I karikuar pas suksesit me Ferrarin, Hamilton: Tani kam makinën që kam dashur
Pas suksesit të tij të parë të madh me Ferrarin të dielën e kaluar në Barcelonë, Luis Hamilton bën thirrje për qetësi përpara Çmimit të Madh të Austrisë. Sipas britanikut, është ende herët për të menduar për kampionatin, pavarësisht se ndodhet vetëm 41 pikë larg kreut.

“Nuk vijmë në Austri duke menduar për kampionatin. Duhet të qëndrojmë të qetë, me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë siç duhet. Duhet të bëjmë çdo gjë në mënyrë perfekte, sepse nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit”, u shpreh Hamilton.
Më pas, ish-piloti i Mercedesit iu përgjigj edhe kritikëve: “Është vërtet e çuditshme të shohësh se si njerëzit kanë ndryshuar krejtësisht mendimin e tyre krahasuar me atë që thoshin më parë. Megjithatë, sa i përket kampionatit, nuk lejoj që kjo të më ndikojë. Kam qenë edhe më parë në një situatë të tillë dhe e di çfarë duhet të bëj. Rruga është ende shumë e gjatë. Është fantastike të kem më në fund një makinë me karakteristikat që kisha kërkuar”.
PANORAMASPORT.AL













