Nga “hajduti i peshqirit” te heroi i Botërorit, historia e Saibarit dhe sfida ndaj yjeve për “Këpucën e Artë”
Pak muaj më parë, Ismael Saibari ishte në qendër të vëmendjes për një incident që bëri xhiron e rrjeteve sociale gjatë finales së Kupës së Kombeve të Afrikës mes Marokut dhe Senegalit. Sot, ai është një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës 2026 dhe po lufton për fitimin e “Këpucës së Artë”.

Gjatë finales së Kupës së Kombeve të Afrikës, Saibari u filmua duke tentuar t’i merrte peshqirin portierit të Senegalit, Eduard Mendi, në një moment tensioni të ndeshjes. Pamjet u përhapën me shpejtësi në internet, ndërsa futbollisti maroken u bë objekt kritikash dhe komentesh tallëse nga tifozët. Megjithatë, pas finales, Saibari tregoi pjekuri. Ai shkoi personalisht në hotelin e kombëtares së Senegalit për t’i kërkuar falje Mendit dhe pjesëtarëve të ekipit për veprimin e tij. Gjesti u vlerësua si një shenjë respekti dhe sportiviteti, duke mbyllur një episod që kishte rrezikuar të linte njollë në imazhin e tij.
Askush nuk e llogariste, por Botërori ndryshoi gjithçka
Kur nisi Kupa e Botës 2026, emrat që përmendeshin në garën për “Këpucën e Artë” ishin Lionel Mesi, Kilian Mbape, Kristiano Ronaldo, Erling Haland dhe Vinicius Zhunior. Madje, edhe kur flitej për Marokun, shumica e tifozëve dhe analistëve përmendnin Brahim Diazin ose Ashraf Hakimin si lojtarët që mund të bënin diferencën. Emri i Ismael Saibarit pothuajse nuk përmendej. Por mesfushori 25- vjeçar është shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të turneut. Ai ka gjetur rrugën e rrjetës në të tre ndeshjet e fazës së grupeve, duke shënuar kundër Brazilit, Skocisë dhe Haitit. Goli ndaj Brazilit tërhoqi vëmendjen e gjithë botës së futbollit. Në barazimin 1-1, Saibari tregoi qetësi të jashtëzakonshme përballë Alisonit, duke finalizuar me shumë klas. Ndaj Skocisë ai realizoi pas vetëm 70 sekondash lojë, duke shënuar golin më të shpejtë të turneut deri në atë moment, si edhe golin më të shpejtë të Marokut në historinë e Kupave të Botës. Edhe përballë Haitit ishte vendimtar, duke realizuar golin e barazimit 2-2 pak para përfundimit të pjesës së parë, në fitoren 4-2 të marokenëve.
Rekorde historike për Marokun, Bajern Mynih e pret me krahët hapur
Me tre gola në tre paraqitjet e para në Kupën e Botës, Saibari ka hyrë në histori. Ai është bërë lojtari i parë maroken që shënon në secilën prej tre ndeshjeve të para të një Botërori, si edhe futbollisti i parë afrikan që realizon gol në secilën nga tre paraqitjet e tij të para në Kupën e Botës. Paraqitjet e tij e kanë vendosur mes kandidatëve më seriozë për fitimin e “Këpucës së Artë”. Forma e shkëlqyer e Saibarit nuk ka kaluar pa u vënë re as nga klubet e mëdha evropiane. Mesfushori ofensiv ka siguruar tashmë një transferim prej 55 milionë eurosh te Bajern Mynih, ku do të luajë deri në vitin 2031. Ai do ta nisë fazën eliminatore të Kupës së Botës me vetëbesim maksimal, duke e ditur se e ardhmja e tij është tashmë e sigurt te një nga klubet më të mëdha në Evropë.
Nga një moment i sikletshëm në statusin e një ylli
Vetëm pak muaj më parë, Ismael Saibari përmendej si futbollisti që tentoi t’i merrte peshqirin Eduard Mendit. Sot, ai është një nga protagonistët më të mëdhenj të Kupës së Botës dhe emri i tij përmendet në të njëjtën fjali me yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, në garën për “Këpucën e Artë”. Një transformim i jashtëzakonshëm që tregon se në futboll mjaftojnë vetëm disa muaj për të kaluar nga një episod i diskutueshëm në statusin e heroit kombëtar dhe një prej yjeve më të ndritshëm të skenës botërore.
PANORAMASPORT.AL













