ÇIKLIZËM/ Goditje për Turin e Francës, shumë yje e humbasin eventin
Turi i Francës ende nuk ka nisur, por tashmë ka humbur disa nga protagonistët më të rëndësishëm të pelotonit ndërkombëtar. Edicioni që pritej të bashkonte pothuajse të gjithë emrat më të mëdhenj të çiklizmit do të mbërrijë në Barcelonë me mungesa të rëndësishme.
Disa prej tyre ishin paralajmëruar prej ditësh, ndërsa të tjera janë konfirmuar vetëm në orët e fundit. Në çdo rast, këto zhvillime ndryshojnë ekuilibrat e një gare që premtonte spektakël që nga etapa e parë. Mungesa më e bujshme është ajo e Wout van Aert. Çiklisti belg nuk do të marrë pjesë në Tur, pasi nuk arriti të rikuperohej në kohë nga një plagë e infektuar në bërryl, e pësuar pas një rrëzimi gjatë stërvitjeve përpara Tour Auvergne-Rhône-Alpes.
Edhe pse ai startoi në atë garë, u detyrua ta braktisë dhe rikuperimi i tij nuk ishte i mjaftueshëm për të qenë gati për Turin. Për Jonas Vingegardin, i cili synon të sfidojë sërish Tadej Pogaçarin, kjo është një goditje e rëndësishme strategjike. Danezi humbet ndihmësin e tij më të vlefshëm, një çiklist të aftë të udhëheqë në terrene të sheshta, të ndjekë arratisjet, të mbyllë diferencat, të fitojë etapa dhe të bëjë diferencën në çdo lloj profili. Skuadra Visma reagoi duke përfshirë italianin Davide Piganzoli në formacionin prej tetë çiklistësh për Turin, së bashku me Vingegard, Sepp Kuss, Matteo Jorgenson, Victor Campenaerts, Bruno Armirail, Per Strand Hagenes dhe Edoardo Affini.
Megjithatë, edhe kjo listë mbetet në pikëpyetje pas rrëzimit të rëndë të Affinit në garën kronometër të Kampionatit Italian. Italiani, një element kyç për fuqinë e tij dhe për etapën hapëse me kronometër ekipor në Barcelonë, u transportua me ambulancë dhe pjesëmarrja e tij do të varet nga ecuria e rikuperimit. Nëse nuk ia del, Visma do të detyrohet të bëjë një tjetër ndryshim. Wilco Kelderman dhe Ben Tulett konsiderohen alternativat më të mundshme, megjithëse skuadra holandeze ende nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar.
Një tjetër mungesë e rëndësishme është ajo e Oscar Onley. Britaniku, i katërti në renditjen e përgjithshme të Turit vitin e kaluar, nuk do të jetë në gjendje të udhëheqë ekipin Netcompany-Ineos, pasi pësoi një dëmtim serioz në shpatull pas një rrëzimi të fortë në Tour Auvergne-RhôneAlpes. Ekipi i tij ka konfirmuar se ai nuk do të garojë në Francë dhe tashmë synon të rikthehet më vonë gjatë sezonit, me Vueltën si objektivin kryesor.
LISTË E GJATË MUNGESASH Edhe çiklizmi spanjoll ka marrë lajme të këqija. Ivan Romeo nuk do të jetë pjesë e Turit për shkak të problemeve shëndetësore që e kanë shoqëruar që nga Tour Auvergne-Rhône-Alpes, ku skuadra Movistar pati disa tërheqje për shkak të simptomave gripale. Talenti nga Valladolid nuk ka arritur të rikuperohet në kohë për të përballuar një garë 3-javore në nivelin maksimal. Jashtë garës mbetet edhe Pello Bilbao.
Bahrain Victorious konfirmoi se basku nuk është shëruar ende nga një infeksion viral të cilin e mori gjatë së njëjtës garë në Francë. Ky lajm është veçanërisht i dhimbshëm, pasi kjo është sezoni i fundit i Bilbaos si profesionist dhe ai humbet mundësinë për t’i dhënë lamtumirën Turit të Francës. Kalendari i tij do të riorganizohet tashmë me fokus në objektivat e pjesës së mbetur të sezonit. Gjithashtu, as Cristian Rodriguez nuk do të jetë në Tur, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer në Auvergne-Rhône-Alpes. Çiklisti nuk do të vazhdojë me Astana dhe gjatë verës do të garojë në Kinë, duke përgatitur pjesëmarrjen e tij në Vuelta. Listës së pikëpyetjeve i shtohet edhe Lorenzo Fortunato, i cili gjithashtu u prek nga temperatura gjatë AuvergneRhône-Alpes, megjithëse mungesa e tij ende nuk është zyrtarizuar.
Ndërkohë, rasti i Stefan Kung kërkon kujdes, pasi zvicerani pësoi një frakturë të rëndë të femurit në Omloop, por tashmë ka nisur përgatitjet për rikthimin në garë dhe pjesëmarrja e tij do të varet nga vendimi përfundimtar i skuadrës Tudor. Kështu, Turi i Francës po nis “të zhvillohet” edhe përpara startit zyrtar. Rrëzimet, infeksionet dhe viruset kanë eliminuar që në prag disa nga emrat më të rëndësishëm të garës. Turneu që pritej të mblidhte pothuajse të gjithë yjet e çiklizmit botëror nis me një mesazh të qartë: të mbërrish i shëndetshëm në Barcelonë është, në vetvete, një fitore.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













