MOTO GP/ Bexeki harron Çekinë, dominon në para-kualifikueset e Holandës
Marko Bexeki konfirmoi formën e shkëlqyer duke regjistruar kohën më të shpejtë edhe në seancën para-kualifikuese, që mbylli programin e së premtes në pistën legjendare të Asen për Çmimin e Madh të Holandës në MotoGP.
Me kohën 1:31.123, piloti i Aprilias vulosi një ditë perfekte, pasi kishte qenë më i shpejti edhe në provat e lira të para. Pas italianit u renditën Raul Fernandez dhe Pedro Akosta, ndërsa Mark Markez e mbylli në vendin e gjashtë. Horge Martin ishte i nënti, ndërsa Françesko “Peço” Bagnaia arriti të shpëtojë në momentet e fundit duke siguruar vendin e pestë dhe kalimin direkt në Q2. Seanca u karakterizua edhe nga një aksident i rëndë i Aleks Markezit, i cili solli nxjerrjen e flamurit të kuq.
PARAKUALIFIKUESET – Ishte një seancë tepër e pafat për skuadrën Gresini, pasi si Aleks Marquez ashtu edhe Fermin Aldeguer u rrëzuan dhe u dërguan në qendrën mjekësore për kontrolle. Pavarësisht kësaj, Marko Bexeki vazhdoi dominimin e tij në Asen. Pasi kishte qenë më i shpejti në provat e lira të paradites, lideri i kampionatit përsëriti performancën edhe pasdite, duke marrë kështu ventin e parë në radhën e nisjes për Sprintin. Piloti i Aprilias dha kështu një sinjal të fortë për rivalët, duke u rikthyer me vrull pas incidentit që pati në Çeki, teksa një shtyrje dhe një shuplakë ndaj komisarit të pistës i kushtoi skualifikimin për Çmimin e Madh.
AXHENDA – Për sa i përket axhendës së fundjavës në Holandë, të shtunën në orën 10:05 do të mbahet seanca e dytë e provave të lira. Më tej, në orën 10:45 do të nisin kualifikueset, ndërsa do të vijohet në orën 14:55 me garën Sprint. Çmimi i Madh i Holandës do të startojë të dielën në orën 14:00. Marko Bexeki kryeson klasifikimin e pilotëve me 180 pikë, ndjekur nga Horge Martin me 172 dhe Fabio Di Xhanantonio me 157.
PANORAMASPORT.AL













