Dinamo humbet golat, Europa në rrezik! Koha nuk premton para Astanës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2026 | 0:24

Dinamo humbet golat, Europa në rrezik! Koha nuk premton para Astanës

Dinamo po hyn në një periudhë të re rindërtimi, por vera e këtij viti ka sjellë një goditje të fortë në aspektin ofensiv. Largimet e disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës kanë krijuar një boshllëk të madh në organikë, jo vetëm për shkak të emrave, por mbi të gjitha për shkak të prodhimit të tyre në fushën e lojës.

dinamo2

Dejvi Bregu, Tiago Nani, Saliu Guindo, Bernard Berisha dhe Andre Teikseira nuk do të jenë më pjesë e Dinamos, duke marrë me vete statistika që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të sezonit të fundit. Në total, këta futbollistë kanë kontribuar me 25 gola dhe 29 asiste, duke qenë direkt të përfshirë në 54 aksione vendimtare në të gjitha kompeticionet.

Në një sezon ku Dinamo ka qenë e detyruar të kërkojë ekuilibra të rinj dhe vazhdimësi në performancë, këto shifra tregojnë qartë se sa i madh ishte ndikimi i këtij grupi lojtarësh. Më shumë se gjysma e produktivitetit ofensiv kalonte nga këmbët e tyre, duke i bërë figura kyçe në skemat e skuadrës.

Dinamo ishte një skuadër që gjatë sezonit të fundit shfaqi probleme dhe oshilacione të shumta në sulm ndërkohë që me largimin e këtyre lojtarëve, problemet tashmë shtohen shumë duke ditur edhe faktin se pas dy javësh, kryeqytetasit do të luajnë në Ligën e Konferencës ndaj një emri të madh sicc është Astana.

DEJVI BREGU- Mes të larguarve, Dejvi Bregu spikat si emri më i rëndësishëm në aspektin statistikor dhe ndikues në lojë. Sulmuesi i krahut ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, duke regjistruar 46 ndeshje, 18 gola dhe 10 asiste. Bregu ka qenë një nga motorët kryesorë të Dinamos në fazën sulmuese, duke marrë përsipër përgjegjësinë në momentet vendimtare dhe duke qenë konstant gjatë gjithë sezonit. Aftësia e tij për të krijuar rrezik në krah dhe për të finalizuar aksionet e ka bërë një nga lojtarët më produktivë të ekipit.

Largimi i tij nuk është thjesht humbje numerike, por edhe humbje e një profili që garantonte zgjidhje në situata të vështira. Nëse sezonin e shkuar ishin Itodo dhe Zabërgja dy lojtarët që siguruan gola dhe me largimin e tyre, Dinamo vuajti edhe pse Bregu e mbuloi mungesën e tyre deri diku. Tashmë me largimin e tij, Dinamo është në një hall të madh.

TIAGO NANI- Mesfushori portugez Tiago Nani ka qenë një nga lojtarët më të aktivizuar gjatë sezonit, me 45 ndeshje, 2 gola dhe 6 asiste, teksa nga trajneri Ilir Daja u përdor shpesh herë në role të ndryshme, duke luajtur si sulmues krahu, mesfushor apo edhe mbrojtës i djathtë. Roli i tij ka qenë më shumë taktik sesa statistikor. Nani ka ndihmuar në qarkullimin e topit dhe në lidhjen mes reparteve, duke qenë një element stabiliteti në mesfushë. Largimi i tij i heq Dinamos një lojtar me përvojë dhe një lojtar që njeh golin.

SALIU GUINDO- Sulmuesi nga Mali, Saliu Guindo, ka regjistruar 35 ndeshje, 5 gola dhe 3 asiste, duke qenë një profil ndryshe në repartin ofensiv. Edhe pse sulmuesi ishte jashtë pritshmërive, shpesh herë u kthye në pikë referimi për lojën e Dinamos, duke krijuar hapësira për të shënuar lojtarët e tjerë. Guindo solli forcë, luftë në ajër dhe aftësi për të mbajtur topin në zona të vështira. Sulmuesi ende nuk është larguar zyrtarisht nga skuadra e Dinamos, megjithatë gjasat janë të shumta që sulmuesi të përshëndetet me blutë.

BERNARD BERISHA- I afruar me shumë bujë dhe me pritshmëri të mëdha, Berisha largohet me 33 ndeshje, 1 gol dhe 4 asiste, duke ofruar më shumë eksperiencë sesa gola e asiste. Në faza të ndryshme të sezonit, Berisha ka qenë një alternativë e vlefshme në krah, duke sjellë eksperiencë dhe kualitet në duelet individuale. Edhe pse shifrat nuk janë të larta, ndikimi i tij në grup ka qenë i dukshëm, teksa mungesa e minutave dhe disa dëmtime, ndikuan jo pak në rendimentin e tij.

ANDRE TEIKSEIRA- Mbrojtësi portugez Andre Teikseira mbyll listën e largimeve me 37 ndeshje, 3 gola dhe 2 asiste. Teikseira ka qenë një nga shtyllat e repartit difensiv, duke ofruar stabilitet dhe siguri në qendër të mbrojtjes. Përveç detyrave mbrojtëse, ai ka kontribuar edhe në fazën sulmuese me gola të rëndësishëm, e madje duke i dhënë edhe pikë të arta bluve, në një sezon ku thuajse të gjithë shënuan.

Në total, Dinamo humbet 25 gola dhe 29 asiste, një prodhim ofensiv që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të sezonit të kaluar. Largimi i këtyre pesë lojtarëve i vendos drejtuesit përballë një sfide të madhe në merkato, pasi zëvendësimi i këtij kontributi nuk është thjesht çështje numrash, por cilësie, eksperience dhe vazhdimësie në lojë, e për më tepër, drejtuesit janë në luftë me kohën duke qenë se Europa ëhstë shumë afër dhe një eliminim që në fazën e parë, do të ishte një dështim edhe në aspektin financiar.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL