, kanë përfunduar me sukses kursin UEFA A, të organizuar nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, duke hedhur një tjetër hap drejt karrierës së tyre si trajnerë. Në një prononcim për fshf.org, Klaus Gjasula theksoi rëndësinë që ka kjo licencë për të ardhmen e tij në futboll.

“Për mua ishte shumë e rëndësishme për të marrë këtë diplomë sepse të ardhmen time e shoh në futboll, dua të vazhdoj si trajner. E gjithë kjo eksperiencë që kam marrë në këtë kurs, është shumë e rëndësishme për të ardhmen time. Kam mësuar shumë, ishte një eksperiencë e mirë për të dëgjuar edhe komentet e pjesëmarrësve të tjerë në këtë kurs.
Gjithmonë mësohen gjëra të reja. Kam shumë objektiva, nuk dua t’i them të gjitha. Jam një njeri që po nisa diçka, dua ta përfundoj mirë dhe të nxjerr maksimumin, siç kam qenë si lojtar, ashtu dua të jem edhe si trajner”, tha Gjasula. Licencën UEFA A e përfundoi me sukses edhe Taulant Xhaka, i cili vlerësoi organizimin dhe nivelin e kursit, duke falënderuar FSHF-në për mundësinë e ofruar.
“Niveli i kursit ka qenë shumë i lartë. Profesorët kanë qenë të një niveli të lartë dhe kemi mësuar shumë mirë. Falënderoj FSHF-në për këtë mundësi. E vlerësoj shumë lart këtë kurs dhe diplomën UEFA A. Do e pres Granitin deri sa të mbyllë karrierën e vet dhe do e nis me Granitin bashkë. E kam një synim për të ardhmen te Bazel, tek ekipi i parë. Por do pres Granitin derisa të mbarojë futbollin dhe do t’ia nisim së bashku”, u shpreh Xhaka.
PANORAMASPORT.AL













