Alarm i heshtur te Vllaznia, kush do të udhëheqë skuadrën?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2026 | 23:47

Alarm i heshtur te Vllaznia, kush do të udhëheqë skuadrën?

Vllaznia po kalon një verë ndryshimesh të thella, ku përveç largimeve të shumta në aspektin teknik, një nga çështjet që po ngre më shumë pikëpyetje lidhet me mungesën e liderëve brenda grupit. Shkodranët kanë humbur disa prej figurave më të rëndësishme të viteve të fundit dhe kjo është një situatë që mund të ketë ndikim jo vetëm në cilësinë e skuadrës, por edhe në ekuilibrat e dhomave të zhveshjes.

VLLAZNIA

Largimet e Ardit Krymit, Esat Males, Bajramit dhe Esin Hakajt kanë lënë një boshllëk të ndjeshëm në këtë drejtim. Bëhet fjalë për futbollistë që për vite me radhë kanë mbajtur peshë të madhe në skuadër, duke qenë pika referimi si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Përvoja, personaliteti dhe ndikimi i tyre kanë qenë shpesh faktorë vendimtarë në momentet më të vështira që ka kaluar ekipi. Në futboll, liderët nuk maten vetëm me minutat apo statistikat.

Ata janë futbollistët që marrin përgjegjësi, që mbajnë grupin të bashkuar dhe që dinë të udhëheqin skuadrën në ndeshjet me presion të lartë. Pikërisht në këtë aspekt, Vllaznia duket se ka humbur disa prej shtyllave kryesore dhe tashmë duhet të gjejë figura të reja që mund të marrin mbi supe këtë rol. Aktualisht, dy emra që mund të konsiderohen liderë të mirëfilltë te kuqeblutë janë Bekim Balaj dhe Erdenis Gurishta.

Sulmuesi dhe kapiteni historik i skuadrës mbetet figura më përfaqësuese e grupit, ndërsa Gurishta është një tjetër futbollist me eksperiencë dhe autoritet të padiskutueshëm në ambientin shkodran. Të dy pritet të kenë një rol edhe më të madh në sezonin e ardhshëm, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në menaxhimin e grupit. Megjithatë, për një skuadër që synon trofe dhe paraqitje dinjitoze në arenën europiane, dy liderë mund të mos mjaftojnë.

Merkatoja e verës nuk do të duhet të fokusohet vetëm te cilësia teknike e afrimeve, por edhe te karakteri dhe personaliteti i futbollistëve që do të vijnë. Vllaznia ka nevojë për lojtarë që dinë të marrin përgjegjësi në momentet vendimtare, sepse përveç golave dhe pikëve, ekipet e mëdha ndërtohen edhe mbi figurat që dinë të udhëheqin.

PANORAMASPORT.AL