Situata tek Egnatia/ Kampionët, 51% mundësi për kualifikimin
Ekipet shqiptare mësuan rivalët në turin e parë të garave europiane. Egnatia ishte me fat pasi do të përballet me Petrokub. Kështu shmangu rivalë që do të ishin mjaft të vështirë për t’u eliminuar. “Fotball Rankings” u jep 51% mundësi kampionëve të Shqipërisë për kalimin më tej, kundrejt 49% për moldavët.

Fakt është se me afrimet e tjera që do të zyrtarizohen, Egnatia bëhet edhe më e frikshme. Sa i përket Ligës së Konferencës, Elbasani ishte me shumë fat. Verdheblutë peshkuan Bate Borisovin, që është drejt rënies nga kategoria në Bjellorusi. Kualifikimit të ekipit të Gvozdenoviç i jepen 86% mundësi, ndërsa 14% janë për bjellorusët. Sa i përket Vllaznisë që do të përballet me Malishevën, mund të befasohen sepse nuk ishte short i lehtë.
Shkodranët që bënin pjesë te vazo e favoritëve, mund të sfidonin rivalë më modestë. 45% mundësi janë për kuqeblutë që të kalojnënë turin e dytë, ndërsa 55% për Malishevën. Dinamo kishte shortin më të vështirë.
Pavarësisht se Astana është në krizë financiare, konsiderohet rival i vështirë për futbollin shqiptar. Mundësia për të kaluar Dinamo është 29%, ndërsa Astana 71%. Shkëndija, Drita dhe Ballkani janë favoritë për të kaluar sipas listës në fjalë. Shorti nuk u rezervoi ekipe që njihen në Europë.
PANORAMASPORT.AL













