Nuk mjaftojnë as 75 milionë euro, tenistët vazhdojnë protestën në Uimbëlldon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2026 | 18:31

Nuk mjaftojnë as 75 milionë euro, tenistët vazhdojnë protestën në Uimbëlldon

Tenistët do të vazhdojnë protestën e tyre lidhur me ndarjen e fondit të shpërblimeve në turnetë Grand Slam edhe gjatë Uimbëlldonit. Ashtu si në Roland Garros, ata do të paraqiten para mediave vetëm për 15 minuta dhe më pas do të largohen nga konferencat për shtyp. Kjo masë do të zbatohet duke filluar nga e shtuna, dita e dedikuar për mediat, për të vijuar edhe gjatë javës së parë të turneut.

Screenshot 2026-06-26 183147

Megjithëse Uimbëlldoni njoftoi për këtë edicion një rritje prej 20% të fondit të shpërblimeve, duke arritur një rekord prej 64.2 milionë paundësh (rreth 75.1 milionë euro), grupi i tenistëve që udhëheq protestën e konsideron këtë hap të pamjaftueshëm. Ata kishin kërkuar që fondi të arrinte në 71 milionë paundë. Sipas tenistëve, pjesa e të ardhurave që u takon atyre në Uimbëlldon është 14.4%, ndërsa synimi i tyre është që kjo shifër të rritet në 16%.

Lojtarët e pranojnë se rritja e shpërblimeve nga organizatorët e Uimbëlldonit përbën një “hap të sinqertë dhe domethënës”, por kërkojnë që të katër turnetë Grand Slam ta lidhin shpërndarjen e shpërblimeve me të ardhurat që gjeneron secili turne. Gjithashtu, ata kërkojnë rritjen e kontributeve në fondet e mirëqenies së tenistëve dhe një rol më të madh në procesin e vendimmarrjes.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për para, por për shumë çështje të tjera. Kur dërgon një ‘e-mail’ dhe nuk merr përgjigje për muaj të tërë… Jo, nuk ndihemi të dëgjuar, sepse askush nuk na përgjigjet”, deklaroi Andrei Rublev gjatë Roland Garrosit.

Në Grand Slamin francez, protesta u mbështet nga disa tenistë dhe teniste të njohur, mes tyre edhe Arina Sabalenka. Në anën tjetër, Novak Xhokoviç u distancua nga kjo nismë. “Unë nuk jam pjesë e kësaj lëvizjeje dhe nuk kam marrë pjesë në diskutime. Nuk jam pjesë e këtij kufizimi prej 15 minutash”, deklaroi tenisti serb.

PANORAMASPORT.AL