Momenti i së vërtetës për kampionët e Shqipërisë, Egnatia të bindë në Europë
Tre tituj kampionë radhazi e kanë vendosur Egnatian në një tjetër nivel. Në Rrogozhinë nuk flitet më vetëm për fitimin e kampionatit apo dominimin në futbollin shqiptar. Klubi ka kaluar këtë fazë. Tashmë, sfida e vërtetë është Europa.

Pikërisht për këtë arsye, ndeshja me Petrokubin nuk duhet parë si një sfidë e zakonshme e turit të parë të Ligës së Kampioneve. Për kampionët e Shqipërisë, kalimi i këtij turi duhet të jetë objektivi minimal i sezonit. Jo sepse Petrokubi është një kundërshtar i lehtë, por sepse Egnatia nuk ka qenë kurrë më e përgatitur se këtë verë për të bërë një hap përpara. Në sezonet e kaluara, Egnatia ka pasur gjithmonë arsye për të justifikuar eliminimet europiane. Herë skuadra ishte në ndërtim, herë largoheshin lojtarët më të mirë përpara ndeshjeve, herë merkatoja nuk kishte përfunduar ende. Organika ndryshonte vazhdimisht dhe trajnerët detyroheshin të improvizonin. Këtë herë panorama është krejt tjetër. Klubi ka ruajtur pothuajse të gjithë bërthamën që fitoi titullin kampion, ndërsa merkatoja është përdorur për të shtuar cilësinë dhe konkurrencën. Emra si Bitri, Loukili, Smajli, Jago, Diabate, Montenegro, Kacbufi dhe Puja i janë bashkuar grupit, duke e bërë skuadrën më të plotë se në çdo sezon tjetër. Në këto kushte, justifikimet janë shumë më të pakta.
LUKS ZGJEDHJESH – Një nga ndryshimet më të mëdha të kësaj Egnatie është organika. Në pothuajse çdo repart, Nevil Dede ka dy alternativa të denja për një vend titullari. Konkurrenca është rritur në mbrojtje, mesfusha vazhdon të mbështetet te boshti Fernando-AleksiAlbanese, ndërsa edhe sulmi ka më shumë opsione se një vit më parë. Ky është një luks që pak skuadra shqiptare e kanë pasur para një sfide europiane. Trajneri nuk është më i detyruar të luajë me të njëjtët futbollistë në çdo ndeshje. Ai ka mundësinë të zgjedhë, të ndryshojë dhe të përshtatë formacionin sipas kundërshtarit. Një tjetër detaj që flet shumë është mënyra si është menaxhuar merkatoja. Në tre vitet e fundit, Egnatia ka shitur lojtarë për më shumë se 2.2 milionë euro. Çdo verë ka humbur emra të rëndësishëm, por ka ditur të rindërtohet. Këtë herë ka ndodhur e kundërta. Deri tani nuk është shitur asnjë nga titullarët kryesorë, edhe pse interesimi për disa prej tyre nuk ka munguar. Klubi ka zgjedhur të shtyjë çdo vendim të rëndësishëm, me shumë mundësi deri pas ndeshjeve europiane. Ky është një sinjal i qartë se drejtuesit nuk duan të dobësojnë skuadrën përpara objektivit më të madh të sezonit.
PETROKUBI – Sigurisht, askush nuk duhet të mendojë se kualifikimi është i garantuar. Petrokubi është kampion i Moldavisë, një skuadër që ka fituar eksperiencë në arenën europiane dhe që në vitet e fundit ka treguar se di të rivalizojë në këto kompeticione. Por edhe Egnatia nuk është më skuadra e disa sezoneve më parë. Tre tituj kampionë radhazi, një grup i konsoliduar, një merkato cilësore dhe një trajner që ka pasur kohën e nevojshme për të punuar me ekipin bëjnë që kampionët shqiptarë të hyjnë në këtë përballje me besim të plotë. Nëse Egnatia dëshiron të tregojë se dominimi në Shqipëri nuk është rastësi, tani është momenti ideal.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













