Pas Esat Malës, te Teuta priten goditje “big”
Teuta ka nisur me ritëm ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri dhe lëvizjet e para në merkato tregojnë qartë se objektivat për kampionatin e ardhshëm janë më ambicioze. Pardje klubi durrsak prezantoi zyrtarisht afrimin e sulmuesit anësor Esat Mala, një emër që pritet të sjellë më shumë cilësi, eksperiencë dhe alternativa në repartin ofensiv.
Transferimi i Malës shihet si një nga lëvizjet e para konkrete të Teutës në këtë periudhë përgatitore, ndërsa drejtuesit duket se po punojnë për të ndërtuar një skuadër më konkurruese se ajo e sezonit të kaluar. Kujtojmë se Teuta e mbylli edicionin e fundit me shumë vështirësi, duke siguruar qëndrimin në elitë vetëm përmes fazës “play out”, një situatë që klubi synon ta lërë pas. Vetë Mala nuk humbi kohë pas prezantimit. Futbollisti u bashkua menjëherë me grupin dhe zhvilloi seancën e parë stërvitore me pjesën tjetër të skuadrës. Ai u pa i motivuar dhe i përfshirë që në kontaktet e para me ambientin e ri, ndërsa stafi teknik pret që përshtatja e tij të jetë sa më e shpejtë për ta pasur në formën optimale në nisje të sezonit.
TË TJERËT – Merkatoja e Teutës nuk mbyllet këtu. Burime pranë klubit bëjnë me dije se javën e ardhshme priten të konkretizohen edhe disa afrime të tjera. Objektivi është që deri të shtunën, para nisjes së skuadrës drejt fazës përgatitore në Bansko të Bullgarisë, grupi të jetë sa më i kompletuar. Ideja e drejtuesve është që trajneri Tetova të ketë në dispozicion pjesën më të madhe të organikës sa më herët, në mënyrë që puna taktike dhe fizike të zhvillohet me grupin e plotë dhe të krijohet identiteti i skuadrës për sezonin e ri. Ndërkohë, dje Teuta mbylli javën e parë të përgatitjeve në Durrës. Sipas burimeve pranë klubit, atmosfera në grup ka qenë pozitive dhe ritmi i punës ka ardhur në rritje nga dita në ditë. Përveç ngarkesave fizike dhe punës atletike, skuadra ka nisur edhe seancat me top, duke kombinuar përgatitjen fizike me aspektin teknik.
FAZA – Java e ardhshme pritet të jetë edhe më intensive. Në fazën përgatitore në Bansko, Teuta do të zhvillojë disa ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar formacionin, për të parë integrimin e afrimeve të reja dhe për të kolauduar grupin përpara startit të kampionatit. Me afrimin e Esat Malës dhe me lëvizjet e tjera që priten në ditët në vijim, sinjalet janë të qarta. Teuta dëshiron të kthejë faqen pas një sezoni të vështirë dhe të ndërtojë një ekip më konkurrues për edicionin që nis më 22 gusht.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













