Besëlidhja nuk ndalet në merkato, lezhjanët prezantojnë futbollistin e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2026 | 18:16

Besëlidhja nuk ndalet në merkato, lezhjanët prezantojnë futbollistin e radhës

Besëlidhja vazhdon të jetë një nga klubet më aktive të Kategorisë së Parë në merkaton verore. Drejtuesit lezhjanë po ndërtojnë një skuadër konkurruese për sezonin e ri, duke afruar futbollistë me përvojë dhe cilësi. Pas transferimeve të Lorenc Trashit dhe Stivian Jankut, klubi ka zyrtarizuar edhe një tjetër përforcim të rëndësishëm.

Beselidhja

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Ardit Topallaj, i cili do të veshë fanellën e Besëlidhjes në sezonin 2026- 2027. Mbrojtësi 26-vjeçar vjen pas një eksperience të rëndësishme në futbollin kosovar dhe atë turk. Ai spikati me fanellën e Ferizajt në Superligën e Kosovës, çka i hapi rrugën transferimit te Hatayspor në Turqi. Sezonin e fundit, Topallaj ishte pjesë e Trepçës ’89, ndërsa tani pritet të jetë një nga shtyllat e repartit difensiv të skuadrës lezhjane.

Zyrtarizimi i tij u bë përmes një njoftimi në faqen zyrtare të klubit. “Ardit Topallaj firmos për Besëlidhjen. Mbrojtësi 26-vjeçar vjen në Lezhë pas një eksperience të pasur në skuadra të ndryshme të Gjermanisë dhe Superligës së Kosovës”, thuhet në reagimin e klubit. Me afrimin e Topallajt, Besëlidhja konfirmon ambiciet për të qenë një nga skuadrat protagoniste në Kategorinë e Parë dhe për të luftuar për objektivat e sezonit të ri.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL