Krahasimi te Partizani/ Nga titulli i fundit tek aktualiteti
Partizani po përgatitet për një sezon të ri me objektiva të mëdha, ndërsa në kampin e kuq shpresojnë që skuadra të rikthehet sa më shpejt në garën për titull. Për të arritur këtë objektiv, një nga referencat më të mira mbetet sezoni 2022-2023, kur të kuqtë u shpallën kampionë të Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit italian Giovanni Colella.

Ai sukses nuk erdhi rastësisht. Partizani ndërtoi një skuadër të balancuar, të disiplinuar dhe mbi të gjitha shumë të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit. Pikërisht ky është mësimi i parë që mund të merret nga ai sezon. Skuadra e asaj periudhe rrallëherë kalonte në luhatje të mëdha rezultatesh. Edhe kur nuk luante futbollin më spektakolar, arrinte të merrte pikët e nevojshme për të qëndruar në krye të renditjes. Një tjetër element i rëndësishëm ishte organizimi defensiv.
Partizani i Colellës ishte një ekip që pësonte pak gola (37 në total, 11 më pak se në sezonin e fundit) dhe që dinte të menaxhonte ndeshjet e vështira. Mbrojtja ishte baza mbi të cilën ndërtohej çdo sukses. Në sezonin e fundit ndodhi e kundërta. Të kuqtë pësuan 48 gola dhe kjo statistikë ndikoi drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare. Prandaj, rikthimi i sigurisë në mbrojtje duhet të jetë një nga prioritetet kryesore. Po aq i rëndësishëm ishte edhe grupi.
Partizani kampion nuk varej nga një lojtar i vetëm. Skuadra kishte futbollistë që merrnin përgjegjësi në momente të ndryshme dhe kjo e bënte ekipin më të fortë. Fryma e grupit ishte një nga armët më të forta të asaj skuadre. Një tjetër mësim lidhet me stabilitetin teknik. Colella pati kohën dhe mbështetjen për të ndërtuar skuadrën sipas ideve të tij. Kjo i lejoi ekipit të krijonte identitet dhe vazhdimësi në lojë. Tashmë, një situatë e ngjashme mund të krijohet edhe me Florin Bratun, i cili pritet të marrë drejtimin e skuadrës. Rumuni do të ketë nevojë për kohë, por edhe për mbështetje që të vendosë filozofinë e tij te Partizani.
Sot, Partizani ka sërish një bazë të mirë me futbollistë si Qirko, Preka, Atanaskoski, Ismaili, Human, Dumbia, Skuka dhe Keko. Megjithatë, skuadra ka nevojë edhe për disa përforcime që të rrisin konkurrencën. Një faktor tjetër ishte edhe uria për sukses. Partizani i atij sezoni hynte në çdo ndeshje me mentalitet fitues dhe me bindjen se mund të merrte maksimumin ndaj çdo kundërshtari. Për të rikthyer titullin në kryeqytet, të kuqtë duhet të rikthejnë pikërisht atë mentalitet. Cilësia në organikë është e rëndësishme, por pa karakter dhe vazhdimësi është e vështirë të fitosh kampionatin.
Sezoni 2022-2023 mbetet shembulli më i mirë se si mund të fitohet titulli, edhe kur gara me Tiranën për titull shkoi deri në limite pasi kujtojmë se Dy ekipet e mbyllën kampionatin me pikë të barabartë, por të kuqtë kishin përballjet direkte në favorin e tyre. Organizimi, stabiliteti, grupi, mbrojtja e fortë dhe mentaliteti fitues ishin elementët që sollën trofeun. Nëse Partizani arrin të rikthejë këto cilësi edhe në sezonin e ardhshëm, atëherë shanset për të luftuar sërish për titull do të jenë shumë më të mëdha. Titulli i fundit është prova se rruga ekziston, ndërsa sfida mbetet ta përshkosh atë edhe një herë.
PANORAMASPORT.AL













