EKSKLUZIVE/ Kallaku bëhet çështje te Vllaznia, refuzon kthimin në Shkodër
Situata e Sherif Kallakut te Vllaznia mbetet një nga çështjet më të paqarta të kësaj vere. Fantazisti, i cili vetëm pak ditë më parë u konfirmua se kishte rinovuar bashkëpunimin me klubin shkodran, vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve për të ardhmen e tij.

Rrethanat e ditëve të fundit kanë ngritur jo pak pikëpyetje mbi vazhdimësinë e tij me fanellën kuqeblu. Që prej të dielës së kaluar, Vllaznia është zhvendosur në Slloveni për të zhvilluar fazën përgatitore në prag të sezonit të ri dhe sfidës së Conference League ndaj Malishevës. Megjithatë, në mesin e futbollistëve që morën rrugën drejt Sllovenisë nuk ishte Sherif Kallaku. Arsyeja zyrtare e dhënë nga klubi lidhej me skadimin e pasaportës së mesfushorit, por mungesa e tij ka shtuar edhe më shumë dilemat.
Burimet bëjnë me dije se situata është shumë më komplekse sesa një problem dokumentacioni. Pavarësisht rinovimit të kontratës, nuk përjashtohet mundësia që futbollisti nga Fushë-Kruja të mos jetë pjesë e projektit të Vllaznisë për sezonin e ri. Për momentin nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, por zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se e ardhmja e tij mbetet e hapur. Nëse një skenar i tillë do të konkretizohej, atëherë Kallaku do t’i shtohej listës së futbollistëve që kanë lënë “Loro Boriçin” gjatë kësaj merkatoje.
Do të ishte një largim që pak javë më parë dukej i pamundur, sidomos pas konfirmimit të rinovimit, por futbolli shpesh rezervon kthesa të papritura. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar se cili do të jetë fati i Sherif Kallakut. Deri atëherë, mungesa e tij nga grumbullimi në Slloveni vazhdon të ushqejë zërat se aventura e fantazistit me Vllazninë mund të jetë shumë pranë fundit, pavarësisht sinjaleve pozitive që u dhanë vetëm pak kohë më parë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













