EKSKLUZIVE/ E bujshme për Elbasanin, mesfushori me vlerë 600 mijë euro drejt transferimit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2026 | 21:49

EKSKLUZIVE/ E bujshme për Elbasanin, mesfushori me vlerë 600 mijë euro drejt transferimit (E PLOTË)

Elbasani vijon të jetë aktiv në merkaton e verës, ndërsa drejtuesit po punojnë për të kompletuar skuadrën përpara sfidave të Ligës së Konferencës.brooksss

Pas afrimeve të realizuara në repartet e tjera, verdheblutë vazhdojnë kërkimet edhe për një mesfushor qendre, pozicion ku kërkohet një zëvendësues për Isi Manellarin, i cili nuk do të jetë më pjesë e ekipit. Në këtë kuadër, “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se emri më i fundit që ka dalë në skenë është ai i Ethan Brooks. Mesfushori i Afrikës së Jugut, që aktivizohet te Panseraikos në kampionatin grek, i është ofruar drejtuesve verdheblu gjatë kësaj periudhe merkatoje dhe aktualisht është një nga profilet që po vlerësohen nga klubi.

PROFILI – Brooks është 24 vjeç dhe luan në qendër të mesfushës, pikërisht në repartin ku Elbasani po kërkon të ndërhyjë gjatë kësaj vere. Futbollisti ka qenë pjesë edhe e Kombëtares së moshave të Afrikës së Jugut, ndërsa prej disa sezonesh aktivizohet në futbollin grek, ku ka fituar eksperiencë në një kampionat konkurrues. Burimet bëjnë me dije se ai është vetëm një nga disa futbollistët që i janë propozuar klubit në javët e fundit. Drejtuesit dhe stafi teknik po analizojnë alternativa të ndryshme për këtë pozicion, me synimin për të gjetur profilin më të përshtatshëm për nevojat e skuadrës.brooks

BOSHLLËKU – Largimi i Isi Manellarit ka krijuar një boshllëk të rëndësishëm në mesin e fushës. Mesfushori ishte një nga elementët më të rëndësishëm të sezonit të kaluar dhe drejtuesit janë të vetëdijshëm se zëvendësimi i tij nuk është një mision i lehtë.

Pikërisht për këtë arsye, po studiohen me kujdes emra të ndryshëm nga tregu i huaj, ndërsa prioritet mbetet afrimi i një futbollisti që mund të japë ekuilibër në mesfushë dhe të krijojë një dyshe të fortë me Abas Ibrahimin. Brooks është një nga emrat që ka hyrë në diskutim, por për momentin nuk ka negociata të avancuara apo një marrëveshje konkrete. Situata mbetet e hapur dhe në tryezën e drejtuesve ndodhen edhe alternativa të tjera.

MERKATOJA – Ndërkohë, puna e Elbasanit në merkato vazhdon në disa drejtime. Verdheblutë kanë afruar futbollistë në sulm dhe mbrojtje, ndërsa mesfusha dhe porta mbeten repartet ku priten ende lëvizje. Veç mesfushorit qendre, klubi vazhdon të kërkojë edhe portierin që do të zëvendësojë Martin Janaçek. Burime pranë verdhebluve bëjnë me dije se pistat kryesore vazhdojnë të jenë jashtë Shqipërisë, me tregun çek që mbetet një nga opsionet më të preferuara.

Me ndeshjet europiane që po afrohen, drejtuesit synojnë të mbyllin sa më shpejt dosjet e mbetura të merkatos, në mënyrë që trajneri Ivan Gvozdenoviç të ketë grupin e plotë në dispozicion përpara përballjes me BATE Borisov.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL