Nuk lejohet, FIFA i mbyll dyert rosakut më të famshëm të Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2026 | 19:16

Nuk lejohet, FIFA i mbyll dyert rosakut më të famshëm të Botërorit

Përralla e Merlin, rosakut që është kthyer në simbolin e kombëtares së Meksikës në Kupën e Botës 2026, ka hasur në një pengesë të papritur. Heroi i tifozëve meksikanë nuk u lejua të ndiqte nga tribuna ndeshjen e Meksikës kundër Çekisë, për shkak të rregulloreve të FIFA-s që ndalojnë hyrjen e kafshëve në stadiume. Merlin është shndërruar në një fenomen të vërtetë në Meksikë gjatë këtij Botërori.

Screenshot 2026-06-26 191559

Aq i madh është popullariteti i tij, sa tifozët kishin nisur një fushatë që rosaku i famshëm të ishte i pranishëm në tribunat e stadiumit për të mbështetur “El Tri”. Megjithatë, FIFA nuk bëri përjashtim. Rosaku dyvjeçar mori leje të hynte në ambientet e jashtme të stadiumit “Azteca” për të realizuar një reportazh me Televisa, një nga rrjetet më të mëdha televizive në Amerikën Latine. I shoqëruar nga pronarja e tij, Karla Gomez, dhe djali i saj Kristian, Merlin udhëtoi në kushte të sigurta brenda një kafazi transporti, ndërsa shumë tifozë u mblodhën për ta parë nga afër.

Megjithatë, aventura e tij përfundoi para hyrjes në stadium. Sipas FIFA-s, kafshët nuk lejohen të futen në impiantet sportive për arsye që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Një zëdhënës i FIFA-s konfirmoi se Merlin u lejua të hynte në perimetrin e stadiumit, por jo në tribunat e tij, pa dhënë komente të tjera mbi rastin.

“Këto ditë kanë qenë të çmendura. Nuk do të ndalojmë kurrë së falënderuari për gjithçka që kemi përjetuar. Të gjithë janë të mahnitur nga Merlin”, deklaroi Karla GOmez për “Associated Press”. Vetë Merlin, të paktën deri tani, nuk ka bërë asnjë koment publik për politikat e FIFA-s ndaj rosakëve. Gjatë këtij Botërori, ai është kthyer në një yll të rrjeteve sociale dhe një personazh të dashur në të gjithë vendin.

I veshur me fanellën e gjelbër të Meksikës, Merlin shoqëron familjen e tij gjatë shitjes së pijeve në rrugët e kryeqytetit, merr pjesë në intervista televizive, takon tifozë dhe madje ka pasur rastin të takohet edhe me presidenten e Meksikës, Klaudia Sheinbaum. Edhe pse nuk do të jetë në tribunë për të mbështetur skuadrën, pronarja e tij beson se prania e Merlin vazhdon t’i sjellë fat kombëtares. “Merlin është hajmalia jonë. Jam e bindur se me të pranë, kombëtarja meksikane do të fitojë sërish”, tha ajo.

PANORAMASPORT.AL